Blerim Reka nuk e nisi fushatën në ditën e rrenave dhe me ngjyrat e BDI-së

Fushata zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut është duke bërë që mediat ta humbin qëllimin kryesor: informimin e saktë, të paanshëm dhe të balancuar, pasi që shumica prej tyre janë duke e marrë rolin e “zëdhënësit të kandidatëve” dhe të furrave ku piqen lajmet e rreme.

Foto schreenshot nga lajmi që recensohet
Foto schreenshot nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Në ditën e rrenave dhe me ngjyrat e BDI-së, Reka nis garën për President

Data e publikimit: 01.04.19

Data e recensionit: 15.04.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull manipulativ dhe shtrembërues

“Në ditën e rrenave dhe me ngjyrat e BDI-së, Reka nis garën për President” kështu është titulli i lajmit që e recensojmë. Titulli i lajmit nuk përkon me të vërtetën, sepse kandidati presidencial nuk e ka filluar fushatën në “Ditën e Rrenave”, atëherë kur e kanë filluar edhe kandidatët tjerë. Titulli merr edhe përmasa të përvetësimit të materialit propagandues të kandidatit Reka, sepse sipas tyre ai ka përdorur ngjyrat e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Por kjo nuk është e vërtetë, Reka si ngjyra propaganduese ka tre: të verdhën, të kaltrën dhe të bardhën, ndërkaq BDI-ja ka vetëm dy: të kaltrën dhe të bardhën.

Përveç kësaj, ngjyrat e Rekës kanë të bëjnë edhe me njërin nga sloganet e tij: EUREKA, që nënkupton Reka për “EU”-në, Bashkimin Evropian, i cili ka flamurin me ngjyra kaltër dhe bardhë.

Reka nuk është kandidat i Aleancës dhe Besës

“Ish zyrtari i BDI-së, tanimë kandidat i Aleancës dhe Besës për President, Blerim Reka, duket sikur nuk i shmanget dot frymës së BDI-së dhe ka vendosur që në këtë fushatë të përdor ngjyrat dhe dizajnet me te cilat identifikohet Bashkimi Demokratik për Integrim, kaltër e verdhë”, thuhet në kokën e lajmit të recensuar.

Shtrembërimi i fakteve dhe përvetësimi i karakteristikave të kandidatit Reka ka vazhduar edhe në lajm, si për shembull: Reka paraqitet si ish zyrtari i BDI-së, ndërkaq ai ka qenë vetëm ambasador; Reka paraqitet si kandidat i Aleancës dhe Besës, ndërkaq ai është i pavarur por ka mbështetjen e këtyre dy subjekteve politike; Reka paraqitet si “vjedhës” i frymës së BDI-së, si “shfrytëzues”  i Sheshit “Skendërbeu” në Çarshi të Shkupit, i cili sipas lajmit paraqet “një nga projektet kapitale të BDI-së”, ndërkaq i njëjti është ndërtuar nga buxheti shtetëror.

Gazetari nuk duhet të akuzojë

“Ky veprim i ngjan popullores e cila thotë se ujku qimen e ndërron, por jo edhe vesin”, thuhet në lajmin e recensuar.

Me këtë, lajmi nuk është përmbajtjesor dhe nuk është gjithëpërfshirës, përveç kësaj, ai përmban edhe akuza dhe komente të cilat janë shprehur me fjalën e urtë, e cila nuk është cituar në mënyrën e duhur dhe në formën origjinale. Në rastin e lajmeve që përmbajnë informata me karakter akuzues, gazetari e ka për obligim që t’i atribuojë deklarimet e tilla.

Koncepti i manipulimit “Thirrje në autoritet” dhe “Argumenti kundër personit”

Që në titullin e lajmit, e në përfundim, lajmi ka pasur për qëllim të thirret në autoritet me të cilin ka manipuluar edhe lexuesit dhe të publikojë argumente kundër Blerim Rekës, gjë e cila ka për qëllim të diskreditojnë të njëjtin dhe kështu të ndikojnë edhe në qëndrimin e votuesve.

Diskreditimi i Rekës ka vazhduar edhe në përvetësimin e karakteristikave të tij nga BDI-ja.

Për lexuesit: Mos lejoni gazetarët t’ua komentojnë kandidatët

Fushata zgjedhore do të shpalosë shumë anomali në media, por e juaja duhet të jetë që të dini të zgjidhni mediat dhe gazetarët nga të cilët do të informoheni, prandaj nuk duhet të lejoni që kandidatët por edhe informimin ta paraqesin ata ashtu siç duan, por siç duhet. Komentimi nuk duhet të ketë vend në asnjë lajm, prandaj dhe ju nuk duhet ta regjistroni si informacion. Mos harroni, se një lajm i shkruar me gjuhë përbuzjeje dhe akuzuese, nuk është lajm dhe nuk ka për qëllim të ju informojë, por të ju kontaminojë dhe ndikojë në bindjet e juaja politike.