Gazetaria nuk qëndron mbi bazat e senzacionalizmit, komenteve dhe konkluzioneve personale të gazetarit. Një produkt mediatik që i ofrohet lexuesit duhet të jetë neutral, të përgjigjet në 5 pyetjet gazetareske, të ketë qëndrime nga të gjithë palët e përfshirë në tekst dhe nëse duhet komentuar atëherë këtë punë e bënë ndonjë ekspert i fushës. “Gazetari” i tekstit që po recensojmë ka thyer disa nga parimet themelore gazetareske.
Linku deri te postimi origjinal: Maqedonasit Më Parë E prishin Shtetin, Se Të Zbulohet Numri Real I Shqiptarëve..
Data e postimit: 02.04.2021
Data e recensimit: 11.04.2021
Recensues: Shefkije Alasani
Teksti të cilin po e recensojmë ka vetëm 3 paragrafë por thyen një sërë rregullash të raportimit profesional. Mbi të gjitha, autori nuk ka zbatuar as rregullin e distancës emocionale gjatë raportimit, një element ky mjaftë i rëndësishëm në gazetari. Jo-profesionalizmi vërehet që në titull dhe vazhdon në përmbajtjen e tekstit.
Titull sensacional
Maqedonasit Më Parë E prishin Shtetin, Se Të Zbulohet Numri Real I Shqiptarëve.. Është titulli me të cilën na paraqitet produkti mediatik. Me Dikotomi false dhe Thirrje në emocione, autori tenton të tërheq vëmendjen e lexuesit dhe të imponojë pretendime të pasakta. Dikotomia false dhe Thirrja në emocione janë dy metoda manipuluese, të cilat sipas Doracakut të Crithink përdoren më shpesh nga “gazetarët”. Me Dikotomi false nënkuptojmë: Prirje për të paraqitur vetëm dy mundësi (zakonisht të kundërta) si zgjidhje
të vetme, kur ekzistojnë më shumë mundësi. Ndërsa me teknikën Thirrje në emocione nënkuptojmë: Prirje për përdorim të fjalimit të bazuar në bindje në vend të fakteve, në mënyrë që të ngjallë emocione tek bashkëbiseduesi dhe të fitojë në diskutim.
Tekst jo-profesional
Përmbajtja e tekstit që recensojmë i përdhos të gjitha standardet gazetareske. Që nga fillimi deri në fund autori vetëm komenton e spekulon, kryesisht me procesin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e veriut dhe në fund ndërlidhet me një temë krejt tjetër. Në paragrafin e parë dhe të dytë të tekstit thuhet:
“Pas dështimit (apo “shtyerjes se Regjistrimit”), dy gjera u betonuan ne skenen politike ne Shkup:
1. Faktori politik maqedonas kur jane ne pyetje vendimet e medha me peshë per shtetin, NUK I BËN HESAP AS PËR PESË PARE partitë politike shqiptare ne qeveri, ndërkohë që e pyet opozitën maqedonase. Pra, opozita maqedonase eshte shume me e rendesishme se sa partite shqiptare ne qeveri
2. Me numrin e shqiptareve gjithmone do te manipuIohet ne kontekst n egativ, me qellim qe kurre te mos dihet numri i saktë. E keqja qendron ne faktin se, faktori politik shqiptar veshtire se do te mund ta kushtezoj nepermjet rruges institucionale faktorin maqedonas, sepse keta te fundit jane ne gjendje edhe ta zhbëjnë shtetin, vetem e vetem te mos dihet numri i sakte i shqiptareve.”
Në këto paragraf autori thyen nenin 10 dhe 13 të Kodit etik të gazetareve.
Neni 10- Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)
Neni 13 – Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.
Shtylla kryesore e gazetarisë janë faktet dhe burimet. Në dy paragrafët e lartpërmendura nuk është përdorur asnjë burim apo fakt që mbështet pretendimet, të gazetarit apo mbase redaksisë.
Në paragrafin e fundit thuhet:
“P.S. Mungesa e Ali Ahmetit dhe konsultimi i tij vetëm nga distanaca, tregon se projekti për shkrirjen e BDi-së në parti maqedonase tashmë ka filluar. Dilema e vetme është se në cilën parti maqedonase është duke u shkrirë partia blu, apo në të dyja nga pak?”
Në recesionet e Crithink disa herë është theksuar se detyra e gazetarit është vetëm të informojë dhe jo të spekulojë. Nuk është detyra e gazetarit të ngrejë dilema në opinion publik. Gjatë raportimit gazetari duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe i përmbajtur, assesi nuk guxon të shpërndajë një informacion pa përdorur burime që e mbështesin atë informacion. Një nga rregullat themelore në gazetari është se informacioni duhet të konfirmohet nga të paktën dy burime reciprokisht të pavarura dhe gazetari ka të drejtë të mos zbulojë emrin e burimit.
“Burim informacioni në gazetari mund të jetë një dokument, një person, një institucion që ka, d.m.th. përmban disa informacione. Ndarja themelore e burimeve të informacionit është: burime primare dhe sekondare. Burimet primare kanë i nformacione të dorës së parë: dëshmitarë, pjesëmarrës të ngjarjeve, viktima … Burimet sekondare janë burime indirekte të informacionit kur informacionet gjenden në mënyrë indirekte: arkivat, ekspertët … Në gazetari është e lejuar që të përdoren burime anonime”, theksohet në Doracakun e Crithinkut.
Crithink ju bën thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm në zgjedhjen burimeve nga ku ato informohen. Të jenë më kritik ndaj materialeve që lexojnë dhe gjithmonë të lexojnë nga 2 ose më shumë burime, ose ti verifikojnë informacionet në mënyra të ndryshme.