Tekst i mbushur me teori konspirative dhe pretendime të rreme

Foto nga lajmi që recensojmë

Një lajm që flet për teori konspirative dhe për rrezikun e vaksinimit, e që po bëhet viral kohët e fundit, ndikon veçanërisht te skeptikët të cilët veçse dyshojnë për efektet anësore vaksinimit. Por, mund të ndikojë edhe te ata që nuk kanë dyshuar fare në sigurinë e vaksinave të aprovuara nga institucionet shëndetësore botërore. Përveç kësaj, ajo që ndodh me këtë artikull është frikësimi i njerëzve për tu vaksinuar, kur në fakt një gjë e tillë dalë-ngadalë po bëhet diçka e domosdoshme. Kjo për shkak të nevojës së zhdukjes së pandemisë dhe kthimit të jetës në normalitet, por edhe për shkak se institucionet evropiane dhe të tjera botërore gjithmonë e më tepër shqyrtojnë seriozisht futjen e të ashtuquajturës ‘Pasaportë Covid’, pa të cilën do të bëhet e vështirë, nëse jo e pamundur lëvizja në vendet e BE-së, por edhe vende të tjera nëse aprovohet një dokument i tillë.

Foto nga lajmi që recensojmë

Linku origjinal i artikullit: Apeli i fortë i mjèkêve gjermanë: Mos pranoni të våksinoheni, ja çfarë fshihet…

Data e publikimit: 16.03.2021

Data e recensimit: 19.03.2021

Recensuese: Naile Dauti

Artikulli përmban informacione të pakonfirmuara

Artikulli në fjalë jep informacione që i përkasin teorive konsirative, të cilat nuk janë as të konfirmuara dhe as të provuara. Përveç tjerash autori i tekstit bën një konstatim sipas këndvështrimit të vet. Ai pretendon se kjo pandemi është e sajuar dhe se po i ‘del boja’.

“Për herë e më shumë janë vendet dhe popujt që po ngrihen në protesta kundër qeverive të tyre të komanduara nga “Rendi i ri Global”, por dhe që po hedhin poshtë masat represive të vendosura me dhunë, me pretekstin e pandemisë”, thuhet në tekst.

Në të vërtetë, ka popuj të cilët kanë dalë kundër masave shtrënguese të qeverive të tyre, pasi një fakt është i pamohueshëm, jeta e njerëzve ka ndryshuar. Asgjë nuk është si më parë. Liria tashmë nuk i ngjan asaj të para-pandemisë dhe është edhe e natyrshme të priten reagime të tilla. Megjithatë, është përgjegjësi shumë e madhe që një gazetar të thotë se pandemia është vetëm pretekst për masat kufizuese dhe se të njëjtat janë vendosur me dhunë.

Sipas artikullit në fjalë revoltës mbarëbotërore i janë bashkuar edhe një grup mjekësh të “shquar” gjermanë, që kanë refuzuar bërjen e vaksinave të koronavirusit popullatës. Por, shumë shpejt autori bie në kundërshtim me fjalët e veta, kur ‘grupi i mjekëve’, shumë shpejtë shndërrohet në vetëm dy mjekë. Në fakt një mënyrë të tillë përgjithësimi, jo rrallë herë e hasim nëpër media.

“Shqetësimin lidhur vaksinën në fjalë e kanë një numër shumë i madh ekspertësh, por zëri i tyre nuk dëgjohet ose censurohet nga Media-t e kapura peng. Por ata janë mes nesh, dhe ne duhet të bëhemi përçues të shqetësimit të tyre, të mendimit të tyre shkencor, sidomos mbi efektet e tmerrshme që do të ketë veksina për njeriun”, thuhet në tekst.

Një gjë është e sigurt, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë mjekë dhe njerëz të thjeshtë, të cilët janë skeptik rreth vaksinave dhe pandemive. Megjithatë, gazetari duhet të dijë peshën e përgjegjësisë që ka dhe se çfarë mund tu shkaktojë shumë persona me pretendimet e vetadhe të një grupi njerëzish.

Tekst i mbushur me teori konspirative, vaksina nuk ndryshon ADN-në

Testi në fjalë shoqërohet me teori konspirative, të cilat nuk mund të konsiderohen të sakta për aq kohë sa për një gjë të tillë nuk janë deklaruar dhe pajtuar institucionet botërore kredibile shëndetësore. Për aq kohë sa nuk ndodh kjo, lajmet e tilla mbeten në kuadrin e teorive konspirative.

“Vaksinë që pritet të ndikojë në ADN-në e njeriut, padyshim që nuk do të jetë e dëmshme vetëm për 700 mijë raste, por për shumë më shumë nga rastet që deklaron Gates, sipas shkencëtarëve të fushës”, qëndron në tekst.

Një nga të pavërtetat më të njohura që qarkullojnë për momentin është se vaksinat e mARN-së do të ndryshojnë ADN-në e njerëzve. Lajmi i mirë është se ata, thjesht nuk mund ta bëjnë bëjnë një gjë të till, pra të ndryshojnë ADN-në. Por nga lind ky besim në vaksinat që ndryshojnë ADN-në?

Për sa i përket ndryshimit të ADN-së, OBSh-ja, të gjitha vaksinat e aprovuara i konsideron të sigurta përveç disa efekteve anësore, të cilat janë standarde për çdo vaksinë.

“Mendoj se njerëzit janë të shqetësuar për shkak se ky është material gjenetik i injektuar në trup, dhe se i njëjti mund të përzihet disi me materialin gjenetik dhe ta ndryshojë atë,” tha Sara Riordan, Presidente e Shoqatës Kombëtare të Këshilltarëve Gjenetikë, për Forbes.

