Dezinformatat rrënojnë reputacionin e një medie dhe gazetarit që i shpërndan. Jo më kot, parimi kryesor për shkrimi e një lajmi është konfirmimi i tij nga sa më shumë burime. Lajmi i recensuar nuk e plotëson këtë kriter.
Linku deri te artikulli origjinal: Dy telefonata që e shpëtuan Katica Janevën nga burgu!?
Data e publikimit: 16.07.2019
Data e recensionit: 17.07.2019
Recensues: Fatlume Dervishi
Çfarë përmban dhe çfarë i mungon këtij lajmi?
Sipas autorit, “Prokuroria themelore publike dhe MPB mbrëmë kishin urdhër arrest për kryeprokuroren speciale Katica Janeva në ndërtesën e kësaj prokurorie”. Ai më tej shton se “gjatë kohës së bastisjes së shtëpive të të akuzuarve, Janeva ka arritur që të lajmërohet tek disa ish diplomat të huaj në vend, pjesëmarrës në bisedimet e Përzhinos.”
I vetmi burim i medias për këtë tekst është një medie tjetër (MKD) nga ku e ka marrë informacionin. Askund nuk thuhet nëse bëhet fjalë për informacione nga burime zyrtare ose jozyrtare, nga burime anonime ose nga burime të medias nga ku e ka marrë informacionin.
“Krahas bisedave telefonike, Janeva është dëgjuar edhe me përfaqësues të pushtetit e me këtë rast burime theksojnë se Janeva është kërcënuar se një pjesë të përgjimeve i ka dërguar jashtë vendit e më pas urdhër arresti është ‘zhdukur’.” shkruhet në tekstin që e recensojmë.
Informacioni do të duhej të ishte plotësuar me qëndrimin zyrtar të Prokurorisë Themelore e cila mund të pyetej nëse ka kërkuar ose jo masën e paraburgimit për Janevën.
Informacion i përgënjeshtruar
Sikur të kishte kontaktuar me kohë institucion, autori do të kishte shmangur përgënjeshtrimin e informacionit nga ana e tyre, gjë e cila ndodhi disa orë më vonë. Të kontaktuar nga një medie tjetër për këtë rast, nga Prokuroria thonë:
“Absolutisht nuk janë të vërteta shkrimet e një medie se Prokuroria Themelore Publike dhe MPB-ja kanë pasur vendim për arrestimin e prokurores sociale publike Katica Janeva në ndërtesën e PSP-së”, thonë për A1on burime nga prokuroria.
Metodat e manipulimit
Mund të konstatohet se autori ka shfrytëzuar metodën e thirrjes në autoritet duke përmendur ish diplomatët e huaj pjesëmarrës në Marrëveshjen e Përzhinës si “shpëtues” të Janevës nga paraburgimi. Autoriteti e tyre, supozohet se ka ndihmuar në ngritjen e besueshmërisë së lajmit. Teksti ka edhe dëshmi selektive, ku përveç ritransmetimit të informacionit nga një media tjetër autori ka zgjedhur të injorojë qëndrimet zyrtare të institucioneve duke mos i kontaktuar aspak ato.
Për lexuesit
Këto informacione mund të jenë interesante dhe mund të zbulojnë aspekte të tjera të një ngjarje që nuk i kanë të gjithë mediat. Por, jo domosdoshmërish tregojnë të vërtetën dhe normalisht, përderisa nuk janë shfrytëzuar të gjitha rrugët për verifikimin e atij informacioni, duhet të merren më shumë rezervë nga lexuesit. Sa i takon autorit, konsiderohet se nuk ka nxjerrë një produkt profesional duke qenë se ka anashkaluar parimet bazë të shkrimit të lajmit, si shfrytëzimin e burimeve dhe verifikimit në rrugë zyrtare.