Gazetari nuk duhet të përhapë besëtytni

 

[Recension: Mrekullitë e Shën Mërisë: Fëmija memec musliman filloi të flasë pasi nëna iu përkul ikonës]

 

Teksti që e recensojmë përhap besëtytni, e kjo nuk është detyrë e gazetarisë. Gazetari duhet të informojë, e jo të promovojë besime fetare.

Linku deri te artikulli origjinal: Mrekullitë e Shën Mërisë: Fëmija memec musliman filloi të flasë pasi nëna iu përkul ikonës

Data dhe koha e publikimit: 7.3.2019

Data e recensionit: 12.3.2019

Recenzues: Ana Anastasovska

Ky artikull është problematik në disa aspekte. Së pari, ai është vendosur në rubrikën “Lajme”, ku duhet të publikohen gjëra serioze, e jo artikuj që kanë të bëjnë me besëtytni dhe besime popullore. Një tekst i tillë, eventualisht, mund të botohej në kategorinë “Interesante”.

Së dyti, teksti thotë se, gjoja, një djalë memec i besimit musliman ka filluar të flase pasi nëna e tij u lut te ikona e Shën Mërisë. Qëllimisht potencohet se djali ishte mysliman për ta bindur lexuesin se ikona është aq e fuqishme sa që i shëron edhe muslimanët, e jo vetëm ortodoksët! Njëra me tjetrën nuk ka asnjë lidhje. Është e qartë se kjo është bërë qëllimisht për të tërhequr sa më shumë klikime që është e mundur.

Më tej, lajmi përmban vetëm një burim, At Kërcevin.

Të shumta janë mrekullitë që i rrezaton Shën Mëria. Që në fillim erdhën vëllezërit tanë muslimanë maqedonas nga Struga. Djali i tyre 18-vjeçar ishte memec. Pasi së bashku me nënën e tij u përkulën para ikonës dhe me nënën e tij dhe u nisën të kthehen, djali u pengua në njërën nga shkallët dhe bërtiti mamiiiii! Atëherë nëna e dëgjoi për herë të parë zërin e fëmijës së saj. E thirri burrin i cili ishte duke pritur jashtë dhe të tre u përqafuan fortë me njëri-tjetrin, dhe gëzimi i tyre nuk kishte fund, rrëfen At Kërcevi.

Nuk kemi konfirmim të këtij informacioni. Nga ta dimë se djali ishte me të vërtetë memec dhe se ka filluar të flasë pasi nëna e tij iu lut ikonës? Pse, për shembull, gazetari nuk u përpoq ta gjejë atë familje, të bisedojë me prindërit e djalit, ta konfirmojë informacionin. A ka ndonjë raport mjekësor mbi shëndetin e djalit para dhe pas lutjes? Ku janë provat faktike? Nuk ka asgjë të tillë në artikull, vetëm një tregim, që tregohet mes njerëzve.

Gazetari, gjithashtu, ka mundur të bisedojë me teologë mbi këtë temë, e jo vetëm ta lë tregimin pezull në ajër dhe ta bind lexuesin në diçka, për vërtetësinë e të cilës nuk ka asnjë bazë.

Duhet të theksohet se një nga të drejtat themelore të njeriut është të përcaktohet për besimin fetar dhe të besojë në atë që dëshiron, por kur gazetari promovon besime fetare dhe përhap besëtytni, kjo është problem. Gazetari duhet të informojë për çështje me interes publik, për çështje që i prekin masat më të gjera të popullit, dhe gjatë kësaj duhet të jetë objektiv dhe të përdorë sa më shumë burime informacioni të jetë e mundur. Ky tekst, për fat të keq, nuk është i tillë.