Votimit për Referendumin e 30 shtatorit, si çdo procesi tjetër zgjedhor, i parapriu heshtja zgjedhore, këtë herë 78 orëshe. Heshtja filloi mesnatën e 27 dhe 28 shtatorit që do të thotë se në datat 28, 29 dhe 30 shtator deri në ora 19, vlenin dispozitat për heshtje të cilat nuk u respektuan nga të gjitha mediat. Recensioni trajton arsyet pse duhet të respektohet heshtja zgjedhore dhe pse lexuesit duhet të marrin me sy kritik shkeljet që bëhen.
Link deri te artikulli origjinal: “5 minutat e tua…”
Data dhe koha e publikimit: 30.09.2018
Data e recensionit: 05.10.2018
Recensues: Fatlume Dervishi
Artikulli fillon me fjalët:
“Deputeti Artan Grubi ka bërë thirrje për dalje në referendum, në profilin e tij në facebook ka shkruar:
5 minutat e tua të sotme përcaktojnë ardhmërinë e përbashkët për gjenerata të tëra!”
Autori ka transmetuar një thirrje publike të një funksionari politik për dalje në votime. Funksionari në fjalë ishte pjesë e koalicionit që zhvilloi fushatën “për” andaj mesazhi i tij për dalje në votime automatikisht është thirrje për votim “për”. Kjo sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor paraqet shkelje (në përgjithësi, nga ana e një medie) për shkak se teksti është publikuar gjatë ditës së votimti, në orët kur votimi akoma ishte i hapur dhe vazhdonte.
Sipas Kodit Zgjedhor, Nenit 76-b:
1. Në kohën e heshtjes zgjedhore, ndërpriten të gjithë format e përfaqësimit mediatik zgjedhor të pjesemarrësve në fushatën zgjedhore.
2. Radiodifuzeret edhe në kohen e heshtjes zgjedhore vazhdojnë të informojnë për procesin zgjedhor në ditën e votimit.
3. Gjatë raportimit në ditët e heshtjes zgjedhore, do të llogaritet se mediat e kanë shkelur heshtjen zgjedhor nëse emitojnë, gjegjesisht publikojnë çfarëdo informacionesh, fotografish, material audio dhe audio-vizuale lidhur me ose në të cilat marrin pjesë pjesemarrës në zgjedhje; çfarëdo formash të raportimit mediatik të cilat në formë të hapur ose të fshehur janë në funksion të fushatës së dikujt dhe mund të ndikojnë në vendimin e votuesve; të dhëna me të cilat zbulohet identiteti i subjekteve politike.
Ju duhet ta dini se pse heshtja zgjedhore është e rëndësishme
Heshtja zgjedhore praktikohet në disa vende, përfshirë edhe Maqedoninë për t’iu dhënë një hapësirë votuesve për të reflektuar mbi zhvillimet, përpara se të japin votën e tyre. Vota është e drejtë e secilit dhe opsioni që ai zgjedh bazohet mbi vlerësimet e tij individuale. Prandaj fushata e “zhurmshme” ndërpritet disa orë para votimit që qytetarët të mund të bëjnë përcaktimin e tyre pa ndikime të jashtme dhe “presione” mediatike. Qytetarët kanë disa orë në dispozicion për të menduar për të gjitha mesazhet e përcjellura nga eksponentët politik gjatë fushatës dhe të zgjedhin alternativën që u përgjigjet interesave të tyre dhe idesë për të ardhmen e tyre në vendin ku jetojnë.
Lexuesi duhet të ketë kujdes të lexojë përtej rreshtave kur bëhet fjalë për publikimin e shkrimeve që thyejnë heshtjen zgjedhore. Lexuesi në këtë rast, para se të konsumojë mesazhin e dhënë, duhet të ketë parasysh interesat e medias, qoftë financiare apo të natyrës tjetër, për të bërë shkelje të tillë. Lexuesi duhet të jetë vigjilent, dhe të pranojë me sy kritik rastet kur informatat e këtilla ju shiten si “lajme” por që në fakt, pas tyre fshihet propaganda politike duke shkelur dispozitat për përfitime të natyrave të ndryshme.
KSHZ dhe Agjencia e Mediave nuk kryejnë punën, por kjo nuk do të thotë se mediat duhet të bëjnë shkelje
Në Maqedoni, ekziston rregullore e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-Vizuele e cila rregullon aktivitetet reklamuese të partive politike dhe hapësirën e mediave për fushatë. Sasia dhe përmbajtja e këtyre mesazheve matet me sekonda nga monitoruesit. Monitorimi vazhdon edhe në periudhën e heshtjes zgjedhore dhe çdo shkelje i kushton financiarisht medias.
Me ndryshimet e fundit ligjore, u bë përpjekje që KSHZ-së t’i jepet edhe një detyrë tjetër, monitorimi i punës së portaleve gjatë fushatës së referendumit dhe reagimit në rast të shkeljeve. Megjithatë nga ky institucion kanë deklaruar se nuk kanë as mundësi teknike dhe as praktike për të bërë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, as Agjencia e mediave nuk monitoron punën e portaleve por vetëm të televizioneve dhe radiove. Të gjitha parregullsitë e konstatuara nga ky institucion kanë të bëjnë vetëm me punën e kësaj kategorie të mediave dhe kjo për shkak se në Maqedoni nuk ka regjistër për portalet.
Kodi Zgjedhor, Neni 76-v:
Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuele është e obliguar që të ndjekë raportimin mediatik dhe servisin programor të radiodifuzerëve dhe mediave elektronike (internet portaleve) në Republikën e Maqedonisë që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në përfundimin e votimit në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Portali që ka përcjellë këtë shkrim, nuk do të përgjigjet ligjërisht për shkelje të ligjit por, gjithsesi se ka shkelur heshtjen zgjedhore duke transmetuar një ftesë për dalje në votim. Megjithatë, është lexuesi ai i cili mesazhet e dhëna në të duhet t’i merr me rezervë, të mendojë se PSE dhe KUSH e boton këtë shkrim, si dhe çfarë interesi ka që i njëjti të del në kohë të heshtjes.