“Gazetarët” e keqinterpretuan deklaratën e liderit të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev për tabelat në gjuhën shqipe. Kjo, sepse Zaevi foli vetëm për tabelat në Gjevgjeli, Koçan e Prilep, e kurse mediat e transmetuan sikur të ketë folur për tërë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe gjuhën shqipe. Këtë e bënë madje duke i transmetuar artikujt me kopjim apo “copy-paste”.
Linku deri te artikulli origjinal: “Zaev: Bëmë gabim me dygjuhësinë në tabela, do ta heqim gjuhen shqipe (FOTO)”
Data e publikimit: 29.02.2020
Data e recensionit: 01.03.2020
Recension: Fatbardha Curri
Tituj dhe artikuj “copy-paste”
“Zaev: Bëmë gabim me dygjuhësinë në tabela, do ta heqim gjuhen shqipe (FOTO)”, është titulli që mund të lexohet në dhjetëra media. Krahas titullit, i njëjti është edhe artikulli që është publikuar në po të njëjtat media.
“Është thyer tabela e dygjuhësisë në Qendrën ndërkomunale për Punë Sociale në Prilep. Pasi Zoran Zaev mbrëmë në duelin televiziv me liderin opozitar Hristijan Mickovski deklaroi se është bërë gabim para vënies së tabelave dy gjuhësore në Komunat ku nuk ka përfaqësim të duhur të përqindjes së popullatës shqiptare,sot në Prilep është thyer njëra ndër tabelat dy gjuhësore. ” Qytetarët janë të zemëruar nga poshtërimi i qeverisë dhe po demonstrojnë revoltën e tyre, dhe fajin për këtë e ka vetëm Zaevi, shkruajtën në faqen në Facebook Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE- së,në Prilep”, thuhet në artikujt e mediave.
Në disa media u pa se si janë cituar media të tjera, por disa prej tyre nuk kanë cituar asnjë, që nënkupton se artikulli është origjinal i tyre. Rasti është me portalin “Koha.mk” e cila nuk ka cituar asnjë media, por ai është cituar nga media të tjera. Rasti është me portalin “Medial.mk”.
Publikimi i kësisoj titujve dhe artikujve medial me përmbajtje dhe formë të njëjtë, duke mos cituar burimin e informacionit, është e ndaluar nga Kodi Etik i Gazetarëve, pasi cilësohet si plagjiaturë.
“Plagjiatura është e papranueshme. Citatet nuk nuk guxon të përdoren pa miratimin e burimit ose të autorit”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.
Manipulim i publikut me përgjithësime
Por, paralelisht me plagjiaturën, mediat kanë manipuluar me publikun duke e përgjithësuar deklaratën e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev i cili, në duelin televiziv në televizionin “Kanal 5”(duke filluar nga minutat, 02:18:00),duke i replikuar liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se tabelat në shqip do të largohen në Gjevegjeli, Koçan dhe Prilep, por nuk tha se është bërë pishman, se ka bërë gabim me gjuhën shqipe dhe se do t’i heq të gjitha tabelat.
“Hristijan Mickoski: Nuk është vërtetë kjo që e po e thotë Zaevi, se tabelat nuk janë vendosur. Në Gjevgjeli ka tabelë, aty s’ka 20 për qind.
Zoran Zaev: Po, janë larguar. Ka 0 për qind.
Hristijan Mickoski: Pse e kanë vendosur pra?
Zoran Zaev: Sepse ndokush ka bërë gabim.
Hristijan Mickoski: Edhe në Prilep ka?
Zoran Zaev: Edhe ajo do të largohet!
Hristijan Mickoski: Edhe në Koçan sërish është bërë gabim?
Zoran Zaev: Edhe ajo është larguar.
Hristijan Mickoski: Sa gabime janë bërë zotëri Zaev?
Zoran Zaev: Por te pjesa e institucioneve ku ka pasur udhëheqës shqiptarë, janë bërë gabime”, është debati që u zhvillua mes Mickoskit dhe Zaevit për gjuhën shqipe.
Siç mund të shihni, debati mes Mickoskit dhe Zaevit ka qenë për përdorimin e gjuhës shqipe në Gjevgjeli, Koçan dhe Prilep. Sipas të dhënave të fundit të regjistrimit të popullsisë, në këto vende shqiptarët nuk e arrijnë 20 për qindëshin e popullatës, dhe prandaj me Ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk parashihet vendosja e tabelave edhe në gjuhën shqipe.
“(6) Emrat e institucioneve të theksuara në paragrafin (1) të këtij neni në Shkup dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilën së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve dhe alfabetin e saj.
(7) Në institucionet e theksuara në paragrafin (1) të këtij neni me seli në rajonin që përfshin më shumë gjykata themelore prej të cilave së paku njëra prej tyre gjendet në njësinë e vetëqeverisjes lokale në të cilën flitet gjuhë zyrtare e ndryshme nga maqedonishtja, e të cilën e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, emrat gjithashtu do të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve dhe alfabetin e saj”, thuhet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Kjo mund të kuptohet edhe me prezencën e konceptit të manipulimit “prova false”, e cila paraqet prirje për të treguar fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi dhe në të njëjtën kohë injorim të fakteve që janë kundër të njëjtës. Nga këtu vlerësojmë, se mediat duke publikuar artikuj të njëjtë kanë manipuluar publikun, duke u përpjekur të krijojnë qëndrimin se Zaevi është bërë pishman që ka propozuar miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve kur ka qenë kryeministër dhe se do ta heq shqipen nga tabelat e institucioneve. Zaev ka thënë se do të hiqen tabelat në gjuhën shqipe në Prilep, Gjevgjeli dhe Koçan.