Dritë e kuqe për etnocentrizmin

Kur ka etnocentrizëm, bashkësia të cilës i takon konsiderohet si qendër e çdo gjëje (gjuhës, zakonet, historia, sjellja, religjioni…) dhe çdo gjë vlerësohet duke e krahasuar me atë. Bashkësia të cilës i takon konsiderohet si më e rëndësishmja dhe disa (ose të gjitha) aspekte të saj konsiderohen si superiore në krahasim me të tjerët (cilët do qofshin të tjerët).

Shkruan: Prof. d-r Мirjana Najçevska, eksperte e të drejtave të njeriut

Etnocentrizmi me definicion është një tendencë që të shihet para së gjithash bota, nga një perspektivë e bashkësisë sonë etnike. Nga njëra anë jemi NE, ndërsa nga ana tjetër janë të gjithë TË TJERËT.

Për shembull, si një shembull shkollor për vështrimin etnocentrik mund të merret shfaqja e bashkësisë së vet (etnikumin Maqedonas dhe territorin e Maqedonisë) në qendër të botës e dhënë në tekstin me titull: „МАКЕDONIJA VIDEO: Për të gjithë që nuk besojnë se Maqedoia është qendra e botës“:

Sipas Google Earth, Maqedonia është qendra e botës. Ne e kontrolluam dhe u vërtetuam, kontrolloni edhe ju.

Edhepse në shikim bëhet fjalë për një ekzagjerim artistik (hiperbolizim), shpërndarja e një informacioni të tillë të pasaktë i cili nuk ka jo vetëm mbështetje logjike, por as shkencore, në fakt paraqet një promovim të hapur të etnocentrizmit si një mënyrë e shikimit të rrethit dhe matjes së vendit të vet në botë.

Kur ka etnocentrizëm, bashkësia të cilës i takon konsiderohet si qendër e çdo gjëje (gjuhës, zakonet, historia, sjellja, religjioni…) dhe çdo gjë vlerësohet duke e krahasuar me atë. Bashkësia të cilës i takon konsiderohet si më e rëndësishmja dhe disa (ose të gjitha) aspekte të saj konsiderohen si superiore në krahasim me të tjerët (cilët do qofshin të tjerët).

Diçka unike

Shumë shpesh nëpër medie zgjidhen terme me të cilat potencohet pjesa unike, si për shembull: „Japonezët na njohin si një vend biblikа“, “Vendi ku ka filluar krishterizmi“

Në shkrimet ose lajmet me qasje etnocentrike, autori në masë të madhe identifikohet me matricën etnike kulturore të bashkësisë së vetë dhe shumë shpesh nuk i pranon etnikumet dhe kulturat e tjera.

Ky lloj i shkrimeve, qoftë në titull ose në përmbajtje, promovon një ndjenjë krenarie, superioritet kur bëhet fjalë për bashkësinë e vet, gjegjësisht, nënçmim dhe edhe fyerje kur bëhet fjalë për ndonjë bashkësi tjetër etnike (posaçërisht nëse ajo bashkësi etnike për momentin është identifikuar si armiqësore). Për shembull, në titullin: „Grekët përsëri në gjunjë para Maqedonisë“, në fakt fshihet përmbajtje për një lojë basketbolli në të cilën ekipi i Maqedonisë ka fituar me 2 pikë dallim.

Etnocentrizmi i ndonjë shkrimi mund të identifikohet edhe nëpërmjet mënyrës në të cilën paraqiten ngjarjet ekonomike, politike dhe sociale. Glorifikimi i arritjeve të bashkësisë së vet i paraqitur nëpërmjet nënçmimit në tjerave apo lënies anësh të kontekstit dhe informacioneve të mundshme të kundërta, mund të iniciojë ekzistim të qasjes etnocentrike të autorit.

Glorifikimi

Etnocentrizmi tek mediet e Maqedonisë mund të identifikohet në mënyrë të veçantë në tekstet me të cilat glorifikohen arritjet e bashkësisë/popullit/shtetit të vet. Nevoja për të qenë më i miri, gjegjësisht të plotësohen kërkesat etnocentrike, manifestohet me shfaqjen e arritjeve në një mënyrë e cila, ose i nënçmon të tjerët, ose e fsheh kontekstin nën të cilin ato ndodhin.

