Tekstet e këtilla nuk duhet të merren për tekste serioze dhe me peshë informimi

Në rrjetet sociale ka qarkulluar një tekst me përmbajtje fyese për shqiptarët, që shumë lehtë nxit trazita ndëretnike, në një shoqëri aq të brishtë siç është Maqedonia e Veriut. Përdorej profili i gjoja një policeje që urren shqiptarët, dhe i “përshëndet” me parullën “Dobar shiptar, mrtov shiptar”. Tekstet e këtilla nuk duhet të merren për tekste serioze dhe me peshë informimi.

Linku deri te artikulli:  Policja maqedonase: Shqiptari i mirë është shqiptari vdekur

Data e publikimit: 17.03.2019

Data e recensionit: 02.04.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Autori i këtij teksti si duket ka shpejtuar dhe e ka publikuar lajmin, pa menduar efektin në marrëdhëniet ndëretnike, dhe pa kryer verifikimin e lajmit, që duhet të jetë punë primare e tij/saj.
Vetëm pse ka komente të shumta në rrjetet sociale, nuk domethënë se diçka është e vërtetë. Gazetari duhet patjetetër të kërkojë argumentet dhe faktet.

“Punonjësa e policisë të Maqedonisë në Sektorin e punëve tê brendshme në Shkup, Frosina Martinovska nëpërmjet rrjeteve sociale ka shfaqur urrejtje ndaj shqiptarëve duke komentuar ” Shqiptari është i mirë vetëm kur është i vdekur” “, shkruan në tekstin që po e recensojmë.

Evitoni lajmet që nuk kanë burime zyrtare

Autori ka shkruar për komentin e një “policeje” në rrjete sociale, por duke u bazuar në lajme që mediat e internetit i kanë marrë njëra prej tjetrës, dhe ska asnjë referencë zyrtare. Ky lajm është kryekëput i rrejshëm, ndërsa një mori portalesh në shqip e transmetuan sikurse të jetë i vërtetë.

Nëse lajmin e kanë përcjellë disa media, nuk e bën atë të vërtetë!

Autori këtij lajmi e ka transmetuar këtë lajm vetëm sepse e kanë transmetuar një mori mediash të tjera. Dhe kjo është sikur “ta ngushllosh veten” ose ta mashtrosh, se ky lajm është i vërtetë, pa e marrë mundimin që ta verifikosh vetë. Nuk do të thotë se një lajm është i vërtetë vetëm sepse e kanë publikuar edhe kolegët e tjerë, pasi praktika dëshmon se shumë lajme që në pamje të parë janë tejet reale, dhe i kanë trasmetuar edhe media tejet serioze, kanë rezultuar si të rrejshme.

Autori ka tentuar që qëndrimin e tij që ka lidhur me problemet ndëretnike, ta përcjellë deri te lexuesit. Ai për këtë ka përdorur një ngjarje tipike që ka ndodhur në të kaluarën dhe që ” e han pazari”, për ti dhënë lajmit më shumë peshë. Asnjë shqiptar nuk qëndron indiferent, pavarësisht se a e shpreh atë po jo, kur dikush e ofendon në bazë etnike, pasi kjo është një plagë tejet e thellë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Dhe këtë, autori i tekstit e ka ditur shumë mirë!

Të vërtetën e këtij lajmi e morëm vesh nga MPB-ja e cila doli me demant duke thënë se një person me emër të tillë nuk ekziston në regjistrin e të punësuarve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Konfirmimi i Ministrisë është provë e mjaftueshme se lajmi, madje dhe e profili në Fejsbuk i vajzës, janë të rrejshme.

Për lexuesit: Kujdes nga lajmet që tentojnë të krijojnë situatë të jashtëzakonshme

Duhet të keni kujdes nga lajmet që tentojnë të krijojnë situatë të jashtëzakonshme, ose ngjarje që kanë ngjyrime ndëretnike. Nëse shkruhet për tema senzitive duhet të shkruhet në mënyrë që mos të shkakojë ende më shumë urrejtje apo të jetë nxitës i hakmarrjeve dhe tensioneve. Nëse do të ishte i vërtetë rasti i polices, qasja e raportimit duhet të ishte të raportojë në mënyrë objektive për fenomenin, dhe jo të nxisë të përsëritet fenomeni.
Madje, nëse një tekst që ka ndjeshmëri të tillë nuk ka referenca zyrtare dhe bazohet vetëm në hamendësimet dhe pikëpyetjet e gazetarit, mos humbni kohë duke e lexuar, se ato hamendësime mund ti bëni edhe vetë.