Liria e (pa)kontestueshme e mediave dhe gazetarëve në RMV

Megjithëse liria e mediave është e drejtë e patjetërsueshme, ajo nuk është e pakontestueshme. Liria e shprehjes kontestohet nga Kodi Penal, me publikimin e e informatave që paraqesin “sekret zyrtar” dhe “sekret shtetëror”. Sipas Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në rastin e parë publikuesi – gazetari rrezikohet deri në 5 vjet burg, ndërkaq në të dytin deri në 10 vjet burg.

Nga Fatbardha Curri

Rasti i fundit ishte me median “Infomax”, në të cilin u publikua procesverbal nga procedura parahetimore e rastit të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit, “Reket”. U parashtrua padi ndaj publikuesit, e cila u kritikua nga Shoqata e  Gazetarëve të Maqedonisë dhe kërkoi që në vend të gazetarit, të përndiqet dhënësi i procesverbalit. Kjo mundësi u hodh poshtë nga Prokuroria, për shkak se siç tha ajo në kumtesë, Vepër penale – Dhënie e sekretit zyrtar kryen edhe ai që publikut apo personit të pathirrur ia kumton “sekretin zyrtar”.

Vepër penale kryen dhënësi dhe publikuesi i “sekretit zyrtar”

Sipas Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, vepër penale kryen si dhënësi dhe publikuesi i “sekretit zyrtar”.

“Ai i cili publikut apo personit të thirrur i kumton, jep apo në formë tjetër do t’i japë qasje në të dhëna që paraqesin sekret zyrtar ose e furnizon me të dhëna të tilla me qëllim që t’i kumtojë ose t’i japë në publik ose të personit të thirrur, do të dënohet me burg prej 3 deri në 5 vjet”, thuhet në Nenin 360 të Kodit Penal.

Meqë sekreti zyrtar ka të bëjë me procedurë parahetimore të lëndës “Reket”, në bazë të Ligjit për procedurë penale të gjitha veprimet që ndërmerren në procedurë parahetimore cilësohen si “sekrete”.

“Të gjitha veprimet që  ndërmerren në procedurë parahetimore nga ana e prokurorit dhe policia konsiderohen si sekrete”, thuhet në nenin 289 të Ligjit.

Formë më e rëndë e veprës penale është publikimi dhe dhënia e “sekretit shtetëror”

Formë më e rëndë e shkeljes së Kodit Penal, është publikimi dhe dhënia e “sekretit shtetëror”, dhe dokumenteve dhe informatave që me Ligje dhe rregullore të miratuara në mënyrë shtesë, janë kategorizuar si “sekret shtetëror”. Kjo mund ta rrezikojë publikuesin me dënim deri në 10 vjet burg.

“Si sekret shtetëror konsiderohen të dhënat dhe dokumentet të cilat me ligj ose me rregullore tjera apo vendim nga organi përgjegjës të miratuara në bazë ligjore, janë shpallur si sekret shtetëror dhe zbulimi i të cilave a pasur dhe mund të kishte pasoja të dëmshme për interesa politike, ekonomike dhe ushtarake të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në Kodin Penal.

Nëse jepen dhe kumtohen të dhëna dhe dokumente që janë kategorizuar si sekret shtetëror do të vijojë burg prej 1 deri 5 vjet, nëse sekreti shtetëror është dhënë dhe kumtuar në kohë lufte apo rrezik nga ajo, do të dënohet me më së paku katër vjet, dhe nëse ajo është nga neglizhenca, do të dënohet nga gjashtë muaj deri në 5 vjet.

“Rasti Assange”

Rasti i gazetarit dhe zëdhënësit të WikiLeaksit, Julian Assange do ta përshkruante më mirë se liria e patjetërsueshme e mediave dhe gazetarëve është e kontestueshme, në momentin kur gazetari furnizon publikun me informacion i cili paraqet sekret shtetëror. Kjo ngaqë ai në vitin 2010, publikoi dokumente sekrete të cilat përmbanin detaje për përfshirjen e ShBA-ve në luftën e Afganistanit dhe Irakit. Nga atëherë, e deri më 11 prill të këtij viti kur iu shfuqizua azili politik nga Ekuadori, Assange ka qenë në ikje nga autoritetet e ShBA-së. Ai sot është i burgosur në Londër, pas një sërë dënimesh fillimisht nga Britania e Madhe dhe ShBA-ja nën akuzën për spiunazh – publikim të sekretit shtetëror. Se a do të ekstradohet ose jo Assange në ShBA do të kuptohet në shkurt të 2020-s.