Lajmi të cilin e recensojmë është shembull konkret se si një gazetar para se të marrë ndonjë shkrim “copy-paste” nga një media tjetër, duhet të sigurohet se ai shkrim është profesional, nuk përmban gjuhë të urrejtjes dhe është në përputhje me Kodin Etik të gazetarëve të RMV-së. Gazetari nuk është dhe nuk mund të jetë matës i asaj se cili lider partiak është më patriot se tjetri, siç është bë në shkrimin konkret, i cili më pas pa asnjë përgjegjësi është shpërndarë nga një numër i madh i mediave të papërgjegjshme për sensacionalizëm.
Linku deri te artikulli origjinal: Gashi Maqedonas më i madh se Zaev
Data e publikimit: 10.03.2021
Data e recensimit: 19.03.2021
Recensues: Ardit Ramadani
Titulli shovinist, tenton të bëje matjen e patriotizmit të liderëve partiak
“Gashi Maqedonas më i madh se Zaev” është titulli i shkrimit të cilin e recensojmë.
Para së gjithash, askund në botë gazetarëve nuk ju është dhënë e drejta apo kompetenca për të qenë “polic” të patriotizmit apo nivelit se sa maqedonas apo shqiptar është një person tjetër, kjo nuk është punë e gazetarit.
Në rastin konkret, gazetari ka pasur dy qëllime dhe asnjëra prej tyre nuk është ajo thelbësorja apo detyra e vetme e një gazetari – informimi. Kështu, ky autor ka tentuar që përmes “maqedonizimit” të një lideri shqiptar, të ulë vlerat patriotike të një lideri maqedonas, në rastin konkret, kryeministrit Zoran Zaev.
“Afrim Gashi, udhëheqësi i Alternativës, në analizën e tij për BGNES thotë se Bullgaria bëri një gabim që bllokoi Maqedoninë në integrimin evropian. Lideri i opozitës beson se qasja e Bullgarisë është plotësisht e gabuar për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe se ajo duhet të kishte lejuar që problemet të zgjidheshin në pesë ose gjashtë vitet e ardhshme gjatë integrimit të Maqedonisë në BE” shkruan në “lajmin” që e recensojmë.
Rikujtojmë se deklaratë të ngjashme dhe tërësisht në pajtueshmëri me këtë që e ka thënë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, ka deklaruar edhe kryeministri Zaev, edhe pse autori i këtij “lajmi” ka tentuar ta pohojë të kundërtën duke mos e vendosur anën e Zaev.
“Kryeministri Zaev: Vetoja e Bullgarisë është gabim i papërgjegjshëm, mbetemi të përkushtuar për një zgjidhje e cila është e mundur duke mos e kontestuar identitetin maqedonas” kishte deklaruar Zaev më datë 9 dhjetor.
Gazetari nuk është vizore matëse e etnisë së politikanëve
“Roli i gazetarëve është të transmetojnë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë” shkruan në Kodin Etik të gazetarëve.
Autori i “Gjurmë.info” nuk e ka kryer detyrën bazë që e ka një gazetar e cila është informimi, ai ka marrë një deklaratë të kryetarit të partisë “Alternativa” dhe e ka shtrembëruar përmes një titulli sensacionalist dhe qëllim keq.
Para së gjithash, përmes titullit sensacionalist gazetari ka shprehur mendimin e vet rreth deklaratës së kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi ndërsa nuk e ka cituar atë ashtu siç është shprehur ky i fundit, kjo vepër është e paraparë si shkelje e Kodit Etik të gazetarëve.
“Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit” thotë pika 13 e Kodit Etik.
Përveç kësaj, autori i këtij shkrimi ka përdorur metodën e manipulimit e cila është e shpjeguar në doracakun e Crithinkut si “Thirrje në emocione”, në momentin që lexuesve ju përmendet kombi, ata bëhen më të ndjeshëm, sidomos kur bëhet fjalë për persona të politikës. Duke qenë i vetëdijshëm për këtë fakt, autori i këtij shkrimi të gjithë fokusin e titullit e ka vendosur pikërisht aty, edhe pse në brendësi të lajmit bëhet fjalë për krejt diçka tjetër.
Autori gjithashtu ka krijuar një Analogji False, duke tentuar përmes titullit të bëje një lidhshmëri me dy liderëve partiak për një temë e cila fare nuk ka të bëje me thelbin e lajmit, vetëm e vetëm për të krijuar sensacionalizëm dhe për të arritur qëllimin e tij si autor.
Edhe pse në titull autori i këtij lajmit bën krahasim, në brendësi të lajmit ai përdor metodën e manipulimit e cila quhet “Prova Selektive”, ky i fundit, në lajm nuk ka vendosur anën e Zaev, pikërisht për temën për të cilën e akuzon atë si “më pak maqedonas”, por ka vendosur vetëm deklaratën e kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi. Kjo është shembull i raportimit në mënyrë jo-objektive.
Për në fund, lexues, ky “autor” nga titulli ju bën të qartë lexuesve se është joprofesional për shkak të “matjes” së etnisë së dy liderëve partiak dhe krahasimit të këtyre të fundit. Andaj, mos klikoni kur do të hasni në shkrime të tilla, injoroni sepse qëllimi i këtyre autorëve nuk është informimi i juaj, por manipulimi gazetaresk.