Informata duhet gjithmonë të publikohet në kohë, megjithatë kjo nuk nënkupton se për të qenë në kohë duhet të publikohet gjithçka që vjen në postën elektronike të redaksisë, duke mos e përpunuar dhe verifikuar të njëjtën. Fillimisht duhet të lexohet përmbajtja, pastaj të vlerësohet nëse ja vlen të bëhet lajm, pastaj përpunohet teksti dhe vetëm kur të marrë formën e informatës së plotë dhe të saktë t’i ofrohet lexuesit. Sipas Kodit të Gazetarëve, Lexuesi ka të drejtë për informata të sakta dhe të plota dhe gazetari gjithmonë duhet të rrijë në gjendje gatishmërie për t’ia mundësuar një gjë të tillë.
Kur autorit të tekstit “i përtohet” të përkthejë për lexuesin
Linku deri te artikulli: Veseli reagon ashpër në mbrojtje të ministrit Suhejl Fazliu
Data e publikimit: 24.05.2019
Data e recensionit: 27.05.19
Recensionuese: Ajnur Bafqari
Në tekstin që po recensojmë mungojnë të gjitha elementet e lartpërmendura. Në këtë tekst para se gjithash nuk kemi informatë të plotë, pasi autori i tekstit ka zgjedhur që një reagim të një partie politike që ka arritur në postën elektronike ta shfrytëzojë për të përmbushur atë hapësirën e lajmeve, me çka arrin vetëm zhgënjimin e lexuesit të vet. Autori me dy rreshta tekst vetëm ka paralajmëruar një reagim të një partie politike ndaj disa portaleve, por atë reagim as nuk e ka marrë mundimin edhe ta përkthejë në gjuhën shqipe, pavarësisht faktit që lexuesit i ka shqipfolës.
“Lideri i RDK-së, ka reaguar ndaj disa portaleve të cilat akuzuan ministrin Suhejl Fazliu për nepotizëm. Më poshtë mund të lexoni reagimin e tij të plotë në gjuhën maqedonase” – thuhet në tekst.
Kur një tekst më tepër të krijon paqartësi se sa të informon!
Pjesa tjetër e tekstit është i gjithi reagim i një statusi të rrejtit social Fejsbuk, për çka lexuesi nuk ka nevojë ta kërkojë në kategorinë e lajmeve, kur e ka larg vetëm një klik në Fejsbuk. Teksti në fjalë krijon konfuzion pasi në fillim të tekstit thuhet se është reagimi i liderit të një partie politike, por më vonë kah fundi i tekstit kuptojmë që në fakt paska qenë reagim i partisë. Pastaj autori e ka publikuar vetëm reagimin e partisë për disa “dezinformata” që media të caktuara elektronike kanë publikuar, por nuk i ka ofruar lexuesit asnjë rresht të teksteve të publikuara paraprakisht, ndaj të cilave është adresuar ky reagim.
Koncepti i manipulimit “Thirrje në autoritet”
Autori tekstit priret ta paraqesë diçka si të vërtetë, vetëm pasi është thënë nga një autoritet. Autori nuk ka verifikuar asnjë të thënë në këtë deklaratë. Përveç kësaj autori ka shfrytëzuar një temë aktuale dhe që tek opinioni paraqet interes të madh dhe në këtë mënyrë mbledh sa më shumë klikime për vete.
Shihni mirë se nga kush po zgjedhni të informoheni!
Të nderuar lexues, kur të rastisni në një tekst që ka vetëm 2 fjalë, kuptojeni se po lexoni tekstin e një autori që aspak nuk po mundohet të ju informojë, një autor që nuk mban llogari nëse lexuesi pasi të ketë përfunduar tekstin ka kuptuar diçka ose jo. Pastaj edhe nëse kuptoni gjuhën maqedonase, ju në fund të tekstit e kuptoni se deri më tani keni lexuar “një lajm Fejsbuku”, këtë mund ta bënit pa u munduar aspak. Nëse hasni në tekste të tilla që më tepër ju shtojnë pikëpyetjet se sa ua heqin, mos humbni kohë, ju po mashtroheni. Në vend që me klikimet tuaja t’i “pasuroni” ata që për asnjë sekondë nuk ju mendojnë juve, më mirë shihni mirë se nga kush po zgjedhni të informoheni.