Jo, Artan Grubi as nuk e ka tërhequr dhe as nuk ka mundur të tërheqë nga përdorimi librin “Gjeografia e Maqedonisë”

Me qëllim që të krijojë simpati për një politikan të caktuar dhe të shtojë popullaritetin e këtij të fundit, autori i lajmit të cilin e recensojmë ka dezinformuar lexuesit për procedurën e heqjes nga përdorimi të një libri. Lajm ky, i cili ngjall edhe ndjenjë te një nacionalitet i caktuar në RMV, marrë parasysh se libri ishte fyes për shqiptarët, autori i shkrimit duke qenë i vetëdijshëm për këtë fakt, atributet e pamerituara i ka adresuar tërësisht një personi, në rastin konkret zëvendëskryeministrit, Artan Grubi.

Linku deri te lajmi origjinal: Grubi tërheq librin e Gjeografisë nga përdorimi

Data e publikimit: 17.03.2021

Data e recensimit: 18.03.2021

Recensues: Ardit Ramadani

Aritkull që dezinformon me qëllim të caktuar

“Grubi tërheq librin e Gjeografisë nga përdorimi” është titulli i lajmit që e recensojmë.

Autori i këtij lajmi, me ose pa qëllim të gjithë atributin apo meritën për tërheqjen nga përdorimi të një libri fyes kundrejt shqiptarëve e ka adresuar te një politikan i vetëm. Në këtë formë, ky autor ka manipuluar me masën duke i dezinformuar ata.

Me këtë, autori i këtij lajmi përmes titullit i cili dezinformon duke u munduar të nxjerrë mirë një politikan të caktuar, ka shkelur mbi një ndër parimet e rëndësishme gazetareske, që është ai i distancës profesionale nga subjektet politike apo politikanët.

“Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”, thuhet në pikën e 14 të Kodit Etik.

Ndërkaq, prej të gjitha institucioneve (4) të cilat kanë përgjegjësi për ndryshimin apo heqjen nga përdorimi të librave shkollor, asnjë prej tyre nuk është institucioni i zëvendëskryeministrit apo ministris për Sistem Politik dhe Marrëdhenie ndërmjet bashkësive.

Sot që flasim, libri është tërhequr nga përdorimi pas vendimit të një komisioni përkatës i cili është themeluar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për tu marrë specifikisht me këtë problematikë. Mirëpo jo Artan Grubi, ashtu siç pohon autori i lajmit të cilin e recensojmë.

Përveç propagandës politike për një politikan të caktuar përmes titullit, këtij lajmi i mungojnë elementet bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet një lajm

Edhe pse bëhet fjalë për një temë shumë të rëndësishme, është e dukshme se për autorin e këtij lajmi e vetmja rëndësi ka qenë të propagandojë përmes titullit dhe për këtë arsye ai gjithë fokusin e lajmit e ka vendosur te një politikan i caktuar, kështu duke mos ju dhënë lexuesve informatat bazë.

Autori i këtij lajmi e thekson se bëhet fjalë për një libër kontestues, megjithatë, nuk është i qartë në atë që e pohon.

“Është tërhiqur nga përdorimi libri i kontestuar i Gjeografisë” shkruan në lajmin që e recensojmë.

Fjalia e lartpërmendur, është informacioni i vetëm i cili jepet për librin e caktuar, autori i këtij lajmi nuk përgjigjet në pesë pyetjet thelbësore gazetareske që duhet ti përmbaje secili lajm, edhe atë: Kush? Çka? Ku? Si? Pse?

Teknikat e manipulimit që ka përdorur ky autor

Autori i cili pohon se zëvendëskryeministri, Artan Grubi, “ka hequr nga përdorimi librin Gjeografia e Maqedonisë” ka përdorur teknikën e manipulimit i cili quhet “Analogji False”, edhe atë, ky i fundit ka tentuar të krijoje lidhje mes dy gjërave të palidhura, siç janë kompetencat e Grubit për tërheqjen e ndonjë libri nga funksioni.

Autori gjithashtu ka shfrytëzuar Prova Selektive, edhe atë për të “vërtetuar” se ky politikan “ka hequr një libër nga përdorimi” ka marrë vetëm postimin në Fejsbuk të këtij politikani, duke mos informuar lexuesit për procedurën në të cilën ka kaluar ky libër deri në heqjen e tij nga përdorimi.

Ky autor gjithashtu ka shfrytëzuar emocionet e lexuesve, marrë parasysh se kjo temë është e ndjeshme dhe në raste të tilla, lexuesit sytë i kanë tek mediat dhe thuajse çdo informatë për tema emotive e marrin si të mirëqenë.

Në fund, autori gjithashtu ka neglizhuar të gjitha të dhënat themelore për temën për të cilën ka vendosur të shkruaj. Andaj, lexuesit duhet ta kenë parasysh se bëhet fjalë për një gazetar joprofesional në momentin që do të vërejnë “tifon” e gazetarit për një politikan të caktuar që nga titulli i lajmit.