Komentet në rrjetet sociale nuk janë lajme të mirëqena

Foto ilustrim

Sherret publike mes funksionarëve politik, sidomos në periudhë parazgjedhore, shfrytëzohen në forma të ndryshme nga mediat. Jehonë mori përplasja mes zëvendëskryeministrit për çështje evropiane Bujar Osmani dhe deputetit të LSDM-së Muhamet Zekiri. Lajmi që recensojmë është rrjedhojë e bujës së kësaj përplasje por e shtrembëruar gjatë informimit.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Plas sheri i madh në LSDM mes këshilltarit të Z.Zaev Ali Jusufi dhe Mukit

Data dhe koha e publikimit: 16.12.2019

Data e recensionit: 18.12.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Reagimet që i bënë në adresë të njëri-tjetrit zv/kryeministri Osmani dhe deputeti Zekiri nuk janë me zanafillë të vonshme. Sidomos nga ana e Zekirit ka pasur dhjetëra kritika për funksionarët e BDI-së dhe aktiviteteve të tyre, edhe pse janë partnerë në Qeveri. Reagimet dhe kundër-reagimet e fundit ishin deklarata publike për mediat ose shkrime në rrjetet sociale. Në njërin prej këtyre reagimeve, Zekiri ka marrë një kritikë në rrjetet sociale nga përdoruesi me emrin Ali Jusufi. Sipas autorit të lajmit, Jusufi është këshilltar i Zoran Zaevit dhe këtë reagim të tij e ai e kategorizon si “sherr i madh në LSDM”.

“Në rrjetet sociale në facebook plas sheri nëpër comente mes Këshilltarit të Zoran Zaev Ali Jusufi dhe Mukit” – shkruan në lajmin që recensojmë.

Rëndësia e burimit duhet të sqarohet

Nga një kërkim i thjeshtë në internet vërehet se emri i Ali Jusufit nuk figuron as te lista e këshilltarëve dhe bashkëpunëtorëve të kryeministrit Zoran Zarev dhe as te krerët e degëve ose bashkëpuntorët dhe këshilltarët e LSDM-së. Në profilin e tij të Fejsbukut janë postuar disa fotografi të tij me kryeministrin Zoran Zaev por gjithçka në kuadër të aktiviteteve private. Për dallim nga deputeti Zekiri, Jusufi nuk është fytyrë publike dhe nuk mund të konsiderohet si vendimtarë konstatimi se përplasja është në mes funksionarëve partiak. Për më tepër, një koment në formën e kundër-reagimit në rrjetet sociale nuk nënkupton një “sherr të madh” në parti. Titulli nuk mban dhe është shkruar në atë mënyrë vetëm për klikime. A ka ose jo një sherr të tillë në parti do të duhet të ishte kërkuar përgjigje nga një funksionar relevant partiak.

Teknikat e manipulimit

Autori është thirrur në autoritet për t’i dhënë rëndësi komentit të Jusufit duke e cituar si “këshilltar i Zoran Zaevit” por vërtetësia e këtij roli mbetet e pakonfirmuar. Për lajmin është përdorur arsyetimi rrethor dhe me një koment në fejsbuk është supozuar dhe është konkluduar se në LSDM ka një “sherr të madh”.

Për lexuesit

Është e vërtetë që rrjetet sociale janë shndërruar edhe në mjet për komunikim publik të funksionarëve, institucioneve dhe organizatave të ndryshme me opinionin. Kjo, në kohën që po jetojmë, është e pashmangshme. Por ata informacione shpesh kërkojnë verifikim dhe gërmim të mëtejshëm. Një reagim nuk nënkupton “sherr të madh” dhe dikush i panjohur për opinionin nuk mund të marrë atribute që nuk i ka vetëm që të duket më i rëndësishëm dhe lajmi më i besueshëm. Autori është dashur të hulumtojë dhe të sqarojë pozitën e vërtetë të Ali Jusufit në parti dhe, nëse informacioni është me bazë dhe i rëndësishëm, të kërkohet qëndrim publik. Komentet e këtilla nëpër rrjetet sociale, pa të dhëna thelbësore dhe pa interes publik, nuk përbëjnë lajm.