Revolucioni dixhital ka ndryshuar plotësisht mënyrën se si njerëzit prodhojnë dhe konsumojnë përmbajtje të lajmeve. Edhe pse sensacinalizmi nuk është pjesë e standardeve profesionale gazetareske, “online” qarkullojnë pafund përmbajtje me titull e tekst sensacional. Raportimi sensacional nënkupton manipulim dhe raportim të njëanshëm dhe përfshirje emocionale të gazetarit. Pra sensacionalizmi bie ndesh me vlerat kryesore të gazetarit: neutralitetin dhe korrektësinë. Ky fenomen më së miri shpjegohet në përmbajtjen që recensojmë.
Linku deri te postimi origjinal: SKANDAL: Opozita shqiptare refuzon bashkëpunimin për regjistrimin e popullësisë
Data e postimit: 29.03.2021
Data e recensimit: 11.04.2021
Recensues: Shefkije Alasani
Titull sensacional
Me titullin “SKANDAL: Opozita shqiptare refuzon bashkëpunimin për regjistrimin e popullësisë”, autori i këtij teksti tenton të tërheq vëmendjen e lexuesit të klikojë për një përmbajtje bombastike. Duke e përdorur fjalën skandal dhe duke e shkruar atë me shkronja të mëdha, autori kërkon të dominojë tek lexuesi dhe të krijojë paqartësi në opinion. Me këtë titull histerik autori përdor dy metoda të manipulimit, dhe atë: Thirrje në
mundësisë dhe Thirrje në emocion.
Në doracakun e Crithinkut, këto dy metoda manipulative shpjegohen si më poshtë:
Thirrje në mundësi do të thotë: Prirje për të besuar se mundësia që diçka mund të ndodh është dëshmi se e njëjta do të ndodhë.
Thirrje në emocione: Prirje për përdorim të fjalimit të bazuar në bindje në vend të fakteve, në mënyrë që të ngjallë emocione tek bashkëbiseduesi dhe të fitojë në diskutim.
Përmbajtje sensacionale
Me tendencën e njëjtë, sesacionalizimi nga titulli vazhdon edhe në përmbajtjen e tekstit. Përmes komenteve dhe pretendimeve, autori i tekstit tenton të imponojë përfundime të palogjikshme në opinion.
“E bllokuan Kuvendin ,por jo për cështjen e regjistrimit të popullësisë të cilin pala tjetër dëshiron ta anulojë ndërsa tani nuk i përgjigjet një ftese mes partive shqiptare e thirrur nga partia më e madhe shqiptare.Në ndërkohë që pozitivisht i është përgjigjur ftesës me kryeministrin Zoran Zaev. Kjo është opozita shqiptare e cila më të efektshme e sheh takimin me krerët e politikës maqedonase se sa ato shqiptare për një bashkëveprim që ka të bëjë me shumë cështje dhe sidomos atë kryesore -regjistrimin e popullësisë që për shqiptarët është tepër thelbësore.Kjo duket se ka vërtetuar se opozita shqiptare në një formë po refuzon bashkëpunimin për regjistrimin e popullësisë përcjellë TetovaSot.”
Në këtë paragraf, përveç gabimeve drejtshkrimore, vërejmë se autori përdor metodën e manipulimit “Analogji false”. Sipas Doracakut të Crithinkut me “Analogji False” nënkuptojmë: “Prirje për të bërë një analogji midis dy gjërave të palidhura, dhe pastaj analogjinë ta përdorim për të bërë një supozim”.
Në fakt, në tekstin prej 3 paragrafësh janë përdor më shumë teknika manipuluese, të tilla si:
- “Pas kësaj do të thotë për këtë”– Prirje për të besuar se nëse një ngjarje i paraprinë një të dyte, ajo është shkaku i shfaqjes së saj.
- “Efekti i paqartësisë” – Prirje për të shmangur zgjedhjet që përfshijnë pasiguri. Dhe, anasjelltas, favorizimi i mundësive me perspektiva të njohura për sukses përpara opsioneve me një mundësi të panjohur të suksesit.
- “Prirje për të konfirmuar këndvështrimin e vet” – Prirje për të kujtuar, favorizuar dhe gjurmuar informacione që konfirmojnë pikëpamjet ekzistuese
Kodi etik i gazetareve
Ky produkt mediatik bie ndesh edhe me parimet themelore të Kodit etik të gazetarëve. Në këto pak rreshta tekst thyhen disa nene të Kodit etik.
Neni 10 i Kodit etik thotë: Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë.
Teksti bie ndesh edhe me nenin 13 ku theksohet se: Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.
Ndërlidhja e raportimit sensacional me një proces shumë të rëndësishëm aktualisht në vendin tonë, thyen edhe nenin 14 të Kodit etik ku thuhet: Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.