Njerëzit e mençur pranojnë mendime të arsyeshme

Çfarë të thuhet për titujt e këtillë? E çka për përmbajtjet? Foto: Screenshot-e nga uebi

A ekziston ndokund patriotmetër, ndonjë pajisje, e cila e mat koeficientin e patriotizmit te qytetarët? Nëse ka, ai i cili dëshiron ta kundërshtoj këtë mendim, duhet të paraqes rezultatet nga një matje e tillë. Aq sa kam unë njohuri, ekzistojnë teste të inteligjencës, por për patriotizmin…

Shkruan: Zoran Bojarovski

Komenti si shprehje e lirisë së fjalës është koncept përfundimtar, i cili e dëshmon këtë liri. Por, sa më shumë që përfitojmë nga kjo liri, po aq duhet të jemi të përgjegjshëm për fuqinë e fjalës dhe për ndikimin e saj.

Nëse e marrim lirinë në duart tona që të shkruajmë për tema, të cilat në veçanti të ndjeshme në periudha të caktuara, duhet gjithmonë ta parashtrojmë pyetjet: A thua mendimi im i shprehur në shkrim gazetaresk, si përmbajtje mediatike, e bënë thellimin e konflikteve, i  thekson dallimet, e forcon frikën, apo i stigmatizon ata që kanë mendim të kundërt…? Nëse përgjigja për këto pyetje është pohuese, atëherë diçka me komentin ton nuk shkon si duhet. Nëse nuk e kemi guximin që t’ia parashtrojmë vetes këto pyetje dhe nëse nuk na interesojnë përgjigjet, atëherë duhet ta dimë se nuk kemi dinjitet për të shkruar komente (kolumna), përkatësisht përmbajtje mediatike, që e afirmojnë mendimin personal.

Rekomandimet, tezat, tërë atë që mund ta përçojmë si dije kur bëhet fjalë për komentet, mendimet, qëndrimet personale, në formën e gjinisë gazetareske, do t’i analizojmë nëpërmjet sugjerimeve që na paralajmërojnë dy tekstet në vijim të këtij zhanri:   Ballkani dridhet – Маqedonia hyn në luftë?![1] dhe Kolumnë e Natalija Ivçevës: Armiq të gjakut, makutë të pafatë, tradhtarë të ngopur. Mjaft më, ky do të jetë fundi juaj![2]

“Luftë, gjak, mutantë, armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, të pangopurit, tradhtarë , toç, vasal, parazitë, gjenocid, të shitur, ne dhe ju…”  Ky është repertori i fjalëve të përdorura në kontekstin, i cili pasqyron vetëm një gjendje kataklizme, me të cilën gjoja  përballet kombi, që në fakt është thjeshtë një përshtypje e gabuar.

Ky repertor i fjalëve i shoqëruar me nevojën për të ndjellë frikë, në mënyrë shumë të lehtë është përdorur për të krijuar skenarë fantazmagorikë dhe të nxirren supozime/paralajmërime/qëndrime tronditëse, të cilat kanë qëllim të vetëm ta shqetësojnë publikun.

Në mënyrë që papërgjegjësia të ilustrohet deri në fund, njërin nga dy tekstet që i kemi marrë si studime rasti, për ta demistifikuar këtë mënyrë të shkrimit të mendimeve dhe komenteve dhe të udhëzojmë drejt praktikave më të mira për këto zhanre, është botuar në rubrikën “Zbavitje”.

 

MENDIMI PERSONAL NUK MUND TË DEVIJOJË PREJ STANDARDEVE TË PËRHERSHME TË GAZETARISË

Bile edhe kur “vishet” me mendimin personal, përmbajtja mediatik e nuk mund të devijojë nga standardet e përhershme të gazetarisë, kurse ato janë e vërteta dhe faktet.

Këtu, menjëherë mund të themi se mendimet dallojnë prej fakteve. (Më shumë lidhur me këtë temë, kemi shkruar njëherë në rubrikën”Leksione gazetarie”, me titull Nuk ka vetëm një të vërtetë, nuk ka vetëm një Maqedoni”[3]).

Mendimi paraqet përfundim deri te i cili ka ardhur dikush në bazë të, ose i nxitur nga faktet. Në masë të madhe mendimet krijohen edhe nga ajo që njerëzit mendojnë se është fakt dhe ndonjëherë nga faktet tërësisht të vërteta. Por, le ta verifikojmë këtë nëpërmjet  sqarimeve të autorit lidhur me njërin nga mendimet që i analizuam në këtë leksion. Autori, edhe pse anonim, thotë:

“Megjithatë, mund të ketë vetëm një të vërtet, kurse gjithçka tjetër janë spekulime dhe qëndrime të rrezikshme të individëve ose lëvizjeve, të cilët me qëllim e gënjejnë popullin për t’i realizuar qëllimet e tyre. Edhe pse gjendja është shumë serioze, pjesa më e madhe e strukturave të shtetit ende e shohin vetëm përfitimin e tyre, e ndjekin verbërisht agjendën e tyre, duke menduar vetëm për xhepin e tyre. Nga ky shkak unë nuk do ta shpreh mendimin tim për temën, aspak nuk do të përpiqem të qëndroj pas ndonjërës palë, por vetëm do të nxjerr në pah faktet”.

E bukur është kjo: “do të nxjerr në pah vetëm fakte”.  Vetëm se të gjitha leksionet e gazetarisë thonë se faktet duhet domosdoshmërish të dëshmohen dhe mos të jenë të dykuptimtë.

