Shfrytëzimi i gjuhës shqipe dhe maqedonase si grep për informata pa interes publik

Fotografia e medias “Tetova 1”

Shfrytëzimi i gjuhës shqipe dhe maqedonase paralelisht në institucionet shtetërore dhe në dokumente të identifikimit duhet të jetë temë nëpër mediat tona kur ata vërejnë se ka shkelje dhe moszbatim të ligjit. Disa media manipulojnë me këtë çështje duke hapur debate që nuk janë të frytshme. Prandaj artikulli gazetaresk që do ta recensojmë, nuk ka esencë dhe as interes publik.

Fotografi nga lajmi që recensohet
Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: “Shtetësia e re në dy gjuhë, ja çfarë shkruajnë portale maqedonase?”

Data e publikimit: 15.08.2019

Data e recensionit: 18.08.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull sensacional

Duke e pasur parasysh se çështja e mos/përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut ka qenë temë diskutimi për vite me radhë, nisja e zbatimit të saj në institucione dhe dokumente të identifikimit më është definuar me Ligj i cili përkufizon qartë dhe saktë se në cilat suaza dhe në çfarë forme duhet të shfrytëzohet gjuha shqipe. Meqenëse deri tash shfrytëzimi i gjuhës shqipe ka hasur në rezistencë, media “Tetova 1” ka përdorur këtë situatë, që ta tërheqë syrin e lexuesit duke i dhënë senzacionalizëm temës duke theksuar “maqedonase” në titull.

“Shtetësia e re në dy gjuhë, ja çfarë shkruajnë portale maqedonase?” është titulli.

Kjo është në kundërshtim me parimin e Kodit Etik të Gazetarëve:

“Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me mirësjelljen dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni”.

Nëse lexohet më tej shkrimi, shihet se pjesa e parafrazimit të shkrimit nga media maqedonase “Kurir” nuk transmeton diçka të jashtëligjshme. Nëse e shikojmë paragrafin e parë, është përdorur fjala “përgojime”. Këtu media ka përdorur edhe konceptin e manipulimit “Thirrje në shumicë” pasi që çështjen e ka paraqitur si raportim të shumë mediave e shumë individëve, ndërkaq ka cituar vetëm një media.

Kjo është në kundërshtim me parimin e parë të Kodit Etik të Gazetarëve i cili thotë:

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”.

Sa për informatë, çështja e nënshtetësisë është diçka e ligjshme dhe e cila vjen në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës. Nënshtetësia sipas saj duhet të shkruhet maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Për lexuesit: Gjithmonë pyeteni veten se veprimet a janë në kuadër të Ligjit

Nëse lexoni shkrime konfuze që nuk paraqesin lajm apo informatë të frytshme, pyeteni veten gjithmonë: çfarë informatash marr nga kjo që është transmetuar? Çfarë ka këtu për tu habitur apo për tu informuar? Pse duhet ta di këtë gjë dhe çfarë mësoj nga e njëjta?
Nëse përgjigjet nuk ju dalin mirë, atëherë shkrimin nuk duhet marrë parasysh.