Por ka ndryshime thelbësore midis ADN-së që mbart të gjithë informacionin që kemi trashëguar nga prindërit tanë dhe mARN-së, nga të cilat janë bërë vaksinat Moderna dhe Pfizer/BioNTech. ADN-ja është e dyfishtë, shumë e gjatë dhe e bashkuar fort brenda një pjese të qelizës të quajtur bërthamë. mARN është një kopje me një pjesë të vogël të ADN-së, e cila është bërë në mënyrë rutinore në bërthamë, por më pas lëshohet në pjesën kryesore të qelizës në mënyrë që udhëzimet që mbart të mund të “lexohen” dhe të bëhen në një larmi proteinash që i nevojiten qelizës.

“Çdo vaksinë e mARN-së ka të njëjtin qëllim, ta udhëzojë dhe trajnojë trupin tuaj që të bëjë përgjigje imune ndaj një patogjen të veçantë, kështu që nëse patogjeni futet në trupin tuaj, sistemi juaj imunitar mund ta sulmojë atë”, tha Riordan.

Pra, informacioni për ndryshimin e ADN-së është i rremë. Vaksinat për COVID-19 nuk do të ndryshojnë ADN-në e atyre që e marrën, dhe këtë e kanë shpjeguar shkencëtarët.

Shumë shpesh hasim, si në këtë rast, ku pretendohet se vaksinat, quhen si “vaksina” vetëm nga të tjerët, por se vetë kompanitë i quajnë “agjentë biologjikë” dhe “sistem operativ i krijuar për të programuar njerëzit”, ose se ato në fakt janë të tilla por që nuk thuhen publikisht. Por këto janë pretendime të rreme. Shkencëtarët e Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Agjencisë amerikane të Ilaçeve, për vaksinat e aprovuara kanë kontatuar se janë të sigurta dhe me efekte anësore të vogla.

Çfarë rekomandon OBSh-ja dhe shkencëtarët e saj

Sipas OBSh-së vaksinimi është i sigurt dhe efektet anësore nga një vaksinë janë zakonisht të vogla dhe të përkohshme, të tilla si një krah i lënduar ose ethe e lehtë. Efektet anësore më serioze janë të mundshme, por jashtëzakonisht të rralla.

Çdo vaksinë e licencuar testohet me rigorozitet në të gjitha fazat e provave para se të miratohet për përdorim, dhe rivlerësohet rregullisht përpara se të plasohet. Shkencëtarët gjithashtu po monitorojnë vazhdimisht informacione nga shumë burime për çdo shenjë që një vaksinë e caktuar mund të shkaktojë rreziqe shëndetësore.

“Mos harroni, ka shumë gjasa që të lëndoheni seriozisht nga një sëmundje e parandalueshme nga vaksina sesa nga vetë vaksina. Për shembull, tetanozi mund të shkaktojë dhimbje ekstreme, spazma muskulore (nyjë bllokimi) dhe mpiksje gjaku, fruthi mund të shkaktojë encefalit (infeksion i trurit) dhe verbëri. Shumë sëmundje të parandalueshme nga vaksinat mund të rezultojnë edhe në vdekje. Përfitimet e vaksinimit tejkalojnë shumë rreziqet, dhe shumë më tepër sëmundje dhe vdekje do të ndodhin pa vaksina”, thuhet nga OBSh-ja.

Sidoqoftë, për gjithë ata që kanë dilema për çështjen e vaksinave, mund të hulumtojnë më shumë në ueb-faqen e OBSh-së, ku ndodhen pothuajse përgjigjet e të gjitha dilemave rreth çështjes së vaksinave dhe se po të njëjtat janë të sigurta dhe efektive.

Koncepti i manipulimit janë si vijon: 

Thirrja e emocioneve- Autori e di mirë se frika nga virusi ekziston ndër njerëz dhe kjo do të ngjallte interes, pasi bëhet fjalë për sigurinë e shëndetit të tyre. Prandaj në këtë rast mund të konstatohet se ai ka bërë thirrje të emocioneve.

Prirje për të konfirmuar këndvështrimin e vet – Autori ka tentuar të mbledhë informacione që favorizojnë apo që konfirmojnë pikëpamjet ekzistuese të autorit.

Neglizhimi i të dhënave themelore- Ky manipulim vërehet në momentin kur autori pohon se ata që do të vaksinohen, patjetër do të pësojnë ndryshime gjenetike apo efekte të mëdha anësore, duke mos marrë para syshë, se kjo pjesë e popullatës, që mund të ketë efekte anësore, paraqet një përqindje të vogël të popullsisë së përgjithshme.

Provat selektive –Prapë këtu ndodh pretendimi se vaksinat anti-covid shkaktojnë ndryshim të materialit gjenetik është bazuar në dëshmi të izoluara dhe injorim të dëshmive të shumta.

Për lexuesit

Padyshim që, prej fillimit të pandemisë, njerëzit janë përballur me info-obezitet, që shumë shpesh, me teori të tilla i bëjnë ata të humbasin besimin edhe në institucionet shëndetësore. Nëse keni dilema, qofshin ato të vogla ose të mëdha, drejtohuni në ueb-faqen e OBSh-së. Madje, lirisht mund të kontaktoni, për pyetjet tuaja konkrete, që ndoshta nuk mund t’i gjeni në sajt. Shmangni informacionet që iu ngjallin pasiguri dhe frikë, informacione që mbyllin dilema dhe jo që hapin më shumë të tilla.