Komenti dhe lajmi janë dy zhanre të ndryshme shkrimi, struktura të ndryshme, përmbajtje të ndryshme, shërbejnë për qëllime të ndryshme. Kur lexon një tekst në media, lexuesi duhet ta ketë shumë qartë të theksuar nëse bëhet fjalë për lajm ose për koment të autorit. Ndërthurrja me qëllim të manipulimit, nuk është e ndershme.
Linku deri te artikulli original: “Pendarovskit, i don shqiptarët për “sot” , ndërsa për nesër me shumë lehtësi i bën “Delete”!”
Data e publikimit: 24.03.2019
Data e recensionit: 01.04.2019
Recensues: Fatlume Dervishi
Mungesë lajmi
Në tekstin që është objekt analize mungon “materiali për lajm”. Është e vështirë të kuptosh se çfarë ka dashur të përcjellë autori te lexuesit dhe ku qëndron problematika. Duke u sulur për të kritikuar, autori madje e ka mbështjellë shumë tekstin duke e bërë vështirë të kuptueshëm. Si duket qëllimi është të informojë se “Pendarovskit i pengon gjuha shqipe”. Ky është një konstatim serioz nga ana e autorit për një kandidat që në garën për president pretendon edhe votat e shqiptarëve. Ja ku e bazon autori konstatimin e tij:
“Ditë më parë në fanpejxhin e tij kishte postuar një tekst mbi përfitimet e vendit nga anëtarësimi në NATO dhe se ai si President do të vazhdojë rrugën drejt integrimit të plotë të vendit në NATO dhe BE.
Ajo çka e bën interesant këtë postim të z. Pendarovski është fakti se të njëjtin postim e kishte bërë edhe”sponsored” me datë 17.03.09, e që pas dy ditëve postimi në fjalë rezulton të jetë i fshirë. Andaj me të drejtë në emër të atyre që ua kërkon votatat e pyesim publikisht z. Stevo Pendarovski, pse e keni fshirë postimin në SHQIP nga fanpejxhi i juaj…” shkruan në tekst
Ky “hulumtim” i gazetarit është joserioz. Për ta lidhur edhe me titullin, është po aq joserioze shprehja se meqë “është fshirë” postimi në gjuhën shqipe, Pendarovski është i gatshëm t’i bëjë “delete” edhe shqiptarët. Se çfarë realisht kupton me “delete” në këtë rast, e di vetëm autori.
Shkelja mbi parimet
“Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.” – shkruan Kodi etik i gazetarëve.
Një analizë e thuktë dhe një mal me dëshmi do t’i nevojiteshin autorit për ta vërtetuar atë që na thotë në titull sepse, edhe po të jetë ashtu, është e vështirë për t’u konfirmuar. Më tej parimet etike të profesionit parashikojnë që;
“Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.”
Shprehjet si “Pendarovskit, i don shqiptarët për “sot” , ndërsa për nesër me shumë lehtësi i bën “Delete”!” ose “Mos vallë edhe ju keni fobi nga gjuha e atyre që ju ua kërkoni votën?” nuk bien në domenin e informimit objektiv dhe profesional.
Teknika e manipulimit
Autori ka shfrytëzuar teknikën e “thirrjes në gjasë” se diçka do të ndodhë vetëm sepse mendon se ekziston qoftë edhe mundësia më e vogël që ajo të ndodhë. Shembull, meqë është fshirë postimi në shqip, lehtë do të “fshihen” edhe shqiptarët. Është shfrytëzuar edhe teknika e “thirrjes në mungesën e dëshmisë së kundërt”; nuk pasqyrohet qoftë edhe një e dhënë për të treguar se mund edhe të mos jetë ashtu siç është konstatuar. Është bërë “analogji e rrejshme”; fshirja e postimit lidhet me gjuhën shqipe dhe të dyja këto nxjerrin konstatimin përfundimtar. Teksti përmban edhe “dëshmi selektive” dhe “thirrje në emicione”; duke e ditur se sa e ndjeshme është çështja e gjuhës në vend, autori ka zgjedhur vetëm të paraqesë një aspekt selektiv dhe duke mos prezantuar qoftë edhe një citat mbi gjuhën shqipe dhe shqiptarët që mund ta ketë pasur më herët personi që i drejtohet kritika.
Për lexuesit – Mos bini pre e manipulimeve
Është e qartë se tekstet e këtilla nxisin më shumë reagime, titujt e këtillë, përveç që nxisin kurreshtjen për të mësuar se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë, nxisin edhe emicione. Por lexuesit është e nevojshme të dinë që gazetari është i obliguar të ofrojë fakte për atë që shkruan. Dëshmi janë citatet, burimet, të dhënat materiale, zbulimet gjatë hulumtimeve, por assesi s’mund të jenë pretendimet e këtilla të ngritura mbi baza qesharake. Shkrimi i lajmit ka disa standarde dhe objektiviteti është njëri ndër më të rëndësishmit. Komenti i autorit duhet të dallohet qartë nga pjesa tjetër objektive e lajmit.