Kryeministri Zoran Zaev nuk kushtëzon partinë AlternAtiva

Që një tekst të jetë i kompletuar dhe ta arrijë qëllimin kryesor të tij, të informojë, patjetër duhet që t’i plotësojë kriteret që i kërkohen gazetarit gjatë përpilimit të atij teksti. Vërtetësia, prania e vakteve, burimet e informatave, përmbajtja, paraqitja e të vërtetës dhe paanshmëria, janë elementet kryesore që e bëjnë një tekst të kompletuar. Veçanërisht burimi i informacionit duhet të jetë patjetër i verifikuar dhe i vërtetuar, gjë që në tekste të caktuara nuk paraqitet si e tillë dhe e bën tekstin të pavërtetë dhe e dezinformon lexuesin. Gazetari gjithmonë mundohet që informatat që i plason të kenë lidhje me ndonjë dukuri aktuale dhe ndonjëherë disa gazetarë shfrytëzojnë një çështje aktuale për të fituar numër sa më të madh të klikimeve apo për përfitime të tjera. Në raste të caktuara ka tekste si ky, që në vend që të informojnë lexuesin, i krijojnë akoma më shumë huti, dhe me atë arrijnë qëllime të tjera, për t’i bërë favor ose dëm politik ndonjë partie apo personi.

Linku deri te artikulli: Zaev kushtëzon AlternAtivën: Ose krah për krah me BDI-në në fushatë ose e humbni Ministrinë e Kulturës!

Data e publikimit: 02.04.2019

Data e recensionit: 15.04.19

Recensuese: Ajnur Bafqari

Keni të drejtë nëse dyshoni derisa lexoni një tekst pa burime të cituara

Burime të informatave të pa verifikuara dhe të pa vërtetuara janë hasur në tekstin që po e recenzojmë.  Autori i tekstit është thirrur në burime brenda kabinetit qeveritar, duke i lejuar vetes që të njejtin të mos e potencojë e as të mos e citojë, e duke krijuar tek lexuesi ndjenjën e dyshimit. Ai ka shfrytëzuar një informatë që ka qarkulluar nëpër opinion, me qëllim që ta merr vëmendjen tuaj. Në mungesë të informatave zyrtare ai ka shkruar një tekst, gjoja nga burimet e tija dhe në këtë mënyrë ka mashtruar lexuesin, duke i dhënë atij një tekst që nuk përmban lajm.

Nga burime brenda kabinetit qeveritar, mësojmë se arsyeja që është kthyer në punë Asaf Ademi edhe pse me probleme shëndetësore është që Gashi me Ahmetin të jenë krah Stevo Pendarovskit që të mos humbin ministrinë e Kulturës.”- thuhet në tekst.

Deri ku arrin zhgënjimi, kur e kuptoni se jeni mashtruar?

Për këtë rast kanë qarkulluar informata në më shumë portale për gjoja dorëheqjen e Ministrit të Kulturës,  ndërkaq autori i tekstit konkret, ka shfrytëzuar poashtu periudhën parazgjedhore, duke e mashtruar lexuesin se po bëhen pazare politike në prag të zgjedhjeve presidenciale.
Lexuesit e këij teksti që e kanë marrë si të vërtetë, janë zhgënjyer në momentin që kanë parë demantin e Ministrisë konkrete, e cila të gjitha zërat për dorëheqje, i ka cilësuar si spekulime.

“Ministri Ademi pa ndërprerje në punë i kryen obligimet e veta të rregullta të punës, ndërsa aktivitetet e Ministrisë së Kulturës zhvillohen sipas dinamikës rrjedhëse”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.

Supozimet mbahen për vete, ato nuk mund të jenë lajme

Lexues të nderuar, nëse hasni në një tekst që ka vetëm një burim të informatave dhe i njejti nuk është i cituar, merreni me rezervë. Gjithmonë bëni kujdes nëse teksti që po lexoni posedon burim, kontrolloni numrin e tyre dhe sa relevante janë burimet e shfrytëzuara. Kontrolloni nëse burimet përfaqësojnë një ose më tepër palë. Keni kujdesë pasi në disa tekste gazetarët priren për të bërë një analogji midis dy gjërave të palidhura, dhe pastaj analogjinë e shfrytëzojnë për të bërë një supozim. Supozime mund të bëni edhe ju, pra nuk keni nevojë për supozimet e të tjerëve që ju servohen si lajm.