Publikimi i informatave në hetimet e fshehta

Për gazetarët, kufizimet gjenden në Kodin e gazetarëve, që të mos raportojnë në mënyrë senzacionaliste për procedurat gjyëqsore dhe ta respektojnë parimin e supozimit të pafajësisë. Çdo tentim për kufizim të raportimit për procedurat gjyqësore nga ana e organeve shtetërore, institucioneve apo individëve, është tentim për censurë, frikësim dhe frikë nga ndjekja, që është në kundërshtim me interesin publik dhe lirinë e informimit.

 

Shkruan: Sashe Dimovski

Nënkuptohet se hetimi është pjesë e procedurës gjyqësore që është e fshehtë. Pavarësisht nga ajo se deri tani atë e udhëhiqte gjykatësi hetues, apo sipas ligjit të ri për procedurë penale të dhjetorit të vitit 2013, prokurori publik.

Mirëpo, as sipas ligjit të vjetër, e as sipas ligjit të ri, nuk do të thotë se fshehtësia e hetimit është mur mbi të cilin nuk mund të depërtojë pak dritë, që do të thotë se duhet të ketë diçka publike në hetim ose në procedurën penale në përgjithësi.

Duke u nisur nga komunikata e Prokurorisë publike, e cila sujeronte të mos publikohen materiale nga hetimi të cilat do të mund të ishin lëndë e tij, e me këtë edhe të dënueshme me ligj, do të bëjmë përpjekje që shkurtimisht t’i parashtrojmë çështjet për të cilat, pa dyshim ekziston interesim i madh te publiku dhe çështjet, të cilat mund të trajtohen në aspekt mediatik, dhe në asnjë segment nuk e dëmtojnë fshehtësinë e hetimit.

СООПШТЕНИЕ JORMMe vendosjen e re të prokurorisë, tani prokurori publik e udhëheq hetimin, ndërsa ai, sipas të gjitha gjasave, në rastin konkret, të cilin policia e quajti “Puç”-i, ka qenë i përfshirë që në fillim, gjegjësisht diku rreth gjashtë muajt e fundit. Nëse prokurori publik (nga i cili pritet të njoftojë se a ka urdhëruar të ndërmerren masa të posaçme hetimore apo siç janë të njohura ndjekja, inçizimi, vëzhgimi) ka qenë i kyçur në këtë fazë, ai ka pasur mundësi dhe kohë që t’i mbledhë dëshmitë të cilat tani janë ose do të jenë lëndë e hetimit.

Prandaj, nuk ka asnjë frikë të arsyeshme se mediet me publikimin e tyre do ta dëmtonin hetimin. Sikur të ishte në fuqi ligji i vjetër, kur gjykatësi e zhvillonte hetimin dhe mblidhte dëshmi, mund edhe të kuptohet frika e prokurorit, mirëpo tani ka ndryshime të mëdha dhe ligjërisht prokurori është dashur t’i mbledhë dëshmitë dhe me to të kërkojë nga gjykatësi i procedurës paraprake vetëm të përcaktojë masë të paraburgimit, siç edhe u bë gjatë fundjavës.

GAZETARËT NUK JANË PALË NË HETIM QË T’I RUAJNË FSHEHTËSITË

Ligji është më se i qartë se gjatë përcaktimit të paraburgimit, gjykatësi duhet ta njoftojë të paditurin me dëshmitë, të cilat i ka kundër tij, dhe t’i japë të drejtë të deklarohet në lidhje me to para se të vendosë se a do të caktojë masë të paraburgimit sipas njërës nga tre bazat: rreziku për ta përsëritur veprën, ikja apo ndikimi mbi dëshmitarët.

Me propozimin për paraburgim, si masë e fundit, prokurori publik është dashur paraprakisht t’i përfundojë edhe veprimet e tjera, marrjen në pyetje të dëshmitarëve, t’i marrë transkriptat nga masat e posaçme hetimore (MPH), nëse ka të tilla, ekspertizat e nevojshme, dhe dëshmitë e tjera me shkrim.

Në qoftë se kjo nuk është bërë në periudhën para parashtrimit të kërkesës për paraburgim, e MPB-ja, dhe, në këtë rast, “i dëmtuari”, kryeministri, sipas denoncimit të të cilit inicohet procedura, dolën publikisht dhe treguan detaje nga takimi dhe nga denoncimi, ndalesa për publikimin e detajeve që është paraparë me nenet 289 dhe 299 të LPP-së, mund të vlejnë për ta, si palë në proces, e jo edhe për mediet.

“Neni 289 i LPP-së: Fshehtësia e procedurës parahetuese

Të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurën parahetuese nga ana e prokurorit publik ose policisë konsiderohen si fshehtësi.

