Raportimi në kohë zgjedhjesh, beteja mes propagandës dhe profesionalizmit

Në prag të çdo procesi zgjedhor institucionet funksionojnë ndryshe, funksionarët veprojnë ndryshe, mediat raportojnë ndryshe, në krahasim me një periudhë tjetër më të zakonshme. Para zgjedhjeve, vendosen në funksion makineritë propaganduese, marketingu politik dhe aktivitetet intensive në terren. Secili aktor politik, me synimin për rezultate që do të ishin në favor të tij në zgjedhje, përpiqet që të marrë sa më shumë nga “kulaçi” i hapësirës në media. Lufta për një minutë më shumë në eter është e madhe. Fushata zgjedhore zyrtarisht zgjat 21 ditë por konkurruesit në zgjedhje zakonisht “zgjohen” disa muaj më herët dhe zgjerojnë veprimtarinë e tyre për të prekur dhe ndikuar në bindjen e votuesve.

Aktorët politik që janë në lojë shfrytëzojnë mundësitë që u jep ligji për hapësirën mediatike për program të paguar politik gjatë periudhës së fushatës. Kjo është sa u takon televizioneve dhe radiove. Gazetat, po ashtu, bazuar në dispozitat ligjore, ndajnë faqet e tyre për reklama politike. “Betejë” e parregulluar me ligj (ose e rregulluar me dispozita të pazbatuara deri tani) zhvillohet në mediat elektronike (portalet).

Ditë më parë, në promovimin e rrjetit të parë në vend për luftë kundër gjuhës së urrejtjes në media, i formuar mes shoqatave të mediave, trupave rregullator, institucioneve shtetërore dhe shoqatave civile, nga Këshilli i Etikës në Media potencuan se Komisioni për ankesa në kuadër të Këshillit pranon shumë më shumë ankesa për raportimet në kohë zgjedhjesh. Një pjesë e madhe e tyre janë për produkte të publikuara nga portalet dhe kjo për dy arsye; e para, portalet janë më shumë në numër se sa formatet e tjera të mediave; e dyta, janë më të pakontrolluara se sa mediat e tjera. Nëse për mediat e tjera ekziston një kornizë ligjore brenda të cilës veprojnë gjatë kësaj periudhe, për portalet kjo kornizë nuk ekziston (nuk ka ekzistuar ose nuk është respektuar deri tani). Vetërregullimi ka qenë baza e vetme mbi të cilën ata është dashur të veprojnë.

Punën e mediave në fushatë e monitoron Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuele. Me ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, portalet për monitorim i mbeten Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ky proces do të zbatohet për herë të parë në këtë cikël zgjedhor.

Çfarë monitorohet te mediat?

Si gjatë raportimeve në kohë të tjera, edhe gjatë kësaj periudhe, media duhet të sigurojë raportim të balancuar, mundësi të njëjta për të gjithë konkurrentët në zgjedhje dhe të mos mbajë anën e asnjërit prej tyre. Hapësira kohore është e matshme dhe zakonisht nuk përbën ndonjë problem për monitoruesit që të vlerësojnë respestimin ose mos-respektimin e minutazhit që parashikon ligji për secilin nga pjesëmarrësit në fushatë.

Kodi Zgjedhor

Neni 75, paragrafi 2

Radiodifuzerët, pa marrë parasysh se në cilën gjuhë e emitojnë shërbimin e tyre programor, janë të detyruar që në kohën e fushatës zgjedhore pjesëmarrësve në fushatë t’u mundësojnë kushte të barabarta për qasje deri tek të gjithë formatet e prezantimit mediatik zgjedhor – lajme, programe të veçanta informative (intervista, debate, përballje televizive dhe në radio, programe aktuale-informuese, programe aktuale-informuese me qasje dokumentare dhe programe të specializuara tematike), prezantim politik pa pagesë dhe reklamim të paguar politik.

Problem ka qenë dhe do të mbetet balancimi në përmbajtje. Mediat duhet të jenë të pavarura dhe korrekte por është gjithmonë një dilemë e hapur se si mund të vlerësohet aq saktësisht përmbajtja e produktit.

Është e vërtetë se në këtë periudhë mediat dyfishojnë kundesin në tekstet e tyre. Ata kanë dëshmuar se dinë të respektojnë skajshmërisht rregullat por edhe të fshehin mesazhet propaganduese që “çojnë topin në fushën e njërit ose lojtarit tjetër”.

Është dashur një nen i veçantë në Kodin etik të gazetarëve për t’u tërhequr edhe një herë vëmendjen gazetarëve se kanë detyrim për kujdes shtesë në punën e tyre në kohë zgjedhjesh. Tek e fundit, ndikimi i tyre është i madh në këtë periudhë. Publiku rrit frekuentimin e mediave për t’u informuar rreth ofertave të aktorëve politik që marrin pjesë në zgjedhje. Një përqindje e tyre edhe ndërtojnë qëndrime dhe marrin vendime pikërisht në bazë të asaj që transmeton media. Prandaj, përgjegjësia e mediave është e madhe për atë që pëson në ditën e zgjedhjeve, pikërisht nga mbajtja anë ose jo, objektiviteti ose promovimi i kamufluar, raportimi profesionist ose nga e kundërta e tij.

Kodi etik i gazetarëve

Neni 14

Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.

Anketat dhe sondazhet, matje reale ose manipulime?

Anketat, përveç që i bëjnë partitë për të parë se si qëndrojnë në terren në prag të zgjedhjeve, ata i bëjnë që rezultatet të mund t’i shfrytëzojnë edhe si mjet komunikues gjatë fushatës me votuesit që akoma nuk kanë vendosur se cilën anë do të mbajnë. Mediat të cilat monitorohen nuk mund të publikojnë rezultate anketash në një periudhë të fushatës por shumë nga portalet, në ciklet e kaluara zgjedhore, i kanë publikuar.  Zakonisht, përqindja e votuesve të papërcaktuar dhe atyre që refuzojnë të përgjigjen në anketa varijon nga 30 deri 35% e votuesve. Këto janë shpesh edhe “gjahu” i partive sepse piëkrisht ata e bëjnë dallimin. Meqë janë edhe kaq të rëndësishme, anketat shpesh edhe manipulohen. Ndodh shpesh që të publikohen edhe rezultate të manipuluara dhe sondazhe të në të cilët nuk janë zbatuar standardet ndërkombëtare për rezultate që pasqyrojnë realitetin.

Rapotimi profesional, i rëndësishëm gjatë fushatës

Sa më afër ditës së zgjedhjeve, aq më e ashpër retorika e aktorëve politik, aq më shumë sulmohet kundërshtari, aq më shumë zgjerohet beteja dhe teknikat e tyre për të uzurpuar mediat, për të promovuar idetë dhe premtimet e tyre. Detyrë e medias është të ruajë profesionalizmin, pavarësisht “sulmeve” të politikës. Mediat e pavarura në një shoqëri demokratike rrisin ndërgjegjësimin e qytetarëve për çështje të rëndësishme dhe punën e të zgjedhurve të tyre dhe u siguron votuesve informacion të vërtetë për punën dhe sjelljen e politikanëve. Kjo mundëson që votuesit të monitorojën më mirë politikanët dhe këto të fundit të jenë më të përgjegjshëm ndaj votuesve të tyre.