Mediat manipuluan, fotografia e Janevës në kufi është bërë që nga viti 2016-të e jo tash

Fotografi nga lajmi që recensohet
Fotografia e medias "Alsat-M" më 10 gusht 2019

Disa media në Maqedoninë e Veriut e kanë manipuluar publikun me fotografinë e prokurores në dorëheqje të Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva dhe informacionin se ajo është kthyer nga pushimet vjetore. Fotografitë që u shpërndanë si “rrufeja” janë të viti 2016-të, dhe me këtë nuk mund të themi se, Janeva është kthyer ose jo nga pushimet për të cilat mediat raportuan se është duke i kaluar në Greqi.

Fotografi nga lajmi që recensohet
Fotografia e medias “Macedonia Online” në vitin 2016-të

Linku deri te artikulli origjinal: “Katica Janeva fotografohet në një vendkalim kufitar”

Data e publikimit: 10.08.2019

Data e recensionit: 11.08.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Lajmi që në fillim u publikua nga media “Alsat-M” dhe që u përvetësua shumë lehtë e shpejtë nga mediat tjera, në qendër kishte fotografinë ku shihej Janeva në vendkalim kufitar. Fotografia e njëjtë, me po të njëjta rroba dhe në po të njëjtin vendkalim kufitar është publikuar më 7 korrik 2016 nga media “Macedoniaonline.eu”.

“Nëpër rrjete sociale janë shpërndarë fotografi të reja ku shihet prokurorja e PSP-së, Katica Janeva. Nga profili me emër “Nacalnikot” në Twitter janë shpërndarë fotografi të Janevës në një vendkalim kufitar. Nuk dihet se nga cili vendkalim janë bërë fotografitë. Ditëve të fundit në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi të Janevës në bregdetin grek.” shkruan në këtë tekst.

Edhe pse ky medium ka shkruar se “nuk dihet se nga cili vendkalim janë bërë fotografitë” nuk e amniston atë në shpërndarjen e informatës së gabuar. Gazetari që e ka bë lajmin është dashur të verifikojë informatën dhe jo të përcjellë atë që sheh nëpër mediat sociale. Roli i gazetarit është të çojë punën deri në fund dhe jo të len informata gjysmake si kjo, të thirret në burime të “rrjeteve sociale”.

Manipulimi me fotografinë dhe kthimin ose jo të Janevës nga pushimet, vjen në kohën kur interesi i publikut për t’u informuar më shumë për lëndën e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen krimit dhe korrupsionit, “Reket” është tejet i madh dhe në vazhdën verifikoi autenticitetin e bisedës Janeva  – Kamçev në materialin e përgjuar nga media italiane “La Verita”.

Në materialin e përgjuar nga media italiane “La Verita” Janeva dëgjohet duke i thënë biznesmenit të akuzuar në rastin “Perandoria” të PSP-së, Orçe Kamçev se “gjithçka do të jetë në rregull”.

Në rastin “Reket” jozyrtarisht thuhet se e dyshuar është edhe Janeva, si ndërmjetësuese e reketimit të biznesmenit nga ana e të dyshuarve Bojan Jovanovski apo Boki 13 dhe Zoran Milevski apo Zoki Kiçeec.

Për lexuesin: Fotografitë vërtetë flasin sa 1000 fjalë, por shpejtë manipulojnë

Rasti i fotografisë së Janevës në vendkalim kufitar është shembull i mirë se si mediat me pak punë, në vend të ju informojnë saktë, ju dezinformojnë. Për të shmangur situatat e manipulimit të fotografive, të cilat zakonisht përdoren me dozë aktualiteti, verifikoni burimin  fotografisë apo publikimi fillestar të saj.  Kjo bëhet shumë lehtë, me një kërkim me përmbajtje “google images” (fotografi gugëll). Pas rezultatit të kërkimit, nga ana e djathtë ju del ikona e kamerës dhe aty mund të bëni “upload” (ngarkoni) fotografinë dhe ju del vendi i publikimit fillestar.