“Akti patriotik” si mashë për tërheqjen e lexuesve

Nëpër media u shpërnda një “akt patriotik” të kushëririt të funksionarit të BDI-së Hazbi Lika i cili gjoja e ka dëbuar ish gjeneralin e “Branitellave” Stojançe Angellov nga një kafiteri në Tetovë. Një mori mediash në gjuhën shqipe,  e pastaj edhe në gjuhën maqedonase, filluan ta publikojnë lajmin për këtë ndodhi në stilin “copy paste” pa i hequr ose shtuar asgjë, dhe madje në fund të tekstit shkruante edhe gjoja konfirmimi i kushëririt të Hazbi Likës që vërtetë e ka bërë atë akt.  

Linku deri te artikulli: Kushëriri i Hazbi Likës përzë Stojanço Angelovin nga një kafeteri e Tetovës!

Data e publikimit: 19.02.2019

Data e recensionit: 27.02.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Pasi që ky lajm mori hov, gjenerali Stojançe Angellov  doli me demant. Ai pranoi të ketë qenë në kafiteri në Tetovë me shokët e tij, por mohoi që ti jetë afruar dikush madje e lëre më ta ketë dëbuar. Angellov u dha leksion mediave se është dashur që ti marrin të dy anët e problemit dhe ti kontaktojnë të dy personat që janë përmendur në tekst, dhe kështu do ta kishin storjen e plotë, pa dezinformata.

Mos lexoni lajme nga portale me ngjyrime partiake, politike se ju servojnë lajme gjysmake

Ndonjë medium që ka dashur tia bëjë qejfin me lëvdata vëllait të Hazbi Likës, duket që e ka nxjerrë këtë informacion i cili nuk ka bazë askund, dhe pastaj ka tentuar ta argumentojë gjoja me konfirmimin e vëllait të Likës, por ku është deklarata e Stojançe Angellovit? Mediat e internetit që e kanë transmetuar lajmin është dashur që të paktën të tentojnë vetë që ta konfirmojnë lajmin, e të mos e transmetojnë të gjithë gati fjalinë “lajmin e konfirmoi edhe vëllai i Hazbi Likës”. Pasi ky është akti më i lehtë në gazetari, por ka shumë pak vlerë, ose aspak.

Nëse nuk i keni të dy palët, mos i besoni lajmit

Ky është leksion për të gjithë ju lexuesit që të mos konsumoni gjithçka që ju servohet. Është fakt se gjatë periudhës së fundit nuk mund të bëhet dallim mes lajmit të vërtetë dhe të pavërtetë, për shkak të vërshimit me një mori lajmesh pa vlerë, por nëse ndjekni zhvillimet me kujdes, dhe mendoni se në favor të kujt mund të jetë ndonjë tekst i caktuar, do të dini të bëni dallimin mes lajmit të rrejshëm që ka për qëllim klimimet, dhe mes lajmit të vërtetë, me vlerë informative. Duhet të keni kujdes edhe nga lajmet ku nuk i keni të dy palët e përfshira në ndonjë problem ose informacion.