Gazetari nuk guxon të shkruajë akuza të rënda dhe mos të vërtetojë saktësinë e tyre

Një titull senzacionalist me akuza mjaftë të rënda dhe një ngjarje që lidhet me aktualitetin, sigurisht se do të merrte vëmendjen e lexuesve që, bazuar me atë që është thënë në titull, duan të informohen më detajisht. Megjithatë nuk duhet harruar se që një artikull gazetaresk për të bërë pjesë në grupin e zhanreve informative duhet të bazohet në fakte që ta arsyetojë qëllimin e tij kryesor, informimin e lexuesit. Pastaj, ato fakte duhet të jenë të sakta dhe të vërteta. Gazetari, ashtu edhe siç theksohet në kodin etik, duhet ta vërtetojë saktësinë e informatës që i’a servon lexuesit të vet. Teksti që e recensojmë nuk e ka bërë këtë.

Kodi Etik:
Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”- thotë kodi etik.

Linku deri te artikulli: Hetime për një funksionar të BDI-së, dërgoi para në Amerikë për vrasjen e El Chekës?! (Foto)

Data e publikimit: 17.07.2019
Data e recensionit: 17.07.2019
Recensuese: Ajnur Bafqari

 

Burimet anonime, që tejkalojnë të gjitha kufijtë
Në tekstin që po e recensojmë bëhet fjalë për një burim anonim, të cilit autori i është referuar, derisa ka bërë akuza mjaft të rënda për një funksionar të një partie politike. Pavarësisht faktit që identiteti i personit nuk zbulohet, zbulohet se cilës parti politike i takon, duke bërë aludime se sa është i afërt ai person me kreun e partisë. Edhe pse gazetari në tekstin e tij e ka zgjedhur që të shkruajë se informacionet janë të pakonfirmuara zyrtarisht, gjithsesi kjo është një lloj njollosjeje dhe akuzë e rëndë që bëhet duke u bazuar vetëm në burime të caktuara, pa konfirmuar saktësinë e informacionit.

 Foto screenshot nga lajmi që recensohet
Foto screenshot nga lajmi që recensohet

Burimet anonime janë të lejuara në gazetari, por vetëm në rastet kur ka dëshmi materiale dhe dëshmi të pamohueshme në pamje. Në këtë rast, është keqpërdorim klasik i kësaj të drejte.

Sheqerim Ahmedi i njohur si El Cheka ka denoncuar te organet e drejtësisë amerikane përgatitjen e një atentati ndaj tij, thonë burime të Gazetës Lajm. Sipas këtij burimi, porositës i atentatit është një funksionar i lartë i BDI-së, i cili muajin e kaluar ka qëndruar 2-3 ditë në Çikago, ku edhe jeton El Cheka. Informacionet ende të pavërtetuara zyrtarisht, thonë se El Cheka dyshon që funksionari në fjalë i BDI-së u ka dhënë, ose u ka premtuar para disa shqiptarëve që jetojnë në SHBA, e që kanë bashkëpunuar më herët me UDB-në jugosllave, e tani me shërbimin sekret serb dhe maqedonas, për të kryer atentat ndaj El Chekës. – thuhet në tekst.

Gazetari assesi nuk duhet të mos e dijë çfarë shkruan!
Në vazhdim të tekstit, gazetari ka vendosur që lidhur me këtë informacion të përdor edhe një status Fejsbuku të El Chekës (personit që publikon materiale të përgjuara), që në këtë rast i bie të jetë personi i kërcënuar. Por në fund të citimit ka shkruar edhe një koment, me të cilin zbardhet padituria e gazetarit. Në gazetarinë e mirëfilltë, zhanri lajme nuk guxon që një gazetar/e të mos dijë se çfarë shkruan dhe këtë konfuzion apo padituri ta përcjellë te lexuesit.

Gazeta Lajm nuk e ka të qartë nëse fjalën “Izetat” El Cheka e ka shkruar qëllimisht me shkronjë të madhe, ose gabimisht!”- thuhet në tekst. 

Gazetari duhet ta vërtetojë saktësinë e informacionit
Edhe pse në fund të tekstit gazetari pretendon se ka tentuar që të sigurojë qëndrim zyrtar nga ambasada amerikane dhe Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me këtë informacion, gjithsesi në tekst nuk ka asnjë qëndrim të palëve të tjera të përfshira dhe nuk ka argument nëse vërtetë është bërë denoncimi tek organet e drejtësisë në Amerikë.
Për një akuzë të tillë, nuk mundet të publikohet lajmi pa së paku një qëndrim zyrtar.

Koncepti i Manipulimit “Thirrje në mungesë të një argumenti të kundërt”
Gazetari ka përdorur këtë koncept, ku ka pretenduar se ‘informata’ është e vërtetë, vetëm sepse mungojnë argumente për të kundërtën.

Porosi që përsëritet: Seleksiononi atë që lexoni Prandaj, nëse një tekst ju hap vetëm dilema dhe nuk ju jep asnjë përgjigje, nuk duhet të vazhdoni të lexoni. Po humbni kohën tuaj dhe në këmbim nuk po merrni asnjë lloj informate. Nëse teksti nuk përmban burime, fakte dhe argumente, në fakt nuk po ju jep asnjë informacion.