Spekulimi nuk është punë e gazetarit

Përdhosja e standardeve gazetareske dhe vlerave profesionale është bërë rutinë ditore e një sërë kanalesh informative “online”. Lexuesit sot gjithnjë e më tepër hasen me produkte mediatike që nuk përbëhen nga asnjë element profesional. Të tilla materiale përveç se marrin kohën e lexuesit janë edhe të dëmshme për demokracinë si dhe për zhvillimin e mendimit kritik në shoqërinë tonë. Shembull konkret i një materiali të tillë është edhe përmbajtja që recensojmë  më poshtë.

Linku deri te postimi origjinal: Zejdi i Alternativës kundër Amerikës (VIDEO)

Data e postimit: 12.04.2021

Data e recensimit: 11.04.2021

Recensues: Shefkije Alasani

Titull kontrovers

Një gazetar profesionist dhe me ndërgjegje i kushton rëndësi të madhe përcaktimit të titullit. Kjo ndodh sepse në shumë raste titulli definon nëse lajmi është ia vlen të lexohet, pra titulli është i pari që rrëmben vëmendjen e lexuesit. Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie titulli shpesh përdoret si karrem manipulimi. Shpesh ndodh të lexojmë tituj bombastik që na shtyjnë të klikojmë një “lajm” dhe pasi e kemi hapur shohim se titulli dhe përmbajtja nuk kanë asnjë lidhshmëri.

E njëjta gjë ndodh dhe me tekstin po e recensojmë. “Lajmi” na paraqitet me titullin: Zejdi i Alternativës kundër Amerikës (VIDEO)

Autori i këtij titulli, duke e identifikuar individin përmes së prapavijës së tij partiake, automatikisht na krijon bindjen se kemi të bëjmë me një produkt mediatik jo-neutral. Në pamje të parë titulli ngjan më shumë në një konkluzion dhe për ta bërë këtë më të besueshme autori na lë të kuptojmë se teoria e tij mbështetet në një video.

Përmbajtje që nuk ka lidhje me titullin 

Në asnjë rresht të përmbajtjes së tekstit autori nuk jep fakte ose dëshmi që mbështesin spekulimin në titull. Në fakt, fjalia Zejdi i Alternativës kundër Amerikës as nuk përmendet fare. Në paragrafin e parë të tekstit theksohet:

“Koordinatori i grupit parlamentar të opozitës shqiptare ASH-AAA, Skender Rexhepi ka injoruar thirrjen e Ambasadores së Shtetve të Bashkuara të Amerikës, Katie Byrnes, e cila në takimin virtual që zhvilloi me Ziadin Selën dhe Afrim Gashin, ka theksuar nevojën për një opozitë konstruktive dhe të angazhuar, transmeton TetovaSot.”

Pra, autori ka ardhur në përfundim se Skender Rexhepi është kundër Amerikës vetëm për shkak se ai nuk ka qenë prezent në mbledhjen me ambasadoren amerikane. Autori i tekstit thotë se Skënder Rexhepi ka injoruar ftesën, por nuk na parqet asnjë të dhënë më shumë për ta mbështetur këtë pretendim. Në raste të tilla, gazetari duhet të kërkojë qëndrim nga personi për të cilin raporton apo vlerëson se ka interes publik.

Sa i përket videos, që theksohet në titull, ajo nuk ka të bëjë aspak me pretendimin se Skënder Rexhepi është “kundër Amerikës”. Në videon e bashkangjitur në tekst, paraqitet një seancë e kuvendit ky flet deputeti në fjalë për çështjen e Ligjit për regjistrimin e popullsisë.

Produkti mediatik bie ndesh me disa parime të Kodit etik të gazetarëve

Kodin etik të gazetareve shkurt dhe qartë janë theksuar parimet themelore mbi të cilat duhet të zhvillohet gazetaria. Kodi etik i gazetareve përbëhet nga 17 nene dhe teksti në fjalë me vetëm 3 paragrafë thyen 6 parime të gazetarisë profesionale, dhe atë nenin 1, 3, 6, 13, 14 dhe 15.