Lajmi më i mirë është lajmi i konfirmuar!

Good news red stamp

Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht

Ka të paktën tri luftëra të zhvilluara në Irak. Lufta tradicionale, lufta joformale dhe lufta e informacionit. [1]

James Robbins, BBC, 24 mars 2003

 

Forcat e shtuara të shërbimit policor, në mbrëmjen e 25 marsit, iniciuan një lloj frike tek banorët e rrethinës së Kumanovës. Të paktën kështu raportuan mediat. Në mungesë të mundësisë fizike që të gjithë qytetarët të marrin pjesë në ngjarje të ndryshme, apriori, në një farë mënyre, janë të varur nga informacionet që ofrojnë mediat. Ka shumë teori mbi informacionin, mbi paketimin e tij, mbi këndet dhe pikëpamjet, mbi stilin e raportimit, mbi cilësinë, mbi shpejtësinë e informacionit e kështu me radhë. Të gjitha këto mund të diskutohen më vete, por një është me rëndësi kruciale që informacioni të mos përmbajë nuanca propagande. Aq më tepër kur gazetari apo mediumi konsideron se bëhet fjalë për ndonjë situatë të ndjeshme për publikun. Ata që ushtrojnë detyrën e reporterit e dinë se sa e vështirë është për të purifikuar informacionin me qëllim që të mos krijojnë huti në publik. Fundja, kjo nuk nënkupton ndonjë sakrificë speciale që bart gazetari, është thjeshtë detyrë e tij që duhet ta bëjë.

Për forcat e mëdha policore që patrulluan me automjete të rënda dhe helikopterë në disa vende në Komunën e Likovës dhe në Haraçinë, gjëja e parë që mund t’u ketë shkuar ndërmend qyetarëve, mund të ishte skenari “Kumanova 2”.  Edhepse më pas, sipas burimeve, flitej për frenimin e një akti pengmarrjeje mes grupeve të emigrantëve, që u konfirmua edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, nuk mungoi paniku dhe frika në mesin e qytetarëve. Në nxitjen e kësaj frike, pa dyshim se morën pjesë aktive edhe portalet e vendit.

Gjithnjë e më shumë, investimet e biznesit dhe rregulloret e qeverive në zhvillimin e teknologjive të reja dhe komunikimit digjital janë duke u bërë pjesë e një konteksti më të gjerë global, dhe jo vetëm. Mbrojtësit e përdorimit të këtyre teknologjive për informacion pohojnë se qasja e shfrenuar në informata do të çojë në demokratizimin më të madh të shoqërive dhe mundësi për rritjen ekonomike që përputhen me ato të botës së zhvilluar.[2] Konkursi i pashmangshëm i shoqërisë moderne është për sytë, veshët, shijet, dhe simpatitë e publikut të madh amorf.[3]

Vërehet se me përdorimin masiv të mediave online, kryesisht të disa portaleve pa ndonjë eksperiencë në ushtrimin e profesionit të gazetarisë, është rritur edhe numri i informacioneve të pakonfirmuara, por që arrijnë shikueshmëri të madhe. Nëse bëhet një krahasim në mes mediave tradicionale dhe portaleve, vërehet një dallim, mbi të gjitha në përgjegjshmërinë e secilit prej tyre. Sa më shumë të investohet në një medium, aq më e lartë është konsiderata e këtij të fundit ndaj publikut. Nuk ia vlen barra qiranë të prishësh kontratën që ke lidhur me publikun vetëm për disa klikime më shumë që do të arrish me një lajm të pakonfirmuar. Askush nuk do ta dëshironte këtë, e megjithatë po na ndodh. Përveç kritikës publike por edhe moskënaqësisë personale që gazetarët do të përjetojnë kur bëhet fjalë për artikulimin e një storjeje të gabuar, një nga ndjenjat më të pakëndshme është ajo kur në fund do të marrin një “raketë” (ankesë) nga redaktori, se përse kanë qenë të mposhtur nga konkurrenca.[4] Ndërsa, portalet, në të shumtën e rasteve, nuk përbëhen nga hierarkia e zakonshme e ndarjes së detyrave. Aty zaskonisht nuk e ke redaktorin që të ‘rrin mbi kokë’ për çfarëdolloj lëshimi apo gabimi që ke bërë si gazetar. Është në përgjegjësinë tënde se çfarë do bësh me atë copë informacioni që ke.

 

Çfarë të bëhet që lajmi të mos ndryshojë natyrën e tij gjatë rrugëtimit drejt publikut ?

Në të vërtetë, bashkëndërtimi i diskursit është esenca e raportimit të lajmeve, ashtu siç “lajm” është ajo që një burim me autoritet ia thotë një gazetari, ndërsa diskursi i përfaqësuar siguron një garanci besueshmërie dhe legjitimiteti. Sa i përket përfaqësimit të zërave “të tjerë”, thelbësore për raportimin e lajmeve është që të interpretohet realiteti brenda diskursit.

Ka shumë teori të së vërtetës dhe objektivitetit. Filozofët kanë ofruar teori të së vërtetës në kuptimin e “realitetit” (ose korrespondencën me faktin), koherencën e ideve, besimit të justifikuar apo parashikimit të suksesshëm. Por jo të gjitha teoritë kanë luajtur rol dominues në historinë e etikës së gazetarisë. Praktika e gazetarisë ka tentuar të mbështetet në një version të thjeshtë të nocionit të së vërtetës, i cili thekson respektimin e saktë të ngjarjeve të jashtme. Sipas këtij prizmi, një deklaratë është e vërtetë në qoftë se ajo në mënyrë të saktë e përshkruan një objekt, fakt apo gjendjen e një pune në botën reale. Besimet e vërteta korrespondojnë me botën, ashtu si ajo është në të vërtetë.

Parimi i objektivitetit vazhdon të jetë në lojë. “Objektivitetit tradicional” – do të thotë, nocionit origjinal të objektivitetit të lajmeve.  Ky primat si i tillë për herë të parë është përqafuar nga gazetarët e shtypit në SHBA në fillim të viteve 1900, e pastaj u vazhdua edhe nga kolegët e tyre kanadezë. Objektiviteti nuk ishte shumë i popullarizuar në gazetarinë evropiane. Në zemër të objektivitetit tradicional është ideja që gazetarët duhet të ofrojnë informacion të drejtë, të paanshëm, pa paragjykime apo mendim. Ideja është të bëhet një lloj përmbledhje  e imperativit “t’u qëndrojmë besnik fakteve”, gjithmonë duke u shmangur nga anshmëria.[5] Nëse kjo arrihet, mbaron hutia dhe paniku që mund të shpërndahen në publik, ndonjëherë edhe pa dashje.

 

Referenca:

[1] Louann Haarman Linda Lombardo: Evaluation and Stance in War News, boton: Continuum International Publishing Group, New York, 2009.

[2] Amos Owen Thomas: Imagi-nations and borderless television: media, culture and politics across Asia, boton: Sage Publications, 2005, New Delhi.

[3] Stephen Coleman and Karen Ross: The Media and the Public “Them” and “Us” in Media Discourse, boton: A John Wiley & Sons, Ltd., Publication, Britani e Madhe, 2010.

[4] Anthony Collings: Capturing the news : three decades of reporting crisis and conflict, boton: University of Missouri Press Columbia and London, 2010

[5] Lee Wilkins and Clifford G. Christians: The handbook of mass media ethics, boton: Routledge, New York, 2009.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik.