[Recension: MBYLLET EDHE AEROPORTI: 26 pasagjerë, shtetas të huaj, u kthyen nga aeroporti i Shkupit]
Për shkak se gjendja me koronavirusin shkakton vëmendje dhe interes të madh te lexuesit, si dhe për shkak se bëhet fjalë për raportim në kohë pandemie, duhet të raportohet me saktësi, pa gabime, pa dezinformata dhe me terminologji të saktë. Në tekstin që e recensojmë, titulli në të vërtetë është i pasaktë dhe e bën lexuesin të mendojë se nuk ka asnjë aktivitet në këtë aeroport.
Linku deri te artikulli origjinal: MBYLLET EDHE AEROPORTI: 26 pasagjerë, shtetas të huaj, u kthyen nga aeroporti i Shkupit
Data dhe koha e publikimit: 14.3.2020
Data e recensionit: 15.3.2020
Recenzues: Mirosllava Burns
Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se informimi i tillë jo preciz dhe i pasaktë mund të shkaktojë huti midis qytetarëve, sepse menjëherë pas publikimit të tij, qeveria miratoi një masë të re me të cilën Aeroporti i Ohrit “Shën Apostulli Pal” është mbyllur plotësisht brenda 48 orëve nga miratimi i masës nga qeveria. Për shkak se masa e mbylljes së plotë vlen për vetëm aeroportin e Ohrit, ka shumë gjasa që lexuesi të dezinformohet dhe të mendojë se kjo ka ndodhur edhe me aeroportin e Shkupit. Duhet të ketë saktësi të plotë dhe të pamohueshme në terminologji.
Ndalimi i hyrjes në territorin e vendit sipas vendimit të qeverisë, i cili hyri në fuqi në kohën e publikimit të tekstit që e recensojmë, vlen vetëm për vendet me rrezik të lartë për Kovid 19. Prandaj, nuk është e vërtetë se aeroporti është i mbyllur për të gjithë, siç sugjeron titulli, por vetëm për këta pasagjerë. Më vonë masa u zgjerua edhe për shtetasit e huaj nga vendet me rrezik të mesëm. Shtetasve të Maqedonisë që kthehen nga vendet me rrezik të mesëm dhe të lartë nga Kovid 19 u lejohet të kthehen, por duhet të nënshkruajnë një deklaratë me përgjegjësi të plotë penale dhe materiale se do të vetë-izolohen për 14 ditë që të shihet se a do të paraqiten simptoma pas periudhës së inkubacionit të virusit.
Vetë lajmi, përveç nëse nuk e marrim parasysh titullin që dezinformon, është bërë në mënyrë korrekte, në përputhje me rekomandimin për të shfrytëzuar burime zyrtare të informacionit, në këtë rast të Ministrisë e Shëndetësisë. Në pjesën përmbajtësore nuk ka asnjë problem.
Raportimi në periudhë të pandemisë sipas Kodit Etik të Gazetarëve duhet të bëhet pa sensacionalizëm, titujt nuk duhet të fryhen me masa jo-ekzistuese. Nuk pretendojmë se në rastin konkret kjo është bërë me qëllim, por thjesht e potencojmë rëndësinë e saktësisë.
***
Informacionet e fundit për Aeroportin e Shkupit janë në dispozicion në ueb-faqen e tij zyrtare skp.airports.com.mk, ku në kohën e publikimit të këtij artikulli mund të shihet se për ditët në vijim janë planifikuar fluturime të disa avio-kompanive.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e sëmundjes Kovid-19 të shkaktuar nga koronavirusi i ri. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.