Burimi anonim si “mburojë” për shkrime të pasakta

Foto e marrë nga Flickr
Foto e marrë nga Flickr

Shkruan: Ferikan Iljazi Arifi

Si mburojë për çdo informatë të pakonfirmuar disa media përdorin metodën e “burimeve” brenda ndonjë institucioni, burimeve anonime. Me këtë “mashë” po publikohet çka tu teket mediave dhe pastaj kur më dëmi është bërë dhe një numër i madh i qytetarëve janë informuar gabimisht, tentojnë të korrigjojnë gabimin. Por a arrin vallë demanti ose korrigjimi i asaj informate deri te të gjithë ata që paraprakisht e kanë lexuar lajmin e pasaktë? Sigurisht se jo. Prandaj edhe gazetarët nuk duhet të botojnë informata të pakonfirmuara!

Shembull është informata për gjoja bastisjen e shtëpisë së prokurores speciale Katica Janeva, që dyshohej të ketë lidhje me Boki 13 dhe Zoki Kiçeec të cilët zyrtarisht dyshohen për “zhvatje” ndaj biznesmenëve të Maqedonisë.

Mediat shpejtuan të japin lloj-lloj informacionesh për gjoja lidhjen e Janevës me zhvatjen, por askund nuk kishin burime zyrtare, edhe pse të njëjtën ditë kur mediat shkruanin se ka nisur bastisja te shtëpia e Janevës.

Kështu në Alsat u shpërnda lajmi se “burime nga MPB” u kishin thënë se “Pjesëtarët e MPB-së kishin qenë te shtëpia ku jeton Katica Janeva në lagjen Kozle në Shkup, por nuk kanë dhënë hollësi se për çfarë bëhet fjalë. Bastisja ka zgjatur 30 minuta”.

Teksti në Alsat

Nga vetë teksti i Alsatit duket demanti i vetvetes. Pavarësisht se thotë se kanë burime nga MPB që u kanë treguar se shtëpia e Janevës është nën bastisjes të policisë, më tej thotë se policia nuk ka treguar se çfarë bën te shtëpia e Janevës. Më tej thotë se bastisja ka zgjatur 30 minuta, ndërsa praktika e deritanishme, sidomos për vepra të rënda të korrupsionit, nuk njeh bastisje gjysmë-orëshe. Dhe këto fakte është dashur të jenë indikatorë të mjaftueshëm për të dyshuar në këtë informacion, por ja që ky medium nuk e ka bërë këtë. Ka vendosur të përdorë rrugën më të lehtë e cila është të përdorë burimet brenda policisë.

Më tej, tekst të ngjashëm ka publikuar edhe portali “Flaka.

Teksti te “Flaka”

Edhe pse ky portal e ka cituar televizionin “Kanal5 “ nuk është dashur që të përcjellë lajm të tillë të cilin nuk e ka konfirmuar as vetë televizioni. Përsëri, edhe ky medium thirret në burime të tij.

Ka edhe dhjetëra media të tjera që e kanë publikuar këtë informatë gjoja nga burimet e tyre apo janë thirrur në mediat e tjera që e kanë nxjerrë lajmin, por asnjëri nuk është munduar ta konfirmojë lajmin.

Mediat në maqedonisht masivisht përdorën “burimet” brenda institucioneve

Mediat në maqedonisht përcollën këtë lajm prej “burimeve të tyre” më masivisht. E tëra filloi prej televizionit Kanal5 i cili ishte ndër të parët që dha lajmin për bastisjen e policisë te shtëpia e Janevës.

Teksti te "Kanal"
Teksti te “Kanal 5”

Kanal 5 ka shkruar madje se Prokuroria për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dhënë urdhër zyrtar që të bastiset shtëpia e Janevës, edhe pse nuk ka ofruar asnjë provë për këtë gjë. Edhe këtu janë përdorur burimet nga prokuroria.

Shkrim të ngjashëm ka patur edhe portali “Makfax”.

Shkrimi te “Makfax”
Shkrimi te “Makfax”

Prokuroria doli me demant të shpejtë duke e shuajtur dilemën e bastisjes

Por, prokuroria ishte e shpejtë në përgjigjen ndaj këtyre “burimeve” ua bëri me dije të gjithëve se tek shtëpia e Janevës nuk ka pasur bastisje dhe se i është marrë vetëm celulari për të verifikuar se çfarë komunikimi ka pasur me të dyshuarin për zhvatje Boki 13 për të cilin edhe publikisht dihet se është mik i shtëpisë së Janevës.

Reagimi i prokurorisë
Reagimi i prokurorisë

“Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit i dënon ashpër shkrimet që u përhapën tek disa media, duke u thirrur në burime brenda prokurorisë, pasi përhapin spekulime për gjoja zgjerimin e hetimit dhe për përmbajtjen e provave materiale në këtë lëndë për mito për ndikim të paligjshëm. Prokuroria e informon opinionin se vetëm kumtesat e publikuara në ueb faqen e prokurorisë dhe deklaratat e prokurorëve janë burime të besueshme të informacioneve lidhur me këtë lëndë. Hetimi sapo ka filluar, dhe në këtë moment nuk mund të flitet për zgjerimin e hetimit, por nuk përjashtohet mundësia që nëse gjatë hetimit vijmë deri tek prova relevante, që ta zgjerojmë hetimin”, shkruan në reagimin e prokurorisë.

Kjo informatë është vetëm një prej dhjetëra shembujve të tillë që në bazë ditore publikohen nëpër media, prandaj është e rëndësishme që të kujtohet se gazetarët e kanë për obligim që të verifikojnë çdo informatë deri në fund.

Puna e gazetarit është të vërtetojë dyshimet që qarkullojnë në opinion dhe që janë me interes publik. Ose nëse nuk mund ti verifikojë, të paktën të dëshmojë se ka tentuar. Në këtë rast është dashur që të kontaktojë palët e përfshirë, respektivisht prokurorinë, që edhe nëse publikohet lajmi të jepet edhe qëndrimi i prokurorisë.

Kodeksi i gazetarëve të Maqedonisë së Veriut është i qartë në aspektin e përdorimit të burimeve anononime.

  • Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
  • Gazetari do të përpiqet të garantohet publikimi i korrigjimit, demantit dhe përgjigjes, në rast kur do të vërtetohet pasaktësia e informatës.
  • Gazetari do ta publikojë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë.
  • Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)

Burimet nuk janë të ndaluara, kjo duhet bërë e qartë, por ama burimi është vetëm pikënisja e jo i gjithë lajmi apo informacioni. Pohimet e burimit duhet të mbulohen me dëshmi dhe deklarata, gjë që në këtë rast nuk është bërë.