Çfarë është “hakmarrja pornografike” dhe çfarë lloj pasojash sjell?

“Hakmarrja pornografike” (e njohur si revenge porn) paraqet shpërndarjen publike të materialeve të jashtme private (fotografi ose video) me përmbajtje seksuale, pa pëlqimin e personit të cilit i përkasin materialet, me qëllim të turpërimit dhe shqetësimit të atij personi. Më së shpeshti shpërndarja e përmbajtjeve seksuale shoqërohet me shpërndarjen e informatave personale dhe njollosje të reputacionit të viktimës

Shkruan: Kristina Kostova

“Hakmarrja pornografike” i bën viktimat të prekshme në diskursin publik dhe i ekspozon ata në rrezik potencial. Mundësia për shpërndarje të përmbajtjeve të këtilla shpesh herë përdoret si mjet për t’i shantazhuar individët për t’u përfshirë në akte të caktuara seksuale ose për ta vazhduar një lidhje të caktuar.

Shumë persona të famshëm kanë qenë viktima të “hakmarrjes pornografike”, të cilën e kanë publikuar partnerët e tyre të mëparshëm (Misha Barton, Rihanna, Kim Kardashian West, Jelena Karleusha e të tjerë). Në vendin tonë dhe në rajonin tonë, përveç publikimit të materialeve eksplicite seksuale të personave të famshëm, ndodh që të publikohen fotografi dhe/ose video të njerëzve që nuk janë fare të famshëm. Rasti i fundit i tillë është publikimi i fotografive të një gruaje nga Shtipi në “Twitter”, me ç’rast në tuitin e njëjtë u zbulua edhe identiteti dhe profesioni i saj.

“Hakmarrja pornografike” është një formë e abuzimit seksual, i cili pothuajse gjithmonë është i shoqëruar me abuzime emocionale, ndjekje dhe shantazh. Zakonisht viktimat janë gra. Shumë shpesh ka pasoja shkatërruese për jetën e viktimave, të cilat, për fat të keq, vështirë e marrin veten nga dëmi i shkaktuar.

KRIMI SEKSUAL

Kultura që i mëson djemtë dhe burrat se sjellja e këtillë e ligët është e pranueshme, bazohet në premisën se trupat e grave janë sende të dedikuara për kënaqësi voajerike. Kjo përdhosje e privatësisë e zhvendos fajin në vend të gabuar – te gruaja, e jo të kundërvajtësi, që e ka keqpërdorur besimin, ka shantazhuar, është hakmarrë dhe e ka marrë të drejtën të gjykojë jashtë institucioneve. Por, përkundër qëllimeve për defokusim nga keqbërjet e kundërvajtësit, pavarësisht nga helmimi i tërbuar i diskursit publik me parimet e patriarkatit, është fakt se nuk është përgjegjësi e individit që vetë të mbrohet nga ndonjë abuzimi dhe sulm seksual.

Ngjarjet e këtilla nuk janë skandal, por krim seksual. Publikimi i përmbajtjeve eksplicite të njerëzve pa pëlqimin e tyre është shkelje serioze e privatësisë dhe pronësisë së lirë që e kemi mbi trupin tonë. Prandaj, duhet të ekzistojë një kornizë ligjore për ndëshkimin e këtyre çrregullimeve.

Legjislacion kundër “hakmarrjes pornografike” ekziston në Izrael, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, në 40 nga 50 shtetet federale të SHBA-ve, duke e përfshirë edhe në kryeqytetin Uashington dhe në ushtrinë e SHBA-ve, në Australi dhe në vende të tjera.

NDRYSHIMI KULTUROR

Në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston një kornizë e rreptë ligjore, dhe për këtë arsye nuk ka të dhënat të sakta statistikore për atë se sa në të vërtetë është i përhapur ky fenomen. Por, viktimat mund t’i referohen nenit 152 të Kodit Penal. Sipas këtij neni, personi i cili pa autorizim do të bëjë incizime fotografike, filmike ose me video të një personi tjetër ose të ambienteve të tij personale pa pëlqimin e tij, duke e shkelur privatësinë e tij ose personi që incizimet e tilla drejtpërdrejt ia përcjell një personi të tretë ose ia tregon atij ose në ndonjë mënyrë tjetër i mundëson të njoftohet me përmbajtjen e tyre, do të dënohet me dënim me para ose me burgim deri në një vit.

Po, mizogjinia është e ngulitur në jetën tonë të përditshme deri në atë masë, sa që praktikisht është e institucionalizuar. Por, duhet të ndërmerren hapa konkretë për t’i sanksionuar ligjërisht krimet e tilla, viktimat e të cilave pothuajse gjithmonë janë gra.

Ligjet nuk do të garantojnë ndryshim të gjerë kulturor. Por, ndëshkimi penal i “hakmarrjes pornografike” dhe garantimi i dënimit të saj mund të ofrojnë mbrojtje dukshëm më të madhe për gratë në të ardhmen.