Lajmet nuk duhet të bazohen në thashetheme

Lajmi i medias “Tetova 1”

Thashethemet në media se gjoja ish zëvendëskryeministri Hazbi Lika “ka formuar parti politike”dhe “ia ka kthye shpinën Ali Ahmetit”, nuk janë burim i informacionit dhe keqinformojnë publikun. Shkrimi që e recensojmë nuk ka informata të verifikuara dhe përmban edhe komente nga autori.

Fotografi nga lajmi që recensohet
Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: “Lika a po ja kthen shpinën Ahmeti dhe a po formon parti, ja çka shkruan portali nga Tetova?!”

Data e publikimit: 15.08.2019

Data e recensionit: 22.08.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Titull me koment, konkluza dhe që shtron dilema

“Lika përfundimisht ia kthen shpinën Ali Ahmetit. Krijon subjekt të ri politik?”, thuhet në titullin e lajmit që e recensojmë.

Titulli i lajmit ka nisur me koment i cili përcjell një konkluzë, dhe në fund ka përfunduar duke shtruar dilemë. Kjo është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve.

“Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit”. thotë Kodi.

S’ka deklaratë të Likës, nuk citohen burimet

Manipulimi shkon më tej, sepse edhe pse në titull përmendet Hazbi Lika, në artikull nuk është përcjell qëndrim i tij. Gjithashtu nuk informohet se nëse është bërë përpjekje që të kontaktohet i njëjti, gjë e cila është në kundërshtim me parimet gazetareske.

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”, thotë parimi i parë i Kodit Etik të Gazetarëve.

Në artikull nuk bëhen të ditura as lloji i burimit të informacionet.

Koncepti i manipulimit: Thirrje në shumicë

Edhe pse thuhet se Likës do t’i bashkëngjitet anëtarësia e partisë, të njëjtët nuk janë kontaktuar. Deri sot Lika nuk ka formuar parti, dhe nuk ka dalë publikisht të japë një informacion të tillë.

“Në këtë rrugëtim të ri politik, Hazbi Likës pritet ti bashkohen të gjithë anëtarët dhe ish funksionarët e BDI-së që janë të pakënaqur nga udhëheqja aktuale e partisë në krye me të ashtuquajturin “Klanin e Zajazit””, thuhet në lajmin e recensuar.

Për lexuesit: 

Lajmi në fjalë edhe të tjerë të ngjashëm, që nuk citojnë burime të informacionit nuk mund të ju informojnë saktë, por vetëm të ju keqinformojnë. Keqinformimi merr përmasa edhe më të mëdha kur thashethemet nuk konfirmohen kur flitet për prishje të marrëdhënieve ndërmjet dy personave. Qëllimi është të ulet kredibiliteti i personave dhe partive politike të apostrofuara.