Në shkrimin „Maqedonia në vendin e 37 në mesin e 141 vendeve“ nuk janë dhënë hollësi për elementet e rangimit, ose të paktën më shumë informacion për atë se kush e ka bërë rangimin, por thjesht përdoret një ton glorifikimi:

Në listën e prestigjiozes Forbes, nga shtetet e rajonit para shtetit tonë është vetëm Sllovenia, e cila është ndodhet në vendin e 23-të, ndërsa pas nesh janë të gjithë të tjerat: Mali i Zi në vendin e 45-të, Kroacia në vendin e 47-të, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 85-të, ndërsa Serbia vendin më të ulët atë 90-të.

Në artikull nuk ka analizë të kontekstit të përgjithshëm ekonomik në të cilin duhet të vendoset ky rangim, dhe as edhe një krahasim komparativ me rezultatet eventuale, gjegjësisht, ndikimin mbi jetesën e përgjithshme në Maqedoni.

Superioriteti

Në numrin më të madh të rasteve, një pjesë e medieve i shfaqin informacionet lidhur me Maqedoninë në një mënyrë e cila bën krahasim jo të duhur. Për shembull, në titullin „Maqedonia e fiton betejën me papunësinë, për dallim prej shteteve të tjera“ theksohet se:

Për dallim nga shtetet e rajonit ku shkalla e papunësisë rritet, në Maqedoni ka një proces të kundërt. Ajo që është më me rëndësi është se shkalla e papunësisë ulet në kushte krize ekonomike ku papunësia rritet jo vetëm në rajon, por edhe në të gjitha shtetet e Evropës. Këtë e vërtetojnë edhe analizat të cilat këtyre ditëve u paraqiten nëpër medie në bazë të të dhënave statistikore, sipas të cilave Republika e Maqedonisë shënon rritje të shkallës së punësimeve nga vitit 2006 deri sot.

Përveç mungesës së analizës së vërtetë të kontekstit për të cilin bëhet fjalë dhe për problemet në matjen e papunësisë, mbetet edhe qasja etnocentrike që e ngre Maqedoninë në piedestalin e shtetit/ekonomisë e cila është më e mirë se shtetet e rajonit. Që të arrihet ky qëllim në artikull nuk përmenden shkallët e papunësisë në ato shtete, dhe të cilat pa asnjë përjashtim janë nën shkallën e Maqedonisë (Rumania 7.5%, Sllovenia 10.2%, Bullgaria 13.1%, Kroacia 17.2%).

Rregullshmëria

Mund të dyshojmë për etnocentrizëm edhe kur në një informacion/tekst të caktuar mediatik, aktivitetet e bashkësisë  tregohen si të „rregullta” dhe „normale”, ndërkaq aktivitetet e kulturave të tjera tregohen si „të gabuara” dhe „jonatyrore”, madje edhe atëherë kur bëhet fjalë për shumë aktivitete të ngjashme për nga karakteri i tyre. Si shembull mund të merren artikujt që u referohen problemeve në lidhje me ndërtimin e xhamisë në fshatin Belicë e Epërme dhe problemet në lidhje me ndërtimin e kishës në fshatin Oktis, të cilat madje edhe janë të lidhura në një artikull të përbashkët. Në këto artikuj është evidente mbajtja e anës në këtë kontest. Qasja etnocentrike mund të evitohet me analizim të rrënjëve të situatës, zhvillimit i cili e ka sjellë këtë rezultat dhe me krahasim të disa rasteve. Nëse qëllimi nuk është nxitja e padurimit në baza etnike, atëherë informacioni jepet në mënyrë e cila nënkupton ekzistim të zgjidhjes.

Etnocentrizmi zakonisht sjell deri në tensione dhe krijon perceptime të shtrembëruara. Kjo karakteristikë e etnocentrizmit është posaçërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për mediet që mund të bëhen shpërndarës të fuqishëm të këtyre perceptimeve të shtrembëruara.

