Puna e gazetarit është të vërtetojë dyshimet që qarkullojnë në opinion dhe që janë me interes publik. Të paktën të tentojë. Rruga deri tek e vërteta nuk është e lehtë. Kërkon punë dhe respektim parimesh profesionale. Në këtë analizë dëshmohet se autori ka dështuar ta bëjë këtë.
Linku deri te artikulli origjinal: Taravari provokon BESËN, filtron me Alternativën e Gashit, vjen era përçarje mes Selës dhe Kasamit?
Data dhe koha e publikimit: 23.05.2019, 10:26
Data e recensionit: 12.06.2019
Recensues: Fatlume Dervishi
Gjuhë jo e përshtatshme në lajm
Autori informon se, i ftuar në një emision televiziv, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari “ka precizuar se ASH ka krijuar afërsi me Alternativën e Afrim Gashit dhe nuk e fsheh se mund të garojnë bashkë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
Pjesa kontestuese fillon më poshtë tekstit kur autori nuk arrin t’u përgjigjet si duhet pikëpyetjeve të ngritura që në titull por edhe në vetë brendinë e tij.
“Siç mëson portali Tetovasot nga burime brenda Lëvizjes BESA, mësohet se jane duke shqyrtuar mirë deklaratat e eksponentëve të ASh-së dhe kjo mund të sjelle edhe në ndërprerjen e komunikimit në mes dy subjekteve opozitare.” thuhet në lajmin që e recensojmë.
Në elaborimin e kësaj, kur përmendet Taravari në raport me Alternativën, përdoret komenti “flirton”, term i cili përdoret edhe në titull, kjo vetëm për ta bërë një dozë më tërheqës tekstin dhe jo sepse është fjala e duhur për të përshkruar objektivisht situatën.
Burimet zyrtare duhet të plotësojnë burimet anonime
Teksti vazhdon me burime anonime dhe informacione nga disa ditë më herët të cilat janë të njohura për opinionin. Burimet anonime janë bazë e mirë për të hapur dilema por ata duhet të plotësohen me informacione të cilat sigurohen në rrugë zyrtare. Në raste të këtilla duhet të ishin kontaktuar partitë politike që përmenden, duhet të ishte pyetur për marrëdhënien që kanë ata në mes dhe duhet të ishte mësuar nga Aleanca për Shqiptarët nëse qëndrimet e Taravarit janë qëndrime të partisë.
“Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.”
Teknikat e shfrytëzuara
Në lajm ka argumente rrethanore. Vetëm sepse nuk ka mohuar bashkëpunimin e mundshëm me Alternativën, autori ka konstatuar se Taravari “flirton” me të për të prishur urat lidhëse me Besën. Këtë e mbështet me burime anonime. Fakti që nuk ka shfrytëzuar më shumë të dhëna dhe nuk ka tentuar të mësojë më shumë rreth pretendimeve që ka publikuar dëshmon se teksti është ndërtuar me dëshmi selektive.
Lexuesit, të njohin lajmin profesional
Të kontakohen palët e përfshira për një lajm është detyra e parë e gazetarit. Informacionet e kanë diku burimin por duhet të konfirmohet vërtetësia e tyre. Në këtë rast, pa më shumë sqarime nga Taravari, pa qëndrimin zyrtar të Aleancës për Shqiptarët për një “flirt” (siç shkruan autori) të Taravarit dhe pa vlerësimin publik të Lëvizjes Besa mbi këto pretendime, lajmi nuk është i besueshëm.