 

Neni  299: Fshehtësia e procedurës parahetuese

(1)   Nëse këtë e kërkojnë interesat e procedurës penale, nevoja që të ruhet fshehtësia ose të mbrohet jeta personale ose familjare e të dëmtuarit ose të dyshuarit, prokurori publik do t’i urdhërojë personit të cilin e merr në pyetje, i cili merr pjesë në veprimin hetues ose i cili i shqyrton shkresat, që t’i ruajë si fshehtësi të dhënat e caktuara dhe do ta paralajmërojë për pasojat e shpalosjes së fshehtësisë.

(2)   Urdhëresa nga paragrafi (1) i këtij neni, në veçanti futet në procesverbal, respektivisht shënohet në shkresat që shqyrtohen, me nënshkrimin e personit i cili është paralajmëruar për obligimin e ruajtjes së fshehtësisë.”  

Ndalesë për shpalosjen e detajeve nga hetimi, që bazohet në këto nene, kemi pasur edhe deri tani dhe atë e kanë shqiptuar gjykatësit hetues në formë të vendimit, me të cilin i kanë obliguar palët, avokatët, të paditurit, ekspertët që të mos shpalosin detaje për rastin. Ndalesa të tilla ka pasur në rastet “Spiuni”, “Monstra”, “Likuidimi” dhe në raste të tjera të mëdha, në të cilat ka pasur më tepër të paditur.

Siç shihet qartë në ligjin e tekstit, gazetarët nuk janë as palë, e as që shqyrtojnë shkresa të lëndës, që të obligohen se do ta ruajnë fshehtësinë.

Ndalesa të cilës i referohet prokuroria mund të vlejë vetëm për detaje konkrete dhe dëshmi që janë mbledhur në hetim dhe që gjenden brenda lëndës, gjegjësisht që janë në dispozicion për palët. Shpeshherë, kjo ndalesë është shqiptuar edhe në shqyrtimin kryesor, ku nxirreshin masat e posaçme hetimore, kështu që përmbajtja e tyre mbetej fshehtësi deri në publikimin e aktgjykimit.

Mirëpo, nëse ndiqet qëndrimi i Prokurorisë Publike se për të paditurin e katërt në këtë rast, vepra ka mbetur si tentim (nuk është realizuar kërcënimi), hetimi nuk do të merret me përmbajtjen e materialeve që kanë qenë subjekt i shantazhit, për shkak se ato nuk janë përdorur, por do ta çmojë qëllimin.

PYETJET DHE INTERESI PUBLIK JANË QËLLIM LEGJITIM

Sipas kësaj, nëse bëjmë krahasim me veprat penale “rrezikimin i sigurisë”, “tentim për vrasje” ose vepra të ngjashme që nuk janë realizuar, gjykata e çmon seriozitetin e kërcënimit që i është bërë personit, ndërsa nuk është me rëndësi se me çka është bërë ai (nëse dikush i thotë “do të vras” a është serioz në kërcënimin e tij, e jo se a do ta bëjë këtë me duar, me thikë ose me ndonjë mjet tjetër).

Prandaj, pavarësisht nga rrjedha e hetimit që e zhvillon prokuroria, tashmë gjashtë muaj apo vetëm një javë, njësoj, gazetarët kanë interes legjitim që të kërkojnë përgjigje në shumë pyetje, e në mesin e tyre edhe për atë se:

  • kush inçizon, ndjek, përgjon ose në ndonjë mënyrë tjetër e dëmton privatësinë e qytetarëve, e cila është garantuar me ligjet vendore, Kushtetutën dhe me konventat ndërkombëtare,
  • nëse kryeministri thotë se materialet janë të sakta, (supozimi për bisedat e përgjuara, apo jo), qytetarët kanë të drejtë që në procedurë publike dhe transparente gjyqësore të konstatohet se kush, në çfarë përmasash dhe për çfarë qëlliimi i ka shkelur të drejtat e tyre dhe të kërkojnë kompensim nga shteti. Për këtë ka edhe praktikë pozitive gjyqësore nëpërmjet aktgjykimit të Gjykatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Strazbur, i cili gjykoi në favor të gazetarëve të përgjuar maqedonas në aferën “Veshi i madh” të vitit 2001.
  • gazetarët, e nëpërmjet tyre edhe publiku, kanë të drejtë legjitime të kërkojnë përgjigje për vendosjen e sistemit të sigurisë dhe për kontrollin civil mbi të, për përgjegjësinë e policisë sekrete ose të Agjencisë për zbulim, duke kërkuar që komisionet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për mbikëqyrje të punës së DSK-së dhe të Agjencisë për zbulim të hapin debat për këtë rast dhe të njoftohen me materialet e mbledhura me ndjekjen e komunikimeve (pavarësisht nga ajo se a e kanë bërë këtë individë, shërbime të vendit apo të huaja).
  • legjitime janë pyetjet për përdorimin e pajisjeve për ndjekje dhe për përgjim, që ishin siguruar për shërbimet e sigurisë, si dhe pyetjet për atë se kush mund të posedojë pajisje për krijimin e dokumenteve.

