Ka dallim të madh mes mendimit të një personi dhe të disa personave

Një person me emër dhe mbiemër, me identitet, mendimi personal dhe vlerësimet e tij, nuk përfaqësojnë opinionin publik. Nëse personi në fjalë është figurë e njohur për opinionin, ekspert i fushës, funksionar, ish funksionar dhe ngjashëm, mendimi i tij ndoshta dhe mund të jetë me interes për opinionin. Por, teksti që recensojmë, është shembull se si mendimi i një individi nuk duhet të shndërrohet në lajm si mendim i masës. Jo në këtë formë.

Linku deri te artikulli origjinal: “Eh Zaeve Zaeve”/ Edhe mështetësit më të mëdhej ia kthejnë shpinë

Data e publikimit: 14.11.2019

Data e recensionit: 15.11.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Autori ka zgjedhur të publikojë mendimin e gazetarit Miodrag Misholiq. Mendimi i tij sigurisht mund të jetë interesant. Gazetarët, sidomos ata me përvojë, i njohin mirë politikanët, mënyrën se si funksionojnë, bërjen politikë dhe parimet e tyre. Opinionet e tyre shpesh tërheqin lexuesit. Por, autori i artikullit ka bërë disa gabime gjatë transmetimit të këtij opinioni të kolegut të tij. Duke filluar me një titull thumbues dhe tendencioz, autori fton për vëmendje për një tekst me kritika për kryeministrin Zoran Zaev.

Pas vitesh besim dhe mbështetje disa figuara eminente në media por edhe ish funksionarë të LSDM, kohëve të fundit kanë filluar që të humbin besimin për këtë qeverisje, duke e akuzuar për mos përmbushjeje të premtime, përcjell in7.
Një nga ata është edhe gazetari Miodrag Misholiq, i cili tani pretendon se kjo qeveri është një zhgënjim i madh në të gjitha segmentet. – shkruan në tekstin që recensojmë.

Përgjithësime dhe komente

Autori ka bërë përgjithësime kur flet për “disa figura eminente” dhe shkruan për opinionin e vetëm një personi. Këtu kemi të bëjmë me konstatim në bazë përgjithësimi. Një person nuk është “disa”. Sipas autorit, Misholiq cilësohet si ndër mbështetësit më të mëdhenj të dikurshëm të kryeministrit por që tani ja ka kthyer shpinën. Për këtë nuk na thotë asgjë më shumë, kur dhe në çfarë aspekti Misholiq ka qenë ndër mbështetësit më të mëdhenj. Mendimi i disa personave ose i opinionit më të gjerë në lajm prezantohet nëpërmjet anketave. Mendimi i një individi është mendimi vetëm i atij individi dhe jo i masës. Mendimi i Misholiqit mund të përputhet me mendimin e gazetarit të artikullit ose edhe të medias që e publikon, por nuk është mendim i “DISA figurave eminente”.

Teknikat e manipulimit

Për manipulim të opinionit është shfrytëzuar teknika e thirrjes në autoritet. Duke cituar një gazetar dhe duke e përgjithësuar mendimin me “figura eminente”, autori ka dashur të bindë lexuesin për atë që thotë. Po ashtu, autori ka përdorur edhe sulmin personal ose të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit i vërehet edhe në titull me citimin e shprehjes “eh Zaeve Zaeve” po ashtu edhe në konotacionin kritik por subjektiv, në tekst.

Për publikun

Qëllimi i tekstit është i qartë; kritika për disa sfera të funksionimit të shtetit nën drejtimin e pushtetit nga kryeministri Zaev, gjë që është shumë në rregull për profesionin e gazetarit. Për të mbuluar me informacione profesionale fushat si mediat, gjyqësori, shëndetësia, arsimi, ekologjia, dhe për të shkruar për atë që është bërë dhe për atë që është premtuar por që nuk është bërë, një gazetari i duhet shumë, shumë punë. Të tentosh ta mbështjellësh atë të gjithën në një tekst me 3-4 paragrafë, duke ja atribuuar kritikat një personi tjetër, është shumë e lehtë, por nuk është hulumtim, nuk është informim i plotë. Të bësh konstatime të këtij lloji, përgjithësuese dhe mos-kokëçarëse ndaj parimeve të informimit, është tendencioze. Puna e gazetarit është mbrojtja e interesave të qytetarëve dhe nxjerrja në pah e parregullsive. Por, sigurisht, duke respektuar edhe të drejtën e informimit objektiv.