Autorët shpesh thonë se informohen nga burime qeveritare apo nga ato partiake, pasi ato nuk kanë se si konfirmohen. Burimet anonime nuk janë të ndaluara në gazetari, megjithatë ato nuk duhet të keqpërdoren si në këtë rast.
Linku deri te artikulli: Kush do të fitojë në BDI, Hazbi Lika apo Musa Xhaferi?
Data e publikimit: 13.03.2019
Data e recensionit: 01.04.2019
Recensuese: Ferikan Iljazi
Në këtë tekst autori e ka nisur tekstin kështu: “Iniciativa për shuarjen e Sekretariatit per inplementimin e Marreveshjes se Ohrit është reflektim i konfliktit mes krahut të Hazbi Likës dhe atij të Musa Xhaferit, njoftojnë burime qeveritare”.
Autori i thotë dy poenta për të cilat nuk ka mundësi ti dëshmojë, se shuarja e SIMO-së është shkaku i konfliktit Lika-Xhaferi, dhe se këtë gjë e konfirmojnë burimet qeveritare ndërsa prej këtyre elementeve bën lajm.
Gazetari shkruan duke u bazuar në burime anonime, por nuk jep asnjë shenjë se këto burime i ka të vërteta.
SIMO nuk shuhet shkaku i Hazbisë ose Musës
Autori nuk e ka theksuar faktin se ideja për shuarjen e SIMO-së është dhënë nga deputetët dhe është pranuar nga Qeveria. Përpos BDI-së në Qeveri bëjnë pjesë edhe ata të LSDM-së dhe partive të tjera dhe këtë vendim e kanë votuar të gjithë ministrat. Prandaj nuk mban ujë pohimi se kjo është shkaku i Musa Xhaferit ose Hazbi Likës.
Autori i është referuar edhe kumtesës së “Brigadës 112” të UÇK-së që gjoja është e revoltuar nga shuarja e Sekretariatit, edhe pse kompetenca e brigadave të luftës, përfundon në momentin kur përfundon edhe lufta. Por, për shkak të brishtësisë së shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut ndaj UÇK-së dhe Marrëveshjes së Ohrit, autori e ka keqpërdorur si formë për ti dhënë më shumë peshë lajmit, se gjoja ata që kanë sjellë Marrëveshjen e Ohrit, kundërshtojnë shuarjen e frymës së saj, edhe pse nga nënshkrimi kanë kaluar shumë vite.
Me vetëm njërën palë të problemit nuk bëhet lajm i besueshëm, gjithmonë kërkoni më shumë!
Autori ka tentuar të shtyjë lexuesit të mendojnë se pohimet e tij janë të vërteta, duke sjellë vetëm njërën anë të problemit, respektivisht, palën që kundërshton shuarjen e SIMO-së. Ndërsa nuk e ka palën zyrtare e cila ka arsyetuar përse duhet formuar ministria e re. Në një lajm të televizionit Alsat për shembull, duken disa palë të tanguara që janë kontaktuar, dhe prononcuar, ndërsa autori i këtij teksti nuk e ka parë të arsyeshme të marrë asnjë prej këtyre burimeve.
Autori është dashur të kontaktojë edhe ish zëvendës kryeministrin Musa Xhaferi, të cilin e përmend si lojtar kryesor në “pazarin” për SIMO-në, ose të paktën, ta kishte kontaktuar partinë e tij, por ai megjithatë ka zgjedhur t’i referohet vetëm palës që kundërshton themelimin e ministrisë dhe shkrirjen e SIOFA-së.
Autori e ka ditur se lajmi për shuarjen është i vjetër, dhe përsëri e ka shkruar
Autori i këtij teksti e ka ditur se ky është një vendim qeveritar që mund ta quaj të vjetër, pasi është përmendur që prej më shumë se një muaj më parë në tekstet e gazetarëve. Kështu që konstatimi është se autori e ka ditur saktë se po manipulon, por përsëri e ka shkruar tekstin që të nxisë kërshërinë e qytetarëve.
Për lexuesit: Keqpërdorimi i burimeve anonime, kujdes!
Nëse shikoni se një lajm është kryekëput me burime anonime, nga Qeveria, partitë ose ngjashëm, gjithmonë merrni me rezerva, pasi këto janë teknika për tua bërë tekstin jo të besueshëm si të besueshëm. Ju duhet të mësoheni të kërkoni të dy palët në tekst. Nuk duhet të ngopeni së kërkuari më shumë përgjigje nga më shumë burime, edhe pse këtë gjë është e obliguar t’ua ofrojë gazetari. Por nëse një medium refuzon t’ua tregojë të vërtetën e plotë, kërkojeni atë në më shumë media.