Paragjykimet e gazetarit janë joetike dhe joprofesionale

Foto ilustrim

Mundësia për formimin e koalicionit tre-palësh mes Aleancës për Shiptarët, Lëvizjes Besa dhe Alternativës raportohet akoma nga mediat edhe pse njëra nga partitë disa herë e ka hedhur poshtë bashkëpunimin e mundshëm me tjetrën. Gazetari personalisht nuk mund ta paragjykojë atë si “mashtrim i dekadës”. Kjo është tërësisht joprofesionale.

Lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: A do të jetë MASHTRIMI I DEKADËS “bashkimi opozitarë” ASH-BESA dhe Alternativa e Qeverisë!?

Data e publikimit: 21.01.202

Data e recensionit: 26.01.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Titull tendencioz

Duke lexuar titullin, lexuesi shpreson se në tekst do të gjejë ndonjë zbulim i cili ka ardhur si rezultat i ndonjë hulumtimi gazetaresk për atë që ai e quan “mashtrim të dekadës”. Kjo nuk ndodh. Në tekst, gazetari personalisht, pa shfrytëzuar si burim ndonjë analist politik ose njohës të çështjes, e ka paragjykuar këtë koalicion si “mashtrim i radhës për të mbijetuar dikush politikisht”.

Tekst tendecioz

Autori përmend situatat dhe raportet nga ciklet e kaluara zgjedhore. Faktet historike janë shumë të rëndësishme për informimin gazetaresk. Është, po ashtu, në rregull që gazetari ka kujtuar kritikat që krerët e këtyre partive kanë adresuar tek njëri tjetri në të kaluarën. Edhe këto janë fakte. Por, nëse koalicioni i paralajmëruar është ose jo një përpjekje që dikush të mbijetojë politikisht, kësaj pyetje do të duhet t’i ishin përgjigjur edhe ato vetë, liderët ose partitë.

“Megjithatë, vlen të theksohet edhe fakti se sa do të mund të jetë i suksesshëm një koalicion i tillë.
Edhe se kishte një presion të madh nga opinioni gjërë të bëjnë koalicion parazgjedhor, një gjë e tillë nuk u arrit, koalicioni u bë vetëm kur rrezikuan të humbin tërësisht gjitha komunat, dhe një gjë e tillë siç duket u ndëshkua nga qytetarët.
Andaj, bazuar nga kjo praktikë, mënyra dhe qëllimi se si janë duke iu qasur partititë në fjalë mundësisë së një koalicioni rrezikon të ndëshkohet përsëri nga qytetarët, si një mashtrim i radhës për të mbijetuar dikush politikisht” – shkruan në tekstin që recensojmë.

Autori ka komentuar vetë në momentet kur do të duhej që këtë ta bënte dikush tjetër. Mendimet e gazetarit nuk mund të jenë lajm. Paragjykimet e tij bazuar që pikëpamjet personale nuk janë të rëndësishme për të krijuar pasqyrë të gjendjes reale.

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit – shkruan në Kodin etik të gazetarit.

Teknikat e manipulimit

Duke përmendur të kaluarën historike për të paragjykuar të ardhmen dhe më pas duke e shfrytëzuar atë parashikim si konstatim, gazetari manipulon duke u thirrur në traditën. Përveç kësaj, ai në këtë tekst tregon “prirje për të kujtuar, favorizuar dhe gjurmuar informacione që konfirmojnë pikëpamjet ekzistuese” ose prirje për të konfirmuar këndvështrimin e tij. Teknikat përshkruhen në Doracakun e Crithink-ut.

Për lexuesit

Mungesa e burimeve në lajme, në këtë rast, mungesa e qëndrimit të partive, të liderëve që përmenden dhe mungesa e një analize të mirëfilltë nga dikush që e njeh çështjen, janë elemente të mjaftueshme për të konstatuar se lajmi është i mangët, është paragjykues dhe tendencioz. Tekstet e këtilla në prag të cikleve zgjedhore janë shumë të zakonshme në mediat tona. Zakonisht bëhen me një prapavijë për të sulmuar dikë dhe për të ngritur dikë tjetër.