Kur “zjarri” i manipulimit gazetaresk është më i madh se “zjarri” për të cilin informohet në lajm

Pa u përgjigjur në pesë pyetjet thelbësore të cilat duhet ti ketë çdo lajm, mundësisht në paragrafin e parë të tij dhe duke vendosur si foto kryesore një ilustrim të zjarrit i cili ngjall panik dhe lë përshtypjen se bëhet fjalë për diçka jashtëzakonisht serioze, autori i “Pa Censurë” nuk ka informuar qytetarët por vetëm ka ngjallur panik deri te ata, gjë që gazetarët duhet të mos e bëjnë, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje serioze siç është rasti në fjalë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Shpërthen zjarri në një banesë në Tetovë

Data e publikimit: 15.03.2021

Data e recensimit: 19.03.2021

Recensues: Ardit Ramadani

“Ilustrimet” me foto për raste tragjike duhet të jenë të zhveshura nga sensacionalizmi

lajmin të cilin e recensojmë, në mungesë të informacioneve dhe fotografive të dorës së parë për shkak se ky i fundit nuk ka dalë në teren, siç duhet vepruar, sidomos në raste të tilla serioze, autori i lajmit ka përdorur një foto-ilustrim nga “Google” i cili është i ekzagjeruar.

“Shpërthen zjarri në një banesë në Tetovë” është titulli i lajmit që e recensojmë.

Ky titull, është shoqëruar me një fotografi e cila është e mbuluar me zjarr dhe të jep përshtypjen sikur bëhet fjalë për ndonjë rast tejet tragjik dhe serioz, gjë që lexuesit i intrigon dhe ju shton kureshtjen për të klikuar në “lajm”.

“Fotografia intriguese” mund të nxisë që familjarët dhe personat e afërt të personave, shtëpia e të cilëve është djegur, të ndjehen ende më keq dhe të ngjallet panikë më e madhe në opinion. Këtë e ka shpjeguar edhe Kodi Etik i Gazetarëve.

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi.” Shkruan në Kodin Etik.

Në brendësi nuk jepet asnjë informacion

Përveç faktit se ka shpërthyer zjarr në një banesë në Tetovë, autori i këtij shkrimi nuk ka dhënë asnjë informacion më shumë për lexuesit e tyre. Autori patjetër të presë deri në zbulimin e ndonjë informacioni tjetër për rastin konkret, meqenëse bëhet fjalë për diçka serioze.

Ky autor nuk i ka dhënë lexuesve përgjigje thuajse në asnjërën prej pesë pyetjeve kryesore gazetareske, përgjigje këto, të cilat mundësisht duhet të jenë që në paragrafin e parë të lajmit, edhe atë: Kush? Çka? Ku? Si? Pse? Renditja vazhdimisht ndërrohet. Gazetari vetë e përcakton cilat nga këto elemente do të jetë në fjalinë e parë, me të cilën do të fillojë lajmi.

Informimi i saktë është më i rëndësishëm se informimi i shpejtë

Në momentin që të vetmit informacion të cilin gazetari e posedon është se ka shpërthyer një zjarr në një banesë në Tetovë, nuk duhet të shpejtohet të bëhet lajm për shkak se bëhet fjalë për informacion jo të plotë, i cili nuk do i informont qytetarët por përkundrazi, krijon huti dhe panik deri te ata.

“Kur raportojnë për ngjarje që kanë shkaktuar tragjedi personale, dhimbje dhe shok – gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanet duhet të tregojnë dhimbshuri, diskrecion dhe maturi.” Shkruan në Kodin Etik.

Ndërkaq, informojmë se në rastin konkret përkundër panikut mediatik, nuk ka pasur viktima ndërsa dëmet kanë qenë vetëm materiale, kjo për shkak se zjarrfikësit kanë reaguar në mënyrë të shpejtë dhe kanë arritur të lokalizojnë zjarrin. Për këtë, mediat duhet të jenë dy herë më të kujdesshme me fotografinë që e japin për një lajm, informacionet e të cilit nuk i ka as vetë gazetari edhe pse tenton të jetë i pari në “informim”.