Gjatë fushatës zgjedhore, në disa media, lexuesi has në manipulime të lloj-llojshme, të cilat kanë për qëllim t’i imponojnë qytetarit, të votojë një parti a koalicion të caktuar. Megjithatë, qytetari duhet të jetë i lirë të zgjedhë kë dëshiron të votojë, duke mos qenë i ndikuar nga propaganda dhe manipulimet mediatike. Në rastin, të cilin zgjodhëm ta recensojmë, media në fjalë, disa pjesë nga programi i koalicionit AAA-ASH, i konsideron tashmë të zbatuara e implementuara, kur në fakt janë akoma në fazën e prezantimit para opinionit!
Linku origjinal i artikullit: Merr fund monopoli i EVN-së! ASH-AAA e hap tregun e rrymës (DOKUMENT)
Data e publikimit: 24.06.2020
Data e recensimit: 28.06.2020
Recensuese: Naile Dauti
Titull jo i qartë, gënjen lexuesin
Titulli duhet të pasqyrojë lajmin në pika të shkurtra, të jetë i qartë dhe të mos e mashtrojë lexuesin. Por në këtë rast asnjërës nga rregullat e sipërpërmendura nuk i është përmbajtur.
“Merr fund monopoli i EVN-së! ASH-AAA e hap tregun e rrymës (DOKUMENT)”, është ky titulli me të cilin autori tërheq dhe mashtron qytetarin. Aspak etike! Madje i është bashkangjitur edhe “dokumenti”, i cili e “dëshmon” zgjidhjen e këtij problemi. Kur media pretendon se ka ndonjë dokument, që dëshmon miratimin apo kryerjen e ndonjë vepër penale, kjo gjë supozohet të merret si diçka serioze.
Programet e partive janë akoma në fazë prezantimi
Maqedonia e Veriut ndodhet në fazën e fushatës zgjedhore, kur partitë politike prezantojnë programet e tyre. Se a do të zbatohen këto programe do të shohim në periudhën që vjen. Por, t’i konsiderosh këto programe tashmë të zbatuara, ky është fundi i profesionalizmit.
“Pas shumë vitesh monopol në tregun e rrymës, që çoi në fatura astronomike mujore, duket se më në fund po ndërpritet monopoli i EVN-së. Koalicioni ASH-AAA në programin e tyre parashikon hapjen e plotë të tregut të rrymës të cilët do të garojnë me çmime të lira për të marrë sa më shumë konsumatorë. Konkurrenca në tregun e rrymës do ta ulte ndjeshëm çmimin e energjisë elektrike, ndërsa në fund do të fitonin qytetarët. Përveç kësaj, programi i ASH-AAA përfshinë shumë projekte për të ulur shpenzimet e jetesës dhe për të rritur të ardhurat e qytetarëve”, thuhet në artikullin që recensojmë.
Autori i artikullit, me vetëdije flet në kohën e tashme por duke iu referuar së ardhmes gjë që është sa jo profesionale në aspektin gjuhësor aq edhe në aspektin etik gazetaresk. Duhet t’i bëhet e qartë lexuesit se kemi të bëjmë me një platformë, e cila nuk është e zbatueshme derisa partia e cila e ka plasuar nuk ka fituar mandat për ta zbatuar.
“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”, thuhet në nenin 14 të Kodit Etik.
Autori jo pa qëllim ka vendosur të trajtojë këtë pjesë të programit, pasi bëhet fjalë për një çështje, për të cilën ka pasur shpesh herë revoltë nga qytetarët për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike. Në këtë rast autori bën Thirrjen e emocioneve të popullatës më të prekur nga ky problem, duke ua paraqitur një program që është në prezantim e sipër si çështje të kryer. Kjo nuk është aspak etike, aspak e moralshme. Në fund të fundit partitë politike mund të premtojnë zgjidhjen e të gjitha problemeve të mundshme, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se do t’i realizojnë!
Për lexuesit
Pa dyshim se gjatë kësaj periudhe dhe gjatë cdo periudhe zgjedhore do të përballeni me presion mediatik, por ju duhet të lejoni që dikush të bëjë vlerësimin e partive për ju. Ajo duhet t’ju mbetet juve në dorë, duke përdorur këtu arsyen e shëndoshë. Prandaj shmangni mediat jo profesioniste, jo vetëm gjatë fushatës, por përgjithmonë nga lista juaj e mediave që frekuentoni.