“ Në të shumtën e rasteve, faktet përkufizohen si informacione, të cilat përshkruajnë se diçka ka ndodhur. Ata mund të jenë drejtpërdrejtë të dëshmuara nga gazetari ose të pranuar si të tillë nga dikush që i njofton. Në të dy rastet, për këto dy lloje të fakteve supozohet se janë të vërtetë. Në çfarëdo rasti, para se të raportoj për to, secili gazetarë duhet patjetër duhet të dallojë se deklaratat lidhur me faktet vijnë nga burime relevante dhe të besueshme. Pikërisht kjo e përcakton mënyrën se si këto fakte do t’i prezantohen publikut media.” (”Nuk ka vetëm një të vërtetë, nuk ka vetëm një Maqedoni”[4])

Mendimet, në anën tjetër, në bazë të këtyre fakteve të dëshmuara, ata mund të jenë të ndryshëm. Por, faktet patjetër duhet të dëshmohen në mënyrë që mendimi të jetë i vlefshëm.

Këtu, do të bëjmë një digresion të shkurtër. Anonimiteti  në cilësinë e nënshkrimit poshtë shkrimit është i pakuptimtë. Kur bëhet fjalë për mendime, komente, qëndrime personale – nuk ka anonimitet. Kjo paraqet keqpërdorim të gjinisë gazetareske. Kaq ishte, mjaftë për këtë.

 

MENDIMET QË DALIN NGA GËNJESHTRAT PËRFUNDOJNË NË GËNJESHTRA ENDE MË TË MËDHA

Të vazhdojmë. Praktika njeh raste kur njerëz që krijojnë mendime bazuar edhe në gënjeshtra të dëshmuara. Ata, thjeshtë nuk besojnë në fakte, sado që të përpiqeni t’ua bëni të qartë ato. Nga kjo fillon krijimi i përmbajtjeve mediatike si mendime, të cilat meqenëse fillojnë nga gënjeshtrat përfundojnë si gënjeshtra të mëdha.

Por, kjo nuk është pasoja e vetme nga krijimi dhe publikimi i mendimeve personale të tilla. Pasoja më serioze është ngarkesa emocionale, manipulimi me ndjenjat fillestare (luftë, gjake, mutantë, armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, të pangopur, tradhtarë, toç, vasal, parazitë, gjenocid, të shitur, ne dhe ju…), dhe me frikën kolektive.

“Nuk do të biem në këtë grackë, të merremi me këtë mutantizmin tuaj, kurse Ju bëhuni ato që jeni, shëtisni dhe në mënyrë të paturpshme shpërndani hakmarrjen, zemërimin, por jo nën vellon dhe hipokrizinë se këtë e bëni për një Maqedoni më të mirë! Ju keni gjithçka në vete, por nuk keni ndjenja, nuk keni dashuri ndaj atdheut dhe popullit tuaj dhe nuk keni të drejtë të flisni për të mirën e Maqedonisë.” 

Këto janë vetëm një pjesë e vogël e emocioneve në këtë koment. Ajo nisur nga ngarkesa e saj është tepër kategorike. Është zakon që mendimet të kundërshtohen nga mendime të tjera. Kjo është tërësisht e pritshme për shkak të debatit, për shkak të dinamikës së mendimit në shoqëri. Mediumet, me këto forma, duhet ta sigurojnë këtë. Por, si të krijoni mendime rezistuese ndaj këtyre emocioneve. Si? A ekziston këtu ndonjë patriometër, ndonjë pajisje, e cila e mat koeficientin e patriotizmit te qytetarët? Nëse ka, ai i cili dëshiron ta kundërshtoj këtë mendim, duhet të paraqes rezultatet nga një matje e tillë.

Aq sa kam unë njohuri, ekzistojnë teste të inteligjencës, por për patriotizmin…. 

Në tekstin “Ballkani dridhet – Maqedonia hynë në luftë?!”, përveç që në mënyrë të papërgjegjshme është marrë një tekst nga një profil anonim të ndonjë rrjeti social, është përdorur edhe fotografia, sikur tanket i kemi pranë shtëpive tona.

Në kushte kur është e domosdoshme të jesh i mençur, i arsyeshëm, i kujdesshëm, i moderuar…, ky lloj i mendimit vetëm se i thellon hamendjet, frustrimet dhe frikën. Përveç kësaj, si të shpjegohet një mendim, i cili flet për ndarje dhe për tradhtarë dhe pikërisht kjo i thellon edhe më tepër këto ndarje dhe na fton për t’i goditur “tradhtarët”. Kjo është një çështje kundërthënëse.

Jo më pak e rëndësishme është edhe pozita e mediumit dhe të redaksisë kur duhet të vendosin nëse ndonjë mendim do të botohet ose jo. Në situata të tilla, duhet të merret parasysh interesi publik.

Sido që të jetë, nga mediumet pritet të kenë rregulla të qarta dhe profesionalisht adekuate lidhur me atë se si publikohen faktet dhe mendimet dhe në çfarë mënyre publikut do t’ia bëjnë me dije se çfarë paraqesin ato. Kjo, për shkak se nga pjesa më e madhe e publikut nuk mund të presim që të kuptojnë gjithçka nga mediumet dhe të dinë t’i dallojnë mendimet nga faktet.

 

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik.