Duhet theksuar dallimi mes lajmit dhe komentit

Fotografi ilustruese (https://www.facebook.com/koment.media/)
Fotografi ilustruese (https://www.facebook.com/koment.media/)

Që në fillimet e profesionit të gazetarisë mësohet ekzistenca e disa llojeve të zhanreve të teksteve gazetareske ose publikimeve në media. Secili zhanër ka disa karakteristika të cilat e veçojnë nga zhanri tjetër. Ata ndryshojnë për nga rëndësia, pasha, synimi, mesazhi që përcjellin. Por, më e rëndësishmja, zhanret gazetareske ndryshojnë për nga struktura, përmbajtja, gjuha e përdorur dhe mënyra e shprehjes. Gazetari duhet ta bëjë dallimin i cili duhet të jetë i qartë edhe për lexuesit.

Nga Fatlume Dervishi

Qëllimi i këtij artikulli nuk është të sqarojë të gjitha zhanret, të përbashkëtat dhe dallimet e tyre. Qëllimi është të bëhet dallimi vetëm mes lajmit dhe komentit. Ngatërresën e tyre me ose pa qëllim e hasim pothuajse çdo ditë në media. Pa dyshim se kjo ngatërresë krijon konfuzion, ka ndikim dhe efekt tjetër nga ai që supozohet të ketë lajmi ose të ketë komenti. Me këtë, bëhet njëfarë manipulimi me lexuesit. Këtu bëhet fjalë kryesisht për formën më të shprehur të kësaj ngatërrese në mediat tona, konkretisht, “shitjen” e komentit për lajm.

Çfarë e dallon lajmin nga komenti?

Gazetarët, gjënë e parë që mësojnë në profesionin e tyre është definicioni për lajmin. Me fjalë të shkurtra, ai është riprodhim faktografik i ngjarjeve, informon por nuk komenton. Për shkrimin e lajmit ka një strukturë fikse. Koka e lajmit ose informacioni kryesor është në krye, jepet që në fjalinë e parë. Më tej lajmi ka sqarime me sa më shumë fakte dhe në fund “background-in”.

Lajmi është forma kryesore, më e shpejtë, më masive dhe më e rëndësishme, mbi të cilën ndërtohen të gjitha format më të larta. Kryesore dhe më e rëndësishme për lajmin është që në plan të parë të jenë informacioni, vlera dhe rëndësia e tij. Nëse nuk i ka këto elemente, nuk ka lajm. Edhe pse gjini kryesore, lajmi bëhet sipas rregullave të caktuara që duhet të respektohen.

  1. Parimi i rëndësisë rritëse duhet në mënyrë të ashpër të respektohet. Kjo do të thotë se më e rëndësishmja në lajm – koka e tij, gjithmonë duhet të jetë në fjalinë e parë. Jo më pak e rëndësishme është që fjalët në fjalinë e parë të renditen sipas rëndësisë.
  2. Pesë pyetjet më kryesore në të cilat lajmi duhet të përgjigjet janë: Kush? Çka? Ku? Si? Pse? Renditja vazhdimisht ndërrohet. Gazetari e përcakton se kush nga këto elemente do të jetë në fjalinë e parë, me të cilën do të fillojë lajmi.
  3. Shkrimi duhet të jetë me fjalë të thjeshta dhe të kuptueshme dhe me përdorim të fjalëve të shkurtëra. Teksti, i shkruar ose i shqiptuar duhet të jetë i qartë dhe i kuptueshëm. Citatet duhet të jenë qartë të shënuara – shkruan në Doracakun gazetaresk.

Rregulla kaq strikte nuk ka për komentin. Ai është formë më e lirë e të shprehur në të cilën, strukturën, formulimin e fjalive dhe mënyrën e shprehjes e definon vetë autori. Komenti, jo domosdoshmërish ka nevojë për fakte dhe citate. Autori mund të mbajë anë dhe nuk është i detyruar të citojë qëndrimin e palës tjetër. Thjeshtë, ajo është hapësira për shprehje pa pasur korniza të definuara paraprakisht ku të duhet të lëvizësh patjetër në kuadër të tyre.

Thelbi i komentit përbëhet nga pozicione dhe vlerësime personale. Duhet të jetë plotësisht e qartë se si dhe pse dikush e përfaqëson opinionin e tij. Autori në fokus i vendos ngjarjen ose informacionin përmes prizmit personal të vëzhgimit. Është e rekomandueshme të vendosen edhe kundërargumente të mundshme. Opinioni i komentuesit nuk guxon të ngarkohet me konstatime të thjeshta ose apele të përgjithshme. Gjatë komentimit autori përdor stil, i cili sinjalizon afërsi me publikun, që të mos fitohet bindje se bëhet fjalë për ekspert që u drejtohet ekspertëve – shkruan në Doracakun gazetaresk.

Si publikohet lajmi dhe si komenti?

Deri sa një formë e shkrimit ndërtohet mbi më shumë kritere etike dhe profesionale dhe forma tjetër është më shumë shprehje e lirë dhe personale, natyrisht se ka edhe mënyra të ndryshme për publikimin e tyre. Në televizione dhe radio, gjatë publikimit të komentit të medias (të njohur si editorial) ose të gazetarit, ai definohet si i tillë, si koment, duke u ndarë qartë nga lajmi. Edhe gazetat kanë faqe të veçanta për komente. I njëjti parim vlen edhe për mediat elektronike, portalet informative. Në rreshtin ku bëhet kategorizimi i publikimeve, krah kategorisë së lajmeve, duhet të ekzistojë edhe kategoria e komenteve. Kuptohet, ky parim nuk vlen për portalet të cilat kanë vendosur të mos publikojnë asnjëherë komente. Por, ka raste kur këto media të cilat nuk e kanë kategorinë e komenteve, publikojnë komente në kategorinë e lajmeve. E dyta, ka media kur e kanë kategorinë e komenteve dhe përsëri i publikojnë ato në kategorinë e lajmeve.

Shembuj

Shkrimi me titull “Me Ali Ahmetin Maqedonia në NATO” u publikua në disa portale. Në përmbajtje, ky shkrim është koment (opinion) i një personi, me vlerësime subjektive, fjalë lavdëruese dhe qasje të njëanshme. Në disa prej portaleve shkrimi u publikua sipas rregullave për publikimin e këtij zhanri. Në disa të tjera, nuk u respektuar standardet profesionale.

Në publikimin e parë, “Me Ali Ahmetin Maqedonia në NATO”, artikulli është publikuar në kategorinë e lajmeve. Subjektiviteti vërehet që në titull por deri në fund të tekstit, lexuesi nuk mund ta definojë qartë se bëhet fjalë për koment me autor. Vetëm në fund shkruan autori “Ismet Sylejmani, Prishtinë, më 6 shkurt 2019!” gjë që sqaron se bëhet fjalë për opinion personal të dikujt. Kjo ndodh edhe në publikimin tjetër, “ME ALI AHMETIN MAQEDONIA NË NATO”. Në rastin e dytë, në mënyrë plotësuese, diku si pjesë e fotografisë brenda tekstit mund ta lexojmë se bëhet fjalë për opinion. Por këtë nuk e lexojmë në vetë tekstin e publikuar, ashtu si në rastin e parë, deri në fund të tij. Lexuesi nuk e dinë sakt se çfarë është duke lexuar deri sa arrin në fund të publikimit.

Ja një shembull se si ky tekst duhet të publikohet! Në kategorinë “Opinione”, tekstit me po të njëjtin titull “ME ALI AHMETIN MAQEDONIA NË NATO”, fillimisht i është shkruar autori. Fakti që është ndarë në kategori të përshtatshme dhe i është shkruar autori që në krye, e bën shumë të qartë për lexuesit se është vlerësim personal i dikujt. Autori në të ka të drejtë të shfrytëzojnë të gjitha format e lartpërmendura karakteristike për komentin.

Një dallim të qartë mes fakteve dhe komenteve sugjeron edhe Kodi etik i gazetarëve.

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit – shkruan nëKodin etik të gazetarëve.

Respektimi i parimeve bazë të gazetarisë në portale, për momentin, varet nga vullneti i tyre. Ato, gjithsesi, janë parime etike profesionale dhe duhet të respektohen nga secila media.