Teksti që recensojmë është shembull i një përpjekje të vetëdijshme nga ana e gazetarit për manipulim me ngjarjen reale, me shtrembërimin e saj dhe me emocionet e qytetarëve. “Lajmi” është i shkëputur nga një reportazh dhe para lexuesve është “shitur” si lajm por duke ju ndryshuar pandershmërisht konteksti.
Linku deri te artikulli origjinal: Mjeku maqedonas i lë në baltë banorët e Bukoviçit të Shkupit dhe emigron në Gjermani
Data dhe koha e publikimit: 30.12.2019
Data e recensionit: 13.01.2020
Recensues: Fatlume Dervishi
Nga ajo që është përkthyer dhe transmetuar konstatojmë se bëhet fjalë për një reportazh të medias ARD1. Ai flet për emigrimin masiv të profesionistëve nga Maqedonia e Veriut dhe përpjekjet e tyre për të gjetur punë në fushën e tyre të profesionit në Gjermani. Shembulli që ka marrë media në fjalë është ai i mjekut Ljubisha Stojmirovski, i cili, pasi për një periudhë u ka shërbyer banorëve të fshatit Bukoviç, ka vendosur të emigrojë në Gjermani.
Media që e ka transmetuar materialin e përpunuar dhe të cilën e recensojmë, duket se ka përkthyer të plotë tekstin e reportazhit origjinal, i cili, në përmbajtje, nuk shkel parimet etike të profesionit të gazetarit. Ja një pjesë e tij:
“Para se të shkojë në Gjermani, Ljubisha Stojmirovski udhëton gati një vit nga Shkupi në Bukoviç, një fshat rreth 20 kilometra në perëndim të kryeqytetit, ku jetojnë pothuajse ekskluzivisht shqiptarë. Ai do t`u mungojë rreth 200 pacientëve të tij atje. Shumë kanë ardhur për të vlerësuar mjekun e ri, të cilin ata e tregojnë gjatë vizitave të tyre në praktikë. 51-vjeçari Isen Ilazi gjithashtu shprehet i penduar që mjeku po shkon në Gjermani.”
Ngjyrimet e panevojshme etnike
Në vend që emigrimin e profesionistëve ta trajtojë si problem real shoqëror dhe institucional, gazetari ka zgjedhur të luajë me ndjenjat mbi bazën e përkatësisë etnike të mjekut dhe banorëve që ai u ka shërbyer. Titulli potencon që “Mjeku maqedonas i lë në baltë banorët e Bukoviçit të Shkupit dhe emigron në Gjermani”. Ky nuk është një problem karakteristik kryekëput vetëm për një grup etnik dhe theksi te përkatësia etnike e mjekut është tendencioz. Mjeku nuk “i ka lënë në baltë” banorët e Bukoviçit pse ai është maqedonas dhe ata shqiptarë.
Gazetari në titull duhet të kishte vendosur theksin në arsyet reale që detyrojnë dhjetëra ose qindra mjekë nga vendi të kërkojnë një vend pune jashtë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.
Kodi etik i gazetarëve thekson që “Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”
Teknikat e manipulimit
Autori (më mirë thënë, i titullit), për të goditur tek lexuesi, ka shfrytëzuar metodën e animit të vëmendjes. Ai ka treguar “prirje për t’i kushtuar më shumë vëmendje informacioneve që sjellin më shumë vlera emocionale ose njohëse, ndërsa të injorohen të tjerat”. Veç kësaj, janë neglizhuar të dhënat themelore duke treguar “prirje për të vlerësuar në bazë të të dhënave specifike, duke mos i marrë parasysh të dhënat fillestare për rastin e dhënë”. Këto teknika sqarohen në Doracakun e Crithink-ut.
Për lexuesit
Shembulli i emigrimit të mjekut që përmendet duhet të shërbejë si pikënisje për mediat për të ngritur vetëdijen e shoqërisë dhe për të shtyrë institucionet të ndërmarrin masa për problemin me emigrimin. Qëllimi nuk është të nxitet urrejtje ndëretnike për një çështje që nuk njeh etni. Teksti i cili përmban të dhëna të rëndësishme, interesante dhe kyçe për të gjetur thelbin e problemit, duhet të ishte shoqëruar me një titull të përshtatshëm, brenda standardeve profesionale të informimit.