Konstatimet i bën publiku, jo gazetari

Lajmi i Zhurnal-it

Media ka rol vëzhgues dhe hulumtues mbi të gjitha zhvillimet institucionale dhe shoqërore të cilat përbëjnë interes publik. Secili fenomen duhet të trajtohet në mënyrë kritike dhe normalisht të merren parasysh të gjitha aspektet. Në rastin e tekstit që recensojmë, kritikat subjektive të autorit bien mbi një person, opinioni i tij nuk është marrë aspak parasysh dhe kronologjia e ngjarjeve është injoruar tërësisht.

Fotografi nga lajmi që recensohet
Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Të gjithë kundër Gjorgji Ilievskit!

Data dhe koha e publikimit: 19.07.2019, 20:03

Data e recensionit: 19.08.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Pse teksti është subjektiv?

Gjorgji Ilievski është inspektor në Inspektoratin e Arsimit i cili kohëve të fundit ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave për shkak se ka paraqitur parregullsi në institucione të caktuara të arsimit të cilat ai pretendon se i ka konstatuar gjatë inspektimeve në terren dhe për të cilat Inspektorati, si organ, ka heshtur. Pretendimet e tij mund të jenë pikënisje e mirë për hulumtime gazetareske në rast se gazetari dëshiron të arrijë tek e vërteta. Por, në vend të hulumtimeve gazetari në këtë tekst ka zgjedhur të sulmojë dhe diskreditojë figurën e Ilievskit duke marrë si shembull një status të një personi të tretë në Fejsbuk dhe duke e mbushur tekstin me komente të tij personale.

*(Fjalët e nënvizuara janë komente dhe shprehje të qëllimshme diskredituese.)

“Inspektori i arsimit Gjorgji ilievski, për të cilin ka ngritur masë disiplinore vetë institucioni ku ai punon – Inspektorati Shtetëror i Arsimit, është vënë në shënjestër të kritikave dhe talljeve nga profesorë universitar dhe njerëz të botës akademike. Pas përpjekjeve të fundit të tij për të luajtur rolin e viktimës, Ilievski po demaskohet për jo profesionalizëm dhe veprime selektive. Persona që njohin “bëmat” e Iliveskit, nuk kanë ngurruar që nëpër rrjetet sociale ti kujtojnë këtij farë inspektori sa joprofesionit dhe i paaftë është në të vërtetë ai.” shkruhet në lajm.

Kjo nuk është gjuhë standarde të cilën një gazetar e përdor në tekstet e tij. Paaftësinë ose joprofesionalizmin e dikujt mund ta vë në pah dikush tjetër i cili e njeh mirë atë fushë por gazetari nuk mund të marrë rolin e ekspertit për të bërë kështu konstatimesh në lajm.

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit. – shkruan në Kodin etik të gazetarit.

Tekst i njëanshëm

Kur gazetari ka zgjedhur për të transmetuar një postim të një nëpunëse të një universiteti, do të thotë se bëhet fjalë vetëm për njërin aspekt të kësaj historie e cila mund të ketë dy, tre ose më shumë kënde. Në vend që të zgjidhte vetëm persona të cilët janë kundër inspektorit, duhet të ishte kushtuar vëmendje edhe asaj se çfarë mendon pala tjetër. Autori nuk tregon pse Ilievski “ka qenë në qendër të kritikave” këtë periudhë, nuk tregon për parregullsitë të cilët Ilievski thotë se i ka konstatuar në disa institucione të arsimit në vend dhe nuk ka marrë qëndrimin e tij dhe të inspektoratit ku ai punon.

Teknikat e manipulimit

Në tekst janë gërshetuar dy teknika manipulimi. Aty gjenden dëshmi selektive dhe argument rrethanore. Autori ka zgjedhur vetëm atë që ka dashur të publikojë duke i mbetur besnik asaj që paralajmëron në titull dhe në fund ka sjellë konkluzione se titulli i tij rezulton të jetë i vërtetë.

Lexuesit duhet të dinë!

I gjithë teksti është shkruar qartë në konotacionin sikur të gjithë janë kundër Gjorgji Ilievskit, ashtu siç e ka edhe titullin, konstatues, të njëashëm dhe subjektiv. Dy persona “të botës akademike” nuk janë “të gjithë”. Lajmi nuk mund të jetë profesional dhe objektiv nëse në të nuk e gjejmë qëndrimin e të gjithë palëve të prekura dhe nëse komentet personale të gazetarit nuk janë ndarë nga pjesa tjetër informuese e tekstit.