Nëse e marrim për krahasim përgjimin në aferën “Veshi i madh” në vitin 2001, që kishte pika të përbashkëta me personazhet aktuale (prokuror publik në hetim atëherë ishte Marko Zvërlevski, prokurori aktual publik i Maqedonisë, ndërsa aktakuzën kundër Dosta Dimovskës dhe Aleksandar Cvetkovit e nënshkroi Gordana Geshkoska, tani prokurore publike në Shkup), atëherë mediet jo vetëm që i publikuan detajet e materialeve të fituara me përgjim, por edhe vetë u paraqitën si dëshmitarë – të dëmtuar në hetim, ndërsa më vonë edhe si paditës në procedurë civile ku kërkuan kompensim të dëmit.

jorm-head

Nëse atëherë mediet kanë pasur gjithçka në dispozicion, cili është dallimi me këtë rast dhe ku është motivi i Prokurorisë të bëjë thirrje që të mos publikohen materialet, duke paralajmëruar edhe vepër penale.

Nëse është e qartë se mediet as nuk kanë ndjekur, as nuk kanë përgjuar, ato kanë plotësisht të drejtë, mirëpo edhe përgjegjësi, që përmbajtjen ta vënë në dispozicion të publikut, nëse ajo përmbajtje zbulon keqpërdorim të pushteitt, të fuqisë ose të pozitës, tregon për krim ose korrupsion ose për prishje të rendit kushtetues, siç thotë policia me ngritjen e padisë.

Sipas sistemit të drejtpërdrejtë, nëse publiku e dëgjon njërën anë të tregimit, nëpërmjet përmbajtjes së denoncimit dhe të detajeve në të, cili është rreziku të dëgjohet edhe pjesa e dytë e tregimit, cila është përmbajtja e materialeve, veçanërisht e atyre me të cilat edhe vetë “i dëmtuari” deklaroi se një pjesë janë të sakta, një pjesë gjysmë të sakta, ndërsa një pjesë të pasakta.

SI RUHEN DËSHMITË QË JANË SIGURUAR ME MPH-të

Kjo është një sfidë serioze për mediet që të vijnë deri te përmbajtja e informatave të sakta (e të cilat kanë shërbyer për tentim për shantazh). Nëse në emër të “së vërtetës” paraqitet edhe inçizimi nga takimi në kabinetin e kryeministrit, atëherë legjitim është interesi i gazetarëve dhe i medieve të gjurmojnë edhe pas këtyre informatave, kush inçizon, kush ka qasej në inçizimet e qeverisë, a përdoret dhe në cilat raste përdoret sistemi, dhe kush dhe si i ruan këto inçizime.

Pyetje plotësuese për të cilat gazetarët mund dhe duhet të interesohen në këtë fazë të procedurës, e që lidhet me këtë rast dhe të gjitha rastet ku përdoren masa të posaçme hetuese, gjithçka që ndodh me to, si i ruan prokurori publik dhe gjykata, çka ndodh dhe kush i veçon bisedat që nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me lëndën, e të cilat janë përfshirë me masat e posaçme hetuese nëpërmjet dëgjim të drejtpërdrejtë ose indirekt edhe të njerëzve të tretë.

Më serioze është pyetja se çka ndodh me masat e posaçme hetuese kur prokurori publik jep urdhëresë për ndjekjen e autorit të panjohur, e pastaj për autor të njohur, mirëpo pas kalimit të afatit nuk sigurohen dëshmi dhe procedura ndërpritet. Në çfarë mënyre shkatërrohen këto dëshmi, kush i shkatërron atë dhe me çfarë procedure (ligji e definon procedurën, mirëpo si funksionon kjo në praktikë) dhe a njofton prokurori publik, sipas ligjit ekzistues, personat se kundër tyre ka pasur masa të posaçme hetuese ose ka pasur hetim, mirëpo se ai është ndërprerë.

Prandaj, pa dozë senzacionalizmi me verifikim të kujdesshëm të përmbajtjes së materialeve deri te të cilat do të vijnë, gazetarët kanë të drejtë dhe obligim që të hulumtojnë dhe të informojnë. Të mos harrojmë se individët lirohen nga ndjekja penale në qoftë se edhe si persona zyrtarë zbulojnë dokumente që tregojnë se mund të ketë korrupsion ose keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Prokurori publik, është i obliguar të sigurojë informata që nuk do ta rrezikojnë hetimin, e njëkohësisht, do ta kënaqin interesin publik për rastet e këtilla të ndjeshme. Prandaj, Prokuroria publike duhet të gjejë mënyrë për ta vendosur balancin e nevojshëm ndërmjet interesit publik, nevojave të procedurës dhe supozimit të pafajësisë së të paditurve. Ky balanc nuk arrihet me kërcënime, por me informim të drejtë dhe në kohë.

Fshehtësia e hetimit siç është definuar në ligj, nuk do të thotë edhe stop për të gjitha informatat.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik