“Një gënjeshtër e përsëritur një mijë herë, bëhet e vërtetë”, është fjalia që mund ta sqarojë më së miri procesin e arritjes dhe zbatimit të Marrëveshjes së Prespës e nënshkruar ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, e cila assesi nuk po arrin t’u ndahet lajmeve të rreme. Rasti i fundit ishte me informacionin “se do të ketë shkëmbim të përmendoreve”. Edhe pse lajmi u demantua nga të dyja vendet, pas një jave u publikua në median e Shqipërisë “Top-Channel”. Qëllimi tashmë dihet: Publiku të mendojë se do të ketë shkëmbim përmendoresh.
Linku deri te artikulli: “Vrapuesi” do shkojë në Shkup; Statuja në Athinë do këmbehet me Aleksandrin e Madh
Data e publikimit: 20.03.2019
Dara e recensionit: 29.03.2019
Recensuese: Fatbardha Curri
Koncepti i manipulimit “Thirrje në autoritet”:
“Lajmi është bërë publik nga skulptori që e ka krijuar atletin, Kosta Varucos. Sipas tij, këmbimi është kërkuar nga ministria greke e kulturës me qëllim pakësimin e veprave të polemizuara në Maqedoninë e Veriut, tani që mes dy vendeve është arritur marrëveshja për njohjen reciproke”, kështu thuhet në lajmin e recensuar.
Këtu bëhet përpjekje që të dëshmohet vërtetësi e deklaratës, nëse ai thuhet nga autoriteti. Në lajmin në fjalë, është përmendur emri i skulptorit të veprës “Vrapuesi” në Athinë, Kosta Varucos, i cili ka deklaruar, se Ministria e Kulturës e Greqisë i ka thënë atij, se vepra e tij do të shkëmbehet me përmendoren “Aleksandri i Madh” që gjendet në Shkup.
Lajmi edhe pse i pavërtetë, publikohet pas një jave si i vërtetë
“Shkëmbimi i përmendoreve” u publikua në datat 11 – 12 mars të 2019-s. Megjithëse në lajm përmendet Ministria e Kulturës e Greqisë, e cila edhe rriste besueshmërinë e saj, askush nuk ka cituar qëndrim të këtij dikasteri. I vetmi burim i informacionit është skulptori. Një ditë pas publikimit të lajmit, institucionet në Athinë dhe Shkup e demantuan të njëjtin.
“Nuk ekziston kurrfarë propozimi për largimin e “Vrapuesit”, ajo është diçka e pabazuar. Përveç kësaj, skulptura i përket Qytetit të Athinës. Në kuadër të diskutimit publik me artistë të theksuar grekë, në mesin e të cilëve është edhe zotëri Varocos është biseduar dhe komentuar për shumë çështje, por jo edhe për ndonjë propozim të tillë. Unë kam prioritete tjera, ndërkaq mundësia për këmbim të përmendoreve ose ndryshim të tabelave u përket ministrive tjera kompetente. Më vjen keq për pluhurin e ngritur dhe panikun moral që disa kanë shpejtuar ta demonstrojnë”, tha më 12 mars ministrja e Kulturës së Greqisë, Mirisni Zorba për ANA-MPA.
“Marrëveshja e Prespës është nënshkruar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit mes dy vendeve që do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të rajonit. Ne jemi të fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Sipas marrëveshjes në periudhën në vazhdim të gjitha përmendoret që i përkasin historisë helene do të shenjëzohen si të tilla. Për momentin nuk ekziston iniciativë tjetër në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut”, thanë më 12 mars nga Qeveria e RVM-së.
Lajm i njëanshëm: U publikuan reagimet e publikut, por jo edhe të institucioneve
“Por, pas bërjes publike të këtij lajmi, ka pasur reagime në Greqi, ku opinioni publik është shprehur kundër spostimit te monumentit, që është ndër atraksionet kryesore te kryeqytetit grek.“Atleti” u vendos pranë hotelit Hilton të Athinës në vitin 1993. Ai dekoron një prej shesheve më të bukura të kryeqytetit helen, njëkohësisht, ndodhet në pjesën finale të trajektores origjinale të maratonës së Athinës. Statuja është e ndërtuar me mijëra fletë xhami, të mbështetura në një skelet bronzi”, thuhet më tej në lajmin e recensuar.
Kjo pjesë tregon se gazetari ka marrë parasysh vetëm reagimet e publikut të Greqisë dhe jo edhe të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq ka harruar të kontrollojë reagimet e institucioneve të cilat kanë demantuar informacionin. Fjalia “është ndër atraksionet kryesore të kryeqytetit grek” tregon se gazetari ka treguar vetëm rëndësinë e veprës “Vrapuesi”, ndërkaq veprën “Aleksandri i Madh” as nuk e ka përmendur më tej.
Koncepti i manipulimit “Thirrje në besueshmëri”:
“Marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës, për emrin, parashikon, heqjen e emërtimeve dhe monumenteve irredentiste nga rrugët, aeroportet dhe sheshet e vendit fqinj, ose në rastet qe kjo nuk mundësohet, atëherë pranë këtyre objekteve, do te vendoset një pllakë, në të cilën do te shkruhet se vepra në fjalë, i përket epokës historike greke”, thuhet në pjesën e fundit të lajmit të recensuar.
Shihet qartë, se me lajmin është bërë përpjekje të bësohet, se me ndërrimin e tabelave të institucioneve shtetërore në Maqedoni të Veriut, do të ndodh edhe “shkëmbimi i përmendoreve”. Edhe pse kjo dëshmi bazohet në dispozitat e Marrëveshjes së Prespës, e vërteta është se me të njëjtën nuk parashihet shkëmbimi i përmendoreve. Marrëveshja thotë se, në afat prej gjashtë muajsh nga dita e hyrjes në fuqi, do të shqyrtohet statusi i përmendoreve, dhe një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
“Në afat prej gjashtë muajsh nga hyrja e kësaj marrëveshjeje në fuqi Pala e dytë do ta shqyrtojë statusin e përmendoreve, ndërtesave publike dhe infrastrukturës së territorit të saj dhe nëse ato në çfarëdo lloj mënyre referojnë në historinë dhe civilizimin helen antik që përbën pjesë përkatëse të trashëgimisë historike ose kulturore të Palës së parë do të ndërmarrë veprime korrigjuese përkatëse me qëllim që në mënyrë efektive ta shqyrtojë çështjen dhe të sigurojë respektimin e trashëgimisë së tillë”, thuhet në Nenin 8 të Marrëveshjes së Prespës.
Lajmi në kundërshtim me Kodin Etik të gazetarëve
Me lajmin, janë bërë shkelje të pothuajse të gjitha parimeve të gazetarisë. Duke e pasur parasysh se lajmi është demantuar, media “Top-Channel” është e detyruar që në bazë të Kodit Etik të Gazetarëve të njoftojë se informacioni i publikuar, është i pavërtetë dhe se “nuk do të ketë shkëmbim të përmendoreve”.
Parimi parë: “Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”.
Parimi i tretë: “Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës”.
Për lexuesit: Për të qenë të sigurt vërtetësinë e informacionit, kontrolli mediat e shtetit nga ku vjen ai lajm
Bëni kujdes kur lexoni lajme nga burime që nuk janë të vendit për të cilin raportohet. Nëse media në të cilën e lexoni lajmin, nuk lidhet drejtpërdrejt me vendin për të cilin është duke raportuar, lajmin merreni me rezervë. Për të qenë të sigurt vërtetësinë e informacionit, kontrolli mediat e shtetit nga ku vjen ai lajm. Në rastin në fjalë, për informacionin ka raportuar një gazetarë nga Greqia, për median e Shqipërisë, ndërkaq fokusi është Marrëveshja e Prespës mes Athinës dhe Shkupit. Si lexues ju duhet ta kontrolloni kanalin mediatik të Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë, dhe do ta kuptoni se lajmi është i pavërtetë.