Inspektimi nga mbikëqyrja ka dallim, aq sa Këshilli i Evropës nga ai i BE-së

Foto: Huỳnh Đạt / Pexels


Para se të informatat të plasohen në publik, të njëjtat doemos duhet të kalojnë nëpërmjet filtrit të gazetarit: t’i verifikojë të njëjtat. Ka raste kur gazetari duhet t’i kontrollojë dispozitat ligjore dhe statutet e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare për të parë kompetencat, punën dhe detyrimet e tyre. Për shembull, një zëvendëskryeministër s’mund të realizojë inspektim me plotë kuptimin e fjalës, por vetëm mbikëqyrje, ndërsa datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE), Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk e presin nga Këshilli i Evropës, por nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Nga Fatbardha Curri

Osmani dhe Sela s’janë inspektorë!

“Osmani e Sela inspektojnë në terren implementimin e Ligjit të gjuhëve”, thuhet në titullin e “Aktuale”-s.
“Osmani e Sela inspektojnë në terren implementimin e Ligjit të gjuhëve”, thuhet në titullin e “Flakës”.

Ishte ky titulli që vërshoi për disa ditë mediat e Maqedonisë së Veriut, nxitur nga një video e publikuar në rrjetin social nga njëri nga të apostrofuarit në titull, Osmani (zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani).

Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, shkallën dhe nivelin e zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve – gjuhës shqipe duhet ta realizojë Inspektorati i cili themelohet me po atë Ligj. Në rast të moszbatimit të Ligjit, inspektorati parashtron gjoba – sanksione. Nga ana tjetër, Agjencia për Zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve ka rol këshillëdhënës, që do të thotë jep udhëzime se si duhet të zbatohet Ligji i gjuhëve – gjuha shqipe.

Në rastin e titullit të cituar, mund të shohim se mediat nuk e kanë përcjellë informacionin në mënyrën e duhur, pasi që dhe Sela (Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për zbatim të Ligjit të gjuhëve), nuk kanë realizuar inspektim, por mbikëqyrje. Kjo do të kuptohet në rastin kur Osmani i lajmërohet drejtorit të Agjencisë, për ta pyetur se, “Pse tabela edhe në gjuhën shqipe nuk është vendosur?”.
Në moment që ai merr përgjigjen, i jep këshillë, “Më mirë të jetë e shkruar mirë, se sa me gabime”. Në rast se do të kishim inspektim, Agjencia do të ishte dashur të gjobitet, por kjo nuk është kompetencë e Osmanit dhe Selës, prandaj edhe nuk ka ndodhur.

Nga ana tjetër, vetëm media “360 Shkallë”  e publikoi informacionin, duke e futur në thonjëza fjalën “inspektor”, që dha sinjalin se, dy të apostrofuarit në tituj kanë marrë rolin e inspektorit – i cili mungon për momentin.

Data për nisjen e negociatave jepet nga Këshilli i BE-së, e jo nga Këshilli i Evropës

Donald Tusk-i është kryetar i Këshillit të Bashkimit Evropian, dhe jo Këshillit të Evropës, prandaj dhe flet për datën e BE-së që pritet ta marrë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në mes datave 15 dhe 18 tetorit të këtij viti.
Krahas Këshillit të BE-së, në artikuj gazetaresk përdoret edhe termi Këshilli Evropian, gjë e cila nuk është gabim.

“Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se Bashkimi Evropian ka shprehur vullnetin të dëgjojë idetë e kryeministrit britanik, Boris Johnson për Brexitin, nëse ato janë “realiste””, thuhet në lajmin e “Radio Evropa e Lirë”.

Do pyesni se pse është ky sqarim?

Kjo vjen se gjatë raportimit të vizitës së Tusk-it në Maqedoninë e Veriut, shumë media e paraqitën atë si kryetar të Këshillit të Evropës. Kjo sigurisht duke mos pasur parasysh se bëhet fjalë për dy institucione ndërkombëtare krejtësisht të kundërta.

