Kur një gazetar dëshiron që një gazetareje tjetër t’i ndodhë dhunë kjo paraqet sjellje të dhunshme, shembull tipik të gjuhës së urrejtjes dhe diskreditim i gjithë komunitetit gazetaresk. Përfaqësuesit e këtij profesioni, detyra e të cilëve është të informojë dhe të edukojnë, assesi nuk guxojnë të jenë shembull për komunikim të pahijshëm me publikun.
Gazetari Cvetin Çilimanov, i cili me vite të tëra punon në agjencinë shtetërore të lajmeve MIA, me fjalor primitiv dhe vullgar, përplot me gjuhë të urrejtjes, iu drejtua gazetares së “Financial Times”, Valerie Hopkins.
Ai në rrjetin social Twitter, pa asnjë arsye, vetëm pse nuk i pëlqen ajo që e shkruan Hopkinsi, përndryshe mysafire në Maqedoni, bëri thirrje që t’i ndodhë një skenë nga filmi “Vetëshkatërrimi”, gjë që më së paku është e pashije, ofenduese, nënçmuese, por edhe e rrezikshme.
Fjala e gazetarit ka peshë të madhe prandaj për tuitin e tij duhet të ketë përgjegjësi më të madhe. Parashtrohet pyetja se çka do të ndodhte në qoftë se gazetares Hopkins me të vërtetë do t’i ndodhte një ngjarje e tillë e pakëndshme për të cilën bëri thirrje Çilimanovi? Kush do të mbante përgjegjësi për “shakanë” e tij?
Gazetarët, përveç me krijimin e veprave të tyre gazetareske, duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm se çka publikojnë në rrjetet sociale dhe çka deklarojnë në publik për shkak se ata e informojnë publikun.
Neni 10 i Kodit të gazetarëve është shumë i qartë në lidhje me këtë çështje:
Gazetari nuk do të krijojë e as nuk do të përpunojë me vetëdije informata, të cilat i kërcënojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk do të flasë me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, të orientimit seksual…).
Për këtë veprim tmerrues të Çilimanovit reaguan SHGM-ja,SPGM-ja dhe KEMM-ja, qeveria, ambasadori amerikan Jess Baily, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e mediave Harlem Desir. Reagim erdhi edhe nga MIA, e cila fillimisht u distancua nga tuiti, e pastaj edhe e supendoi Çilimanovin.
Dënimi i vetëm që mungoi ishte nga shoqata tjetër e gazetarëve – Asociacioni i mediave të Maqedonisë – AMM, nënkryetar i të cilit është pikërisht Çilimanovi. Ky asociacion, në vend që ta dënojë gazetarin që bëri thirrje për dhunë, e dënoi drejtorin e MIA-s për suspendimin e Çilimanovit dhe e akuzojnë për mobing, presion dhe diskriminim. Për artikullin e Çilimanovit thonë se është “qëndrim personal”.
Qëndrimet e Cvetin Çilimanovit të shprehura nëpërmjet postimeve të tij në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook janë qëndrime të tij të shprehura në profilin personal, e jo në platformën e MIA-s ose në profilet e Agjencisë në rrjetet sociale. Çilimanovi nuk e ka shkelur as Ligjin për marrëdhënie pune, a as sistematizimin për punë të MIA-s, prandaj vendimi për supsendimin e tij është i paligjshëm.
Reagim mungon edhe nga Prokuroria publike, e cila mund të ngrejë procedurë në bazë të zërave të dëgjuar publikisht, për shkak se gjuha e urrejtjes është vepër penale.
Çilimanovi nuk kërkoi falje për atë që e shkroi, e as nuk shprehu keqardhje, por përkundrazi, debatonte dhe sqaronte nëpër rrjetet sociale me të gjithë ata që e dënuan veprimin e tij. Sjellja e tillë, pa marrë parasysh se është bërë në profilet private në rrjetet sociale, është e pahijshme, joetike, e papranueshme dhe në tërësi e diskrediton dhe e nënçmon profesionin e gazetarisë.