Jo ndërkombëtarët, por titulli ua çan kokën lexuesve

Screenshot nga lajmi qe recensohet
Screenshot nga lajmi qe recensohet

Teksti që e recensojmë, që në titull “ia çan” në dysh kokën opinionit. Prerazi autori që nga titulli tenton ta kahëzojë opinionin dhe të merr anë, duke mos i lënë hapësirë lexuesit që prej përmbajtjes të vendosë kuptojë për çfarë flitet në produktin gazetaresk, konkretisht për informacionin. “Faktori ndërkombëtarë porosi deputetëve, zgjidhni problemin në kuvend mos na çani kokën me zgjedhje”, është titulli i tekstit në fjalë që që në fillim pretendon ta bind opinionin se zgjidhja e problemeve politike në vend më tepër i tangon të huajt se sa vet opinionin publik në Maqedoni.

Link deri te artikulli origjinal: Faktori ndërkombëtarë porosi deputetëve, zgjidhni problemin në kuvend mos na çani kokën me zgjedhje

Data dhe koha e publikimit: 06.10.2018

Data e recensionit: 12.10.2018

Recensues: Xhenis Sulimani

Kur hasni tituj senzacional, kërkoni faktet që e vërtetojnë atë që thuhet në titull

Në tekst janë renditur deklarata nga figura kyçe të politikbërjes europiane, si: Johanes Han- eurokomisari për politikë të fqinjësisë dhe zgjerim; deputeti i Bundestagut gjerman Torsten Fraj, si dhe ambasadori i Gjermanisë në Shkup- Tomas Gerberih. Që të gjithë në deklaratat e tyre publike kanë kërkuar përfshirje të opozitës në Kuvend për të gjetur zgjidhjen e duhur që vendi të vendoset në binaret që do ta shpiejnë drejt strukturave euroatlantike.
Por, që në asnjë moment nuk kanë potencuar se faktori ndërkombëtar është i lodhur nga ngërçet politike në Maqedoni.

– “Zgjedhjet e reja do të jenë stërzgjatje e rrugës drejt fillimit të negociatave për qasjen e IRJM-së në BE, e planifikuar në verë vitin e ardhshëm”, ka thënë Han.

–  Ka ardhur koha kur opozita dhe Qeveria duhet të mundohen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, porositi sot në Shkup deputeti i Bundestagut gjerman Torsten Fraj.

– Ambasadori Gerberih shpreh keqardhje që dalja në referendum ka qenë vetëm 36 për qind por, siç theksoi, prononcimi për referendumin ka qenë konsultativ dhe jo i obligueshëm dhe prandaj procesi duhet të vazhdojë në institucione.

Lexuesi duhet të fokusohet në rrjedhshmërinë e informacionit të dhënë 

Nga këto qasje, lexuesit duhet të mësojnë se përveç titullit duhet të zhyten edhe te përmbajtja e tekstit dhe mendimin e tyre pastaj ta nxjerrin nga koka e vet, për të mos rënë pre e sëpatës së mediave apo të autorëve. Nuk mund të krijojmë as media të mirëfillta e as mendje kritike nëse jemi viktima të “sëpatave mediatike”.

Për shembull, nga titulli sikur fitojmë përshtypjen se problemi politik duhet të zgjidhet sa më shpejt për t’i kursyer ndërkombëtarët nga kokëdhembja. Ndërkaq, në përmbajtje shohim krejtësisht diçka tjetër, diçka më substanciale, vërtetojmë se barra bie mbi ata që duhet ta bartin përgjegjësinë- kuvendi. Kështu, duke transmetuar të vërtetën në mënyrë objektive kultivojmë mendim kritik të mirëfillt, ku opinioni përgjegjësinë duhet ta kërkojë te institucionet dhe jo te hallet e ndërkombëtarëve.

Thirrja në autoritete, si mënyrë më e lehtë për ta manipuluar lexuesin

Besimin e madh te autoritetet ndërkombëtare, që kanë populli në Republikën e Maqedonisë, autori e përdor si mekanizëm për të vërtetuar atë që nëpërmes deklaratave dhe burimeve në tekst nuk ka mundur ta dëshmojë. Kur nuk ka argumente ose kohë për të numëruar se për çka është e domosdoshme zgjidhja e problemit në Kuvend, autorit të tekstit më lehtë i vie ta shkruaj se ndërkombëtarët bëjnë thirrje për zgjidhje të problemit për të mos ua çarë kokën atyre.

Autori duhet lexuesin ta bind me shumë burime, të mirëargumentuara. Besimi te autoritetet nuk duhet të keqpërdoret për të manipuluar lexuesin.

Plagjiatura nuk ka lidhje me gazetarinë

Ndryshe, teksti që e recensojmë është marrë nga gazeta e përditshme “Koha”, pa u cituar. Do të thotë se teksti është plagjiat. Sipas Kodit etik të gazetarisë, plagjiatura është e papranueshme.

  • Mosrespektimi i të drejtave të autorit vlerësohet si shkelje e rëndë e rregullave të etikës.

Titulli në tekstin origjinal mund të ju shërbejë si shembull konkret se si duhet të duket një titull korrekt, pa ua ça kokën, por duke ju shërbyer si informacion, se çka në të vërtetë përmban përmbajtja e produktit.

Si lexues mos nxjerrni përfundime në kokë pa e lexuar informacionin e plotë. Mediat sot nuk zgjedhin metoda për të tërhequr një lexues më shumë. Në moment që vëreni se produkti gazetaresk nuk tregon autorësi, duhet të gjykoni se është plagjiat dhe se ka të bëjë me “copy paste” lajm. Gazetaria nuk duhet të ua çajë kokën lexuesve, por duhet t’i informojë saktë dhe në menyrë objektive, me tekste origjinale duke “prodhuar” informacionin dhe jo duke e marrë si të gatshëm.