“Thirrja në autoritet” nuk mund ta verifikojë informacionin gazetaresk

Foto: Pexels

Keqinformimi më i madh vjen kur burimi i informacionit është “Thirrja në autoritet”, që në të shumtën e rasteve janë prej partive politike dhe institucione shtetërore. Ndonjëherë të transmetuara me emër dhe mbiemër të burimit, e ndonjëherë si anonime. Kjo zakonisht bëhet qëllimshëm, sepse media më lehtë e ka të marrë të gatshme një informatë, dhe mos ta verifikojë atë, sidomos kur ajo i shkon në favor të realizimit të një politike apo ideologjie. Prandaj duhet edhe verifikim të informatës së dhënë nga autoriteti.

Nga: Fatbadha Curri

“Thirrja në autoritet” nuk mund ta faktojë informacionin

Në situatën e Maqedonisë së Veriut, kur qeveria përbëhet nga më shumë parti, ku rikonstruimet janë të çdo gjashtë muaj,  ku ndasitë etnike janë të dukshme, është më se e qartë se këto janë edhe “masha” për të tërhequr edhe klikime e realizuar propagandë. Thirrja në autoritet në këtë rast më shpesh ka të bëj me pretendimet mediave, sesa paraqet një fakt.

E shqipëruar si “Thirrja në autoritet” e ndërkaq e njohur në terminologjinë ndërkombëtare si “Argument from authority”, ajo mund të ketë peshë në rast se bëhet fjalë për fusha më të specifikuara si “mbrojtja e të dhënave personale”, “deponitë” apo edhe “privatësia”. Ekziston gjithmonë një rast që autoriteti të jetë i gabuar. Për shembull, ne marrim një ekspert të ndonjërës fushë për të sqaruar efektet e asaj fushe, megjithëse për të verifikuar faktin, duhet të kemi më shumë ekspertë apo burime të informacioneve. Vetëm shumëllojshmëria e burimeve mund të jetë “sitë” për verifikimin të informacionit apo sigurimin e fakteve.

  • Rast të tillë kemi kur pjesa dërmuese e mediave shqipfolëse dhe maqedonasefolëse raportuan për shpalljen e zgjedhjeve të degëve të BDI-së.

“Ali Ahmeti shkarkon të gjithë kryetarët e degëve të BDI-së?!”, thuhet në titullin e lajmit i cili u mor copy-paste nga të gjitha mediat

Duke u thirr në autoritet, i cili në këtë rast ishte anonim, mediat raportuan se kishte shkakrim të kryetarëve të degëve të deritashëm. Në fakt, pas demantit që pasoi nga vetë partia në fjalë, u kuptua se kryetarëve u kishte skaduar mandati, dhe nuk kishte të bëj me shkarkime. Shumë prej mediave, duke rënë pre e konceptit të manipulimit “Thirrje në autoritet”, informacionin e transmetuan si veprim të lideri të partisë, Ali Ahmeti.

Në këtë rast, thirrja në autoritet paraqet një porosi e cila trajtohet si e vërtetë, vetëm se është përcjellë nga liderë politikë.

  • Rasti i dytë ishte me paraqitjen e vëllait të “El Çekës” në stacion policor në Tetovë.

“Arrestohet vëllai i El Çekës”, thuhet në titullin e lajmit, i cili poashtu u mor copy-paste nga të gjitha mediat.

Duke u thirr në deklaratë të dhënë nga stacioni policor, lajmi u paraqit si arrestim i “El Çekës”. Në fakt, nuk ishte arrestim, por vetëm paraqitje e tij për paralajmërim të protestës. Nga deklarata e cituar më pas nga mediat, dukej se edhe vetë deklarata ishte nxjerrë nga konteksti, vetëm që të arrihet pretendimi se “pushteti është duke tentuar ta pengojë veprimtarinë” e të apostrofuarit.

  • E kemi dhe rastin e manipulimit të kryeministrit Zoran Zaev nga dy humoristët rusë, me të cilët duke biseduar Zaevi, kishte përmendur “shkëmbimin e territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

“Kosova jep 10 komuna, Serbia Preshevën”, thuhet në lajmin tjetër, i cili u plasua nga mediat tjera.

Një pjesë e mediave që përcollën deklaratën e Zaevit vetëm nga përgjimet

Informacioni nga mediat e Kosovës u mor si copy-paste, dhe pa kërkuar sqarim për rastin e bisedës Zaev – humoristë rusë, ata e transmetuan si deklaratë të Zaevit se mes “Kosovës dhe Serbisë do të ketë shkëmbim territoresh prej 10 komunash kundrejt Preshevës që do ti takojë Kosovës”. Situata eskaloi deri aty, sa thirrja në deklaratën e e Zaevit ngjalli reagime nga parti politike të Kosovës, të cilët kërkonin përgjegjësi nga udhëheqësi i dialogit të Kosovë – Serbi, Hashim Thaçi.

Që të kenë më të qartë këtë situatë, e posedimit të një burimi të informacionit duke u thirr në “Thirrje në autoritet”, dhe duke shmangur burime të tjera me fakte të kundërta, publiku dhe mediat gjithmonë duhet të kenë parasysh parimet e mëposhtme para vjeljes së fakteve.

  1. Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.
  2. Nëse gazetari pengohet të arrijë deri te informata e kërkuar, ai ka të drejtë për këtë të informojë opinionin.