Detyra e gazetari nuk është të spekulojë

Foto nga shkrimi që e recensojmë

Pa dyshim se me zhvillimin teknologjik u zhvillua edhe mënyra e informimit dhe gazetaria. Tani është shumë lehtë të kesh qasje te një informacion apo lajm pa marr parasysh lokacionin se ku zhvillohet një ngjarje. Megjithatë, zhvillimi teknologjik ka dhe efektet e saj negative në gazetari siç është zbehja e cilësisë së lajmit në kanalet e informimit online. Shembull konkret për këtë fenomen është teksti që po recensojmë.  

Foto nga shkrimi që e recensojmë

Linku original i artikullit: Shqiptari ngelet pa fjalë, vajzat shqiptare shesin trupin në rrugë

Data e publikimit: 13.03.2021

Data e recensimit: 17.03.2021

Recensuese: Shefkije Alasani

Titull sensacionit 

Në botën e informimit online më shumë rëndësi i kushtohet sasisë se sa cilësisë. Lufta për sa më shumë klikime i zhvesh gazetarët nga profesionalizmi dhe standardet bazike të gazetarisë. Titujt sensacional shpesh janë karremi më i përdorur nga portalet për të siguruar sa më shumë klikime në “lajmet” që ato publikojnë. I tillë është edhe titulli i lajmit që recensojmë, i cili thotë: Shqiptari ngelet pa fjalë, vajzat shqiptare shesin trupin në rrugë. Për dikë, ky titull provokativ mundet të jetë një arsye më shumë për ta klikuar linkun dhe për të mësuar kush është ky shqiptari që është ngel pa fjalë dhe si na zbulon që vajzat shqiptare shesin trupin në rrugë. Në raportimin e temave të tilla një gazetar profesionist do të shprehej me kujdes, me terminologji profesionale dhe jo me komente emocionale.

Përmbajtje jo-profesionale  

doracakun e CriThink esenca e gazetarisë përkufizohet qartë dhe shkurtë:

“Thelbi i gazetarisë është i shumëanshëm, por bërthama përbëhet nga dy gjëra: faktet dhe e vërteta.”

Përmbajtjes që po recensojmë, e që në një kanal informimi online na transmetohet si “lajm”, i mungojnë dy elementet bazë të bërthamës. Përmbajtja nuk ka as fakte as vërtetësi.

Në paragrafin e parë të përmbajtjes thuhet: “Pros*titucioni është një fenomen i cili çdo ditë e më shumë po bëhet i pranishëm, teksa në Itali disa vajza fotografohen në rrugë, ndërsa shihet qartë qëllimi i vajzave si dhe një makinë dhe disa karrige.” Detyra e gazetarit është ta informojë publikun për çdo temë por informimi duhet të jetë i bazuar në fakte e burime. Që opinioni të kuptojë se prostitucioni është një fenomen në rritje atëherë gazetari duhet të paraqesë dëshmi si: Statistika nga institucione përkatëse, denoncime, intervista me ekspertë, etj, dhe ja pretendimin e tij ta bazojë në fakte si: disa vajza fotografohen në rrugë dhe qëllimi i tyre duket qartë.

Komentimi i ngjarjes nga ana e gazetarit vazhdon edhe në paragrafin e dytë të përmbajtjes ku thuhet: Ka qenë një qytetar, i cili përmes një mesazhi të dërguar në redaksinë të JOQ Albania, ka vënë në dukje fenomenin, ndërsa shkruan se makina është me targa shqiptare dhe se vajzat shesin trupin për pak lekë. Qytetari shkruan:
Po shiten te shkretat. Me erdhi inat se kishin parkuar automjetin me targa shqiptare. Shesin veten per pak leke dhe parkojnë automjetin qe ti shef e gjithë bota.

Mendimi dhe kallëzimi i rasteve nga qytetarët është shumë me rëndësi në gazetari, por jo gjithmonë atë duhet të pranohen si të mirëqena dhe tu jepet hapësirë mediatike pa i verifikuar. Është e vërtetë se në fotografinë e publikuar duken dy vajza dhe një automjet me targa të Shqipërisë, por ne nuk e dimë se ku saktësisht është shkrepur fotografia, nuk e dimë as nëse automjeti është i vajzave ose i dikujt tjetër që nuk duket në fotografi. Fotografia na hap shumë dilema por “lajmi” nuk përgjigjet as në dilemat tona as në 5 pyetjet gazetareske. Detyra e gazetarit është të hulumtojë, të grumbullojë fakte dhe të raportojë për temë që ai vlerëson se është me rëndësi për opinionin.

Teksti që recensojmë bie ndesh me disa pika të Kodit Etik të Gazetarëve, me theks të veçantë me pikën 10 dhe 13.

Pika 10: Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)

Pika 13: Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Çfarë është lajmi?

Në doracakun e Crithink lajmi përkufizohet si më poshtë:

Lajmi është informacion me përmbajtje të re që ngjall interes të madh tek publiku. Që informacioni të jetë lajm, zakonisht duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme: të ketë
përmbajtje të re, të rëndësishme, interesante, të pazakontë. Lajmi plotësisht përcillet kur ju jepet përgjigje pesë pyetjeve themelore që janë: “Kush?”, “Çfarë?”, “Kur?”, “Ku?” dhe “Si?”. Lajmet përfshijnë informacione për të gjitha aspektet e jetës së njerëzve: konflikte,
katastrofa, ngjarje. Temat mund të jenë të ndryshme: shëndetësia, arsimi, ekonomia,
drejtësia, politika sociale

Nëse një produkt mediatik nuk i plotëson kriteret gazetareske atëherë ai produkt është thjesht një muhabet bosh që në gjuhën popullore ne i themi thashetheme apo haxhusllëk. Dhe thashethemet nuk kanë vend aspak në media, pa marrë parasysh nëse ato janë media online, media e shtypur, radio apo TV.