“Vendi juaj ka bërë gjithçka. Kjo është arsyeja se pse kam ardhur në Maqedoninë e Veriut. Nga Shkupi do të doja ti bëja ftesë liderëve të Bashkimit Evropian që të bëjnë pjesën e tyre, pasi që Maqedonia e Veriut ka bërë pjesën e saj. Këtë thirrje e bëri presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk gjatë vizitës së sotme në Shkup dhe pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev”, thuhet në lajmin e “Ina Online”-s.

“Kryetari i Këshillit të Evropës Donald Tusk, sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shkup, ku në agjendën e tij janë takimet me krerët shtetëror”, thuhet në lajmin e “Tetova Sot”-it.

Çfarë është Këshilli i BE-së apo Këshilli Evropian?

Këshilli Evropian i përcakton drejtimet dhe prioritetet e përgjithshme të Bashkimit Evropian (BE). Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Lisbonës më 01 dhjetor 2009, Këshilli Evropian u bë njëri nga shtatë institucionet zyrtare të BE-së. Këshilli Evropian takohet dy here në gjashtë muaj, zakonisht në Bruksel.

Kryetari aktual i Këshillit është Donald Tusk. Mandati  i kryetarit është dy vjet e gjysmë, me të drejtë rizgjedhje.

Në pajtim me nenin 15 të Marrëveshjes për BE-në (pjesa e parë e Marrëveshjes së Lisbonës) Këshilli i BE-së siguron stimulin e nevojshëm për zhvillimin e BE-së dhe përcakton drejtime dhe prioritete të përgjithshme politike. Këshilli i BE-së nuk ka funksion ligjvënës është i përbërë nga shefa të shteteve dhe kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare të BE-së, ndërsa në punën e tij marrin pjesë dhe kryetari i Këshillit të BE-së, kryetari o Komisionit Evropian, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i Unionit për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë.

Përveç nëse me marrëveshjet e BE-së nuk është paraparë ndryshe, Këshilli i BE-së vendimet i miraton me konsensus. Këshilli, në raste të caktuara një pjesë të vendimeve i miraton njëzëri ose me shumicë të kualifikuar. Këshilli i BE-së e zgjedh kryetarin vet me shumicë të kualifikuar.

Këshilli i BE-së është formuar më vitin 1974 me qëllim që të vendoset forum joformal për diskutim ndërmjet shefave të shteteve dhe kryetarëve të qeverive. Më vitin 1992 Këshilli fitoi status formal, me Marrëveshjen e Mastrihtit  ishte definuar funksioni i tyre- forcë lëvizëse e BE-së dhe përcaktimin e drejtime të përgjithshme politike për zhvillimin e tij.

Ueb faqja zyrtare: Council of the European Union

Çfarë është Këshilli i Evropës (KiE)?

Këshilli i Evropës është themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, më 5 maj 1949 nëpërmjet Traktatit të Londrës, me qëllim që mes shteteve të Evropës të ketë pajtim, bashkëpunim dhe barazi, me fokus në partneritetin mes Francës dhe Gjermanisë. Qendra e KE ndodhet në Strasburg të Francës. Traktati i Londrës u nënshkrua nga Belgjika, Franca, Britania e Madhe, Italia, Luksemburgu, Norvegjia dhe Suedia, ndërkaq, pas Luftës së Ftohtë, pjesë të Këshillit të Evropës u bënë edhe Rusia dhe vendet ish-komuniste.
Tani Këshilli përmbledh 47 shtete dhe disa shtete tjera vëzhguese. Nëse në fillet e saja Këshilli i Evropës kishte synim përafrimin e Gjermanisë me Francën, sot ajo ka për qëllim të afrojë Evropën me Rusinë. Këshilli i Evropës i zbaton qëllimet e tija nëpërmjet konventave, të cilat miratohen nga organizata dhe ratifikohen nga shtetet vendet anëtare.

Ueb faqja zyrtare: Council of Europe

Kini kujdes: Këshilli i Evropës është organizatë e veçantë nga Bashkimi Evropian. Vendet e BE-së janë anëtare të Këshillit të Evropës.
Vendet anëtare në Këshillin e Evropës jo domosdoshmërish janë anëtare në Bashkimin Evropian.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në tetor pritet të marrin datë nga Këshilli Evropian apo Këshilli i BE-së, por jo nga Këshilli i Evropës sepse aty janë anëtare.