Gazetari nuk duhet t’i pyese apo hutojë qytetarët, por t’i informojë ata

Diçka nuk shkon me shkrimin gazetaresk në momentin që gazetari konstaton diçka shumë të rëndësishme dhe që potencialisht mund të dëmtojë imazhin e një partie politike të caktuar, dhe në fund të gjithë kësaj, në titull, konstatimin e përfundon me një pikëpyetje (?). Jo, nuk është punë e gazetarit të ngritë supozime apo të pyet qytetarët, por përkundrazi, t’ua shuajë atyre pikëpyetjet. Kjo nuk ka ndodhur me lajmin të cilin e recensojmë.

Linku deri te artikulli origjinal: BDI pranon rezultatet e votimit nga kongresi i LSDM!?

Data e publikimit: 21.03.2021

Data e recensimit 24.03.2021

Recensues: Ardit Ramadani

Që nga titulli, dallohet se bëhet fjalë për lajm tendencioz dhe joprofesional

“BDI pranon rezultatet e votimit nga kongresi i LSDM!?” thuhet në titullin e lajmit që e recensojmë.

E para, pika e çuditëses dhe ajo e pikëpyetjes në fund të titullit për hir të sensacionalizmit mund të ngjallin kuriozitet te një pjesë e lexuesve, megjithatë, këta të fundit nuk të amnistojnë nga ndonjë e pavërtetë e mundshme në brendësi të lajmit.

Puna e gazetarit është të informojë bazuar në fakte relevante, asgjë më shumë dhe më pak ndërsa titulli i lajmit duhet të jetë sa më i qartë, i çliruar nga sensacionalizmi. Kodi etik i gazetarëve parashikon që në lajme, titulli duhet t’i përshtatet tekstit, të jetë pjesë e tij, të japë informacionin kryesore shkurt dhe qartë. Fakti që titulli është i shkurtër ndonjëherë mund të lë të pasqaruara mirë disa çështje dhe të shkaktojë konfuzitet. Kjo pritet të sqarohet më mirë nga teksti më poshtë. Por, assesi, titulli nuk guxon të manipulojë me qëllim që të ngjallë interesin e lexuesit dhe të mos jetë i vërtetë.

Si titulli, ashtu edhe brendësia e lajmit – jo profesionale

Është e dukshme se i tërë “lajmi” është krijuar për të sulmuar një parti të caktuar politike, kjo është tërësisht legjitime, megjithatë “sulmi” duhet bërë duke u mbështetur në fakte relevante dhe burime të njohura për lexuesit.

“Dukuria e punësimit të maqedonasve me deklarat të rrejshme për përkatësinë etnike duke u deklaruar si shqiptarë për të marrë një vend punë, tani më është bërë e zakonshme  dhe për BDI kjo është krejt normale” thotë paragrafi i parë i lajmit që e recensojmë.

Ky “gazetar” pretendon se për partinë më të madhe shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) është krejtësisht normale punësimi i maqedonasve duke u deklaruar si shqiptarë. E përsëris, gazetari pretendon, i njëjti nuk bazohet në ndonjë fakt apo deklaratë konkrete.

Në këtë rast, autori i shkrimit ka përdorur teknikën e manipulimit që në doracakun e Crithinkut është emëruar si Arsyetim Rrethor, edhe atë i njëjti ka tentuar të “shesë” lexuesve një supozim dhe për të dëshmuar atë, nuk ka dhënë fakte konkrete.

“Dukuria e punësimeve, maqedonas në vend të shqiptarëve me një deklaratat të rrejshme po ndodhë edhe me aprovimin e BDI por edhe të Besës tani si pjesë e pushtetit” shkruan në lajmin që e recensojmë.

Në të gjitha paragrafët e këtij lajmi gazetari thuajse ka përsëritur të njëjtën gjë por pa e dëshmuar atë, kjo teknikë në Doracakun e Crithinkut njihet si tendencë e manipulimit të gazetarit përmes përsëritjes së argumentit, ky autor vazhdimisht ka përsëritur një tezë por pa u vërtetuar e njëjta si e vërtetë.

Është e dukshme që ky autor i këtij shkrimi qëndron larg nga ajo që quhet në Kodin Etik si “distancë profesionale nga subjektet politike”, ky lajm gjithashtu mund të cilësohet më shumë si koment se sa si shkrim informativ kurse autori nuk ka arritur të bëje dallimin mes fakteve dhe mendimeve dhe mes lajmit dhe komentit. Anashkaloni “lajmet” të cilat nuk kultivojnë kulturën e të shprehurit dhe etikën, këto parime janë të shpjeguara qartë në Kodin Etik të gazetarëve, i cili duhet respektuar nga të gjithë punonjësit mediatik.