Shtrembërimi i perceptimeve mund të manifestohet si:

  • Njëanshmëri ndaj vetes = „ne” kemi merita për veprat e mira dhe nuk kemi përgjegjësi për ato të këqijat;
  • Njëanshmëri brenda grupit = „ne” bëjmë vepra të mira sepse jemi të mirë, ndërsa vepra të këqija vetëm kur jemi të detyruar; „ato” bëjnë vepra të mira vetëm kur janë të detyruar, ndërsa bëjnë vepra të këqija sepse janë të këqij, ose,
  • Si perceptim në pasqyrë = kur bëjmë diçka, „ne” jemi të moralshëm dhe të mirë, ndërsa kur të tjerët e bëjnë të njëjtën gjë „ato” janë të pamoralshëm dhe të këqij.

Ne dhe ata

Shumë interesant është shembulli me interpretimin dhe vlerësimin e ndryshëm të dygjuhësisë (kur bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës maqedonase nga ana e pjesëtarëve të bashkësisë etnike Maqedonase në ndonjë shtet tjetër dhe përdorimin e gjuhës së pjesëtarëve të bashkësive etnike në Maqedoni. Për shembull, me titullin

„Dygjuhësia ngadalë po del jashtë kornizës“, gazetari e kritikon praktikën e ministrave që janë pjesëtarë të bashkësive etnike të pakicave në Republikën e Maqedonisë, që t’i përkthejnë në gjuhën shqipe tabelat me emrat zyrtarë, dhe faqet e internetit t’i përpunojnë edhe me version në gjuhën shqipe. Autori i tekstit e pyet veten:

A po tentohet të futet një dygjuhësi e plotë në Maqedoni dhe kush e bën këtë?A e lejojnë dhe e barazojnë gjuhën maqedonase me gjuhën shqipe Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhëve të bashkësive etnike, si gjuhë të bashkësisë pjesëtarët e së cilës janë mbi 20% e popullatës së përgjithshme?

Në mënyrë edhe më kërcënuese është parashtruar pyetja e portalit të internetit „Falanga”, ku më titullin: „Në Maqedoninë Perëndimore gjithnjë e më shumë po ndjehet riafirmimi i projektit për Shqipërinë e Madhe“ theksohet:

Se po ndodh një Shqiptarizim i plotë tregojnë edhe toponimet në gjuhën shqipe, si dhe emrat e fshatrave me popullatë kryesisht shqiptare.

Nga ana tjetër, mund të shihen tekstet lidhur me ndryshimin e toponimeve në Pustec. Me titullin:

„Fitore për Maqedonasit në Shqipëri – do të kthehen emrat maqedonë në komunën e Pustecit“, shkruan se:

Ligji i parlamentit të Shqipërisë i datës 18 Mars të vitit 2013, me të cilin u kthye emri maqedonas i komunës së Pustecit, e hapi rrugën që Këshilli i komunës së Pustecit t’i kthejë emrat e fshatrave që ishin shqiptarizuar në vitin 1973 nga ana e parlamentit të atëhershëm komunist të Shqipërisë.

Në këtë rast është evident ekzistimi i perceptimit të shtrembëruar sipas të cilit, kur „ne” bëjmë diçka kjo është diçka e mirë dhe e drejtë, ndërsa kur „ato” e bëjnë të njëjtën gjë, kjo është e rrezikshme dhe kërcënuese.

Në mediet e Maqedonisë është i shpeshtë fenomeni i këtij lloji të perceptimeve të gabuara, edhe kur bëhet fjalë për dygjuhësi (krah tekstit maqedonisht qëndron edhe tekst në shqip) edhe kur bëhet fjalë për ndërrim të gjuhës maqedonase me gjuhën shqipe, dhe që domosdo çon deri në krijimin ose ngritjen e animozitetit ndaj bashkësisë tjetër etnike dhe është një indikator shumë i fortë për mënyrën etnocentrike të shikimit të gjërave dhe raportimit nga ana e medieve.

 


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik.