Komentet nuk kanë vend në lajme!

Në mungesë të fakteve për ndonjë lajm ose raportim, gazetarët shpesh e hynjë ujërave që nuk duhet, në komentim. Megjithatë, edhe në raste të tilla kur gazetari ka dëshirë të përcaktohet për këtë formë gazetareske, ai duhet të mbajë distancë të caktuar emotive nga ngjarjet, dhe qëndrimet e tij duhet t’i bazojë në argumente. Por ama, ka raste kur një gazetar shkruan një tekst, gjoja informativ, përmbajtja e të cilit nuk është as lajm, as citim i shkrimit ose deklaratës së dikujt tjetër, por është vetëm koment i pastër i gazetarit. Një tekst i tillë ngjan me një publikim Fejsbuku, por vendosja e tij në rubrikën e lajmeve të vendit, krijon konfuzion tek lexuesi.

Linku deri te artikulli: Agallaret e shtetit Zaev -Mickovski po merren vesh, shqiptarët po heshtin

Data e publikimit: 11.03.2019

Data e recensionit: 18.03.2019

Recensuese: Ajnur Bafqari

Teksti i publikuar si informatë, e që ne kemi vendosur ta recenzojmë, të vetmin fakt që e përmban në vete, është takimi mes dy liderëve, që realisht ka ndodhur, dhe  përveç një fotografie nga takimi që i është bashkangjitur tekstit, asgjë tjetër nuk përbën lajm, por është vetëm një koment me të cilin gazetari ka dashur ta shfrytëzojë një temë aktuale, për të tërhequr vëmendjen e lexuesit. Teksti në fjalë përveç tjerash, ka edhe plot gabime drejtëshkrimore.

“S’ka gje me kontradiktore se sa kjo dhe aq me teper kur nuk e di kush pas kuintave se per cfare jane marre vesht. Partite shqiptare ne menyre poshteruese shikojne nga distanca si merren vesht agallaret e shtetit Zaev -Mickovski. Ky nencmim eshte per keqardhje” shkruan në tekst.

Koncepti i manipulimit “Prirje për të vërtetuar pikëpamje personale”
Gazetari në këtë tekst është thirrur në pikëpamjen e tij personale, ku ka gjurmuar pas informacioneve që i konfirmojnë mendimet ekzistuese. Me çdo kusht kërkon të shkruajë atë që ai mendon dhe jo atë që ndodh vërtetë.

Një titull senzacionalist, mund të jetë kurth!
Një titull senzacionalist, gjegjësisht intrigues, si ky në shembullin konkret, sigurisht që do të tërheqte vëmendjen tuaj për të parë se çfarë është përmbajtja e tekstit, megjithatë ju vetëm po humbni kohën tuaj dhe as ndërmjet rreshtave nuk do të mund të kapnit një diçka që quhet “informatë”. Titulli në këtë rast është joadekuat dhe ka për qëllim dezinformimin e lexuesit. Në tekstin në fjalë përmenden edhe partitë e një bashkësie etnike që dihet se nuk kanë qenë as pjesë e takimit, megjithatë gazetari ka guxuar që në tekstin e tij të shkruaj se ata “në mënyrë poshtëruese shikojnë nga distanca si merren vesh agallarët e shtetit Zaev-Mickoski”

Gjejeni dallimin mes informatës dhe komentit
Ekzistojnë artikuj që përmbajnë elemente të komentimit e që futen si pjesë integrale të fakteve, megjithatë teksti në fjalë nuk përmban aspak informacion, është thjesht një opinion që është paraqitur në formë të lajmit dhe asgjë më shumë. Prandaj, lexues, nëse hasni në një tekst të tillë, duhet pasur parasysh faktin se ju vetëm po lexoni një mendim të cilin do të mund ta shihni edhe vet nëpër rrjete sociale dhe aspak nuk keni të bëni me ndonjë lajm. Bëjeni dallimin mes informatës dhe komentit, nëse në tekst nuk ka argumente, as burime të informacionit, as deklarata, e as informatë, mos e humbni kohën tuaj.