Qëllimi më i rëndësishëm i gazetarëve është të informojnë qytetarët në mënyrë objektive dhe të paanshme. Që informacioni të jetë objektiv dhe i paanshëm duhet të transmetohet konform rregullave dhe parimeve gazetareske. Pra, lajmi duhet të përgjigjet në 5 pyetjet gazetareske, të ketë burim të informacionit, të ketë qëndrim nga palët e përfshira dhe të ketë qëndrim nga ndonjë ekspert i fushës për temën që trajtohet. Lajmi që recensojmë nuk plotëson asnjë nga kriteteret e lartpërmendura.
Linku deri te artikulli: Çfarë po ndodhë me opozitën shqiptare? Tre ditë radhazi mungojnë në seancë
Data e publikimit: 08.04.2021
Data e recensimit: 12.04.2021
Recensoi: Shefkije Alasani
Jo-profesionalizmi i materialit që po recensojmë vërehet që në titull, ku autori vet parashtron pyetje dhe vet përgjigjet. ” Çfarë po ndodhë me opozitën shqiptare? Tre ditë radhazi mungojnë në seancë” është titulli i produktit mediatik që manipulon.
Tekst me informacione pa burime
Përmbajtja e produktit mediatik që po recensojmë përbëhet prej rreth 10 fjalish. Në këto 10 fjali autori, komenton, akuzon dhe spekulon i pa përmbajtur nga distanca emocionale, një kusht themelor që duhet ta plotësojë çdo gazetar.
Autori komenton mungesën e opozitës shqiptare në Kuvend dhe spekulon se “opozita shqiptare siç duket se ka mendjen tek qytetarët, por te ndonjë plan apo veprim populist sa për të tentuar të manipulojë qytetarët”, siç theksohet në tekstin që recensojmë. Në vijim të tekstit autori kalon në rolin e gjykatësin dhe gjykon mungesën e deputetëve si më poshtë:
“Kjo dëshmon një papërgjegjësi të pashembullt të tyre, dhe pa fije turpi keqpërdorin votën që e kanë marrë në emër të popullit!”
Pa dyshim se është detyra e gazetarit të hap debat në opinion, të kritikojë dhe të ngre problematika, por nuk është aspak punë e tij të komentojë dhe të gjykojë. Në raste të tilla gazetari është i detyruar të marrë qëndrim nga ndonjë ekspert i fushës, i cili në mënyrë profesionale sqaron publikun për dëmin që shkaktohet nga mungesa e deputetëve në seancat kuvendore. Nëse gazetari ka vendosur të trajtojë problematikën e mungesës së deputetëve në Kuvend, gjëja e parë që duhet të bëjë është ti kontaktojë ato dhe të kërkojë deklaratë zyrtare për veprimin e tyre. Është jashtë çdo parimi profesional që gazetari të komentojë dhe të spekulojë, gjë e cila theksohet edhe në Kodin etik të gazetarëve.
Neni 13 – Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.
Jo-profesionalizmi i autorit kulmon në rreshtin e fundit të tekstit ku thuhet: “Ndryshe, mungesa e tyre në Kuvend, lë hapësirë për të dyshuar edhe të ndonjë përçarjeje mes tyre tani në prag të zgjedhjeve lokale.”
Gazetari assesi nuk guxon të hap dilema kontroverse në opinion. Gazetari duhet të jetë i kujdesshëm në çdo informacion që përcjell tek publiku. Fryma e një informacioni janë burimet dhe jo supozimet që rrjedhin nga ndonjë situatë e caktuar. Në doracakun e Crithink theksohet se: Gazetari përdor burime informacioni për të vërtetuar se informacionin që e paraqet është i besueshëm. Një nga rregullat themelore në gazetari është se informacioni duhet të konfirmohet nga të paktën dy burime reciprokisht të pavarura dhe gazetari ka të drejtë të mos zbulojë emrin e burimit.
Informacionit që na përcillet në këtë produkt mediatik i mungojnë burimet. “Informacioni” që na servohet nuk ka as burime primare, as burime sekondare e as burime anonime. Mungesa e një elementi aq të rëndësishëm të një lajmi e bën atë të jetë lajm manipulues ose dezinformim.
Me qëllim që të mendojnë në mënyrë të paanshme dhe të pavarur, qytetarët duhet të dinë ta bëjnë vlerësimin kur një lajm është objektiv dhe i paanshëm dhe kur një lajm është manipulues. Qytetari i zakonshëm formon perceptimin e proceseve dhe situatave shoqërore bazuar në ndikimin e krijuesve të opinionit publik (të ashtuquajturit opinionmakers). Përderisa kemi kanale informative që nuk i përmbahen rregullave të gazetarisë profesionale duke raportuar në mënyrë të njëanshme dhe manipuluese, vlerat demokratike në shoqërinë tonë janë të rrezikuara.