Gara se kush i pari do t’i publikojе rastet e reja me Kovid-19, bëri që disa nga mediat të bien nga provimi i parë, pasi shkelën parimin bazë të gazetarisë: media duhet të publikojë informacione të verifikuara. Nga provimi sot nuk ranë vetëm disa media të vendit, por edhe të rajonit.
Linku original i artikullit: “79 raste të reja me Kovid-19 dhe 2 të vdekur nga Kovid-19 në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut”
Data e publikimit: 06.06.2020
Data e recensimit: 06.06.2020
Recensuese: Fatbardha Curri
“79 raste të reja me Kovid-19 dhe 2 të vdekur nga Kovid-19 në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut” është titulli që përshkoi dhjetëra mediat të vendit dhe rajonit.
Por për fat të keq, ky informacion nuk u gjend në asnjërën prej faqeve dhe kanaleve të komunikimit të institucioneve shtetërore relevante për të shpërndarë këtë informacion, e ky institucion është Ministria e Shëndetësisë.
Dhe derisa shpërndahej informacioni si i pa verifikuar, vijoi reagimi i ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai ftoi mediat që të mos vrapojnë pas ekskluzivitetit dhe të mos të publikojnë statistika para se t’i publikojë të njëjtat Ministria.
Pas kësaj arriti njoftimi zyrtar i Ministrisë dhe sipas të dhënave që erdhën prej atje, doli që informacioni se “kemi 79 raste të reja dhe 2 të vdekur” është i pavërtetë.
Sipas të dhënave të ministrisë, më 6 Qershor kemi 125 raste të reja me të infektuar dhe 2 viktima.
Pas kësaj, disa nga mediat informacionin e korrigjuan duke e paraqitur sikur “përditësim të të dhënave nga Ministria”, ndërkohë që Ministria publikoi vetëm një palë të dhëna të cilat nuk u përditësuan.
Kemi njoftuar edhe më herët, por po e përsërisim: institucioni më relevant për të publikuar të dhënat për Kovid-19 është Ministria e Shëndetësisë. Në këtë situatë, edhe nëse në media shihni ndonjë informacion të tillë, kontrolloni nëse i njëjti është publikuar në kanalet e Ministrisë së Shëndetësisë.
E kanalet e Ministrisë i keni gjithandej:
Në Facebook KËTU dhe KËTU
NË Twitter KËTU dhe KËTU.
Ndërkohë që gjithçka që mund të lidhet me virusin korona, ka edhe faqe të veçantë: koronavirus.gov.mk.