Askund nuk ka konfirmim se vërtetë Janeva ka folur me Hallaçin

Informacionet gjysmake dhe të pakonfirmuara nuk i shërbejnë informimit të drejtë dhe objektiv. Ata më shumë mund t’i hutojnë lexuesit se sa të arrijnë qëllimin e informimit. Artikulli që recensojmë ka mungesë të dhënash, informacone të pakonfirmuara dhe titull manipulues.

Linku deri te artikulli origjinal: Ja çka i tregoi Katica Janeva në skype Shek Hallaçit

Data e publikimit: 08.11.2019

Data e recensionit: 14.11.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Nga një status i shoqëruar me fotografi në profillin e “facebook” të përdoruesit Shek Hallaçi, autori i artikullit ka bërë një konstatim:

Shek Hallaçi i bur gosur nga Grupi i Kumanoves ka komunikuar me Katica Janeven ne Skype e cila poashtu eshte ne b urg.. – shkruan në tekst.

Më poshtë është shkrimi i plotë i Shek Hallaçit por askund brenda tij nuk precizohet se bëhet fjalë për bisedë në “skype”. Këtë përshtyje mund ta marrim vetëm nga fotografia dhe konteksti në të cilin ajo është përdorur por as postuesi nuk e sqaron atë. Madje nuk dihet nëse fotografia është e vërtetë ose montazhë.

Titull “problematik”

Përveç mungesës së konfirmimit nëse vërtetë ka pasur një bisedë në “skype” mes ish prokurores speciale Katica Janeva dhe të dënuarit për rastin e Kumanovës me emrin e përdoruesit në rrjetin social Shek Hallaçi, problem është edhe titulli. Ndërkohë që ai paralajmëron lexuesit që do të lexojnë “Ja çka i tregoi Katica Janeva në skype Shek Hallaçit” nuk e jep këtë informacion. Në tekstin e plotë në “facebook” parashtrohen disa pyetje dhe në pjesën e dytë janë disa konstatime të Shek Hallaçit.

“Kujt i pengon zbardhja e të vërtetës së 9-Majit atë dit në Kumanov? Përse Ali Ahmeti asnjëher nuk ka kërkuar të ket një hetim nga të jashtëmit për tradhëtin e 9-Majit?
Kush ishin kushtet që Ali Ahmeti kërkoj nga Zaevi për të formuar qeverin, a ishte dhe ngecja e procesit dhe mos hetim për rastin Kumanova njëra ndër pikat që Aliu kërkoj për formimin e saj? Përse Ali Ahmeti as edhe një pik loti nuk e derdhi dhe as edhe një her të vetme nuk i përmendi dhe nuk çoj një fjal në shenj lavdie për të vrarët në Kumanov?
Përse Ali Ahmetin e mundon kaq shum ky rast, përse nuk lejon zbardhjen e tij? “- shkruan në artikullin që recensojmë.

Teknikat e manipulimit

Në artikull janë shfrytëzuar vetëm dëshmi selektive dhe nuk është ofruar pasqyra e plotë dhe e qartë e zhvillimit. Me ose pa qëllim autori ka lënë pjesën e hyrjes së tekstit vetëm me një fjali e cila nuk tregon mjatueshëm.

Për lexuesit

Kur lexuesit klikojnë në një titull si ky, ata duan të marrin informacionet që titulli “ua premton”. Kur, sa dhe çfarë kanë biseduar në “skype” Janeva dhe Hallaçi? Si është mundësuar teknikisht biseda meqë të dy janë të burgosur dhe pajisjet e komunikimit supozohet se nuk i kanë të lejuara? Pse nuk është konfirmuar autenticiteti i fotografisë? Secili që e  lexon tekstin i lindin këto pyetje duke dashur të marrë më shumë informacione objektive, përskaj qëndrimeve dhe mendimeve personale të Hallaçit të bëra publike në “facebook”. Në kushtet kur këto informacione mungojnë, teksti është gjysmak dhe misioni i informimit objektiv nuk